1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forumi i biznesit mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore

Christian Stefanescu / V. Filaj-Ballvora26 Nëntor 2013

Nga Forumi Ekonomik Kina-Europa Qendrore dhe Lindore kryeministrat e 16 vendeve pjesëmarrëse presin një hov në marrëdhëniet bilaterale. Në prag të këtij forumi janë nënshkruar një sërë projektmarrëveshjesh.

https://p.dw.com/p/1AOWl
Fotografi: dapd

Gjashtëmbëdhjetë kryeministra nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, kryeministri i Kinës, si dhe rreth 1000 përfaqësues të ekonomisë, 300 syresh nga Kina, takohen në Bukuresht në Forumin Ekonomik Kina-Europa Qendrore dhe Lindore. Në këtë forum parashtrohet një listë e gjatë dëshirash për projekte miliardëshe, të cilat pritet të nënshkruhen në këtë kuadër, si dhe të financohen me para nga Kina. Vendi organizator, Rumania, e konsideron këtë forum si kapitullin e një historie suksesi. Pas Budapestit (2011) dhe Varshavës (2012) këtë radhë vendimmarrësit politikë nga Europa Qendrore e Lindore takohen për herë të tretë me përfaqësuesit e ekonomisë kineze në Bukuresht.

Paratë e Kinës janë të vlefshme

Edhe në Pekin takimit i kushtohet rëndësi e madhe. Në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme kineze në një ton klasik diplomatik shkruhet, se vizita e kryeministrit Li Keqiang në Bukuresht është shenjë për një përmirësim të marrëdhënieve mes Kinës dhe rajonit. Shtypi zyrtar kinez shton, se shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore, ngjashëm si edhe Kina, kanë kaluar një fazë të tranzicionit dhe konsolidimit ekonomik dhe se dialogu dominohet prej temave të përbashkëta dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. Partnerët në Europën Qendrore dhe Lindore dëshirojnë intensifikimin e investimeve kineze, për të dalë sa më shpejt nga zona gri e një tranzicioni të zgjatur, i cili tani karakterizohet edhe prej krizës globale. Një injeksion i mundshëm fillestar për financat u diskutua në forumin parardhës me kryeministrin kinez Wen Jiabao në vitin 2012 në Varshavë. Fjala është për një linjë kredie prej dhjetë miliardë dollarësh amerikanë, që Pekini do ta verë në dispozicion për projekte infrastrukture, teknikë mjedisi dhe për teknologji të tjera.

Sipas portalit rumun online cursdeguvernare.ro volumi i tregtisë mes Kinës dhe 16 vendeve ish-komuniste në periudhën 2000 - 2010 nga tre miliardë është rritur në mbi 40 miliardë dollarë. E megjithatë ka ende mjaft hapësirë veprimi: Volumi i përgjithshëm i tregtisë me këto vende është i njëjtë me volumin e tregtisë vetëm mes Kinës dhe Italisë. Investimet kineze në këtë rajon janë më të ulëta se investimet në Suedi. Madje të gjitha 16 vendet e Quropës Qendrore dhe Lindore së bashku investojnë në Kinë më pak sa ç'investon vetëm Austria.

Indinjatë në Bruksel?

Karel de Gucht, Komisioneri i BE-së për Tregtinë, konsideron se nismat kineze në Europë nuk janë pa rrezik. Në samitin e fundit bilateral BE-Kinë ai u shpreh, se Kina fut spica për t'i përçarë vendet europiane. "Ne jemi të detyruar të mbrojmë interesat tona", theksoi de Gucht në samitin e zhvilluar javën e kaluar në Pekin. Gazeta "Financial Times" më parë pati cituar një diplomat europian pa e përmendur atë me emër, se e sheh Forumin Ekonomik në Bukuresht si pjesë të një strategjie të Kinës, për ta përçarë BE-në, në mënyrë që më pas 'të pushtojë" Europën".

Justyna Szczudlik-Tatar nga Instituti polak për Çështje Ndërkombëtare (PISM) në intervistë për DW thekson, se motivimi i Kinës është thjesht ekonomik dhe vjen si rrjedhojë e rrethanave, që Pekini ka pasur një traditë të gjatë me 16 vendet ish-komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore. "Politikanët kinezë, që unë kam takuar, janë të mendimit se marrëdhëniet mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore karakterziohen shumë më pak prej politikës, krahasuar me raportet me BE-në në përgjithësi", mendon ekspertja polake.

Qëndrimi i Brukselit është rezultat i një gare brenda BE-së, beson politologu rumun Claudiu Degeratu, nga Qendra Studimore për Sigurinë dhe Prevencionin (Center for Security Analyses and Prevention) në Pragë. Praktikisht kjo është një përpjekje e disa vendeve të BE-së për t'i dhënë drejtim dialogut europiano-kinez. "Në realitet nga ana e Pekinit nuk ka rrezik të një strategjie 'divide et impera'" (lat., 'përça e sundo' - shën. i red.). Shembull për këtë janë portat e hapura për firmat kineze dhe ato koreano-jugore në shtetet e grupit të Vishegradit (Hungaria, Çekia, Sllovakia, Polonia). Kjo nuk ka çuar "në një invazion ekonomik në BE", vëren eksperti rumun.

16 shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore, që marrin pjesë në Forumin Ekonomik me Kinën janë: Shqipëria, Bosnjë-Herzegovina, Bullgaria, Estoinia, Kroacia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria. Që nga viti 2012 në Ministrinë e Jashtme kineze ekziston një sekretariat përkatës për bashkëpunimin me rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore. Një shenjë e qartë kjo, sipas politologes Justyna Szczudlik-Tatar, që Kina po i ndjek më qartë se deri më sot objektivat e saj në këtë pjesë të Europës.