1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina kërkon të anulohet kalimi i flakës olimpike në tokën tibetiane

8 Prill 2008

Qeveria kineze ka dënuar protestat masive gjatë maratonës së flakës olimpike duke i cilësuar ato injorim të shpirtit të lojërave olimpike.

https://p.dw.com/p/De8C
Flaka olimpike në Pekin 31 mars, 2008
Flaka olimpike në Pekin 31 mars, 2008Fotografi: AP

Ministria e jashtme në Pekin nguli gjithashtu këmbë se flaka olimpike nuk u shua gjatë protestave në Paris. Informacionet e medieve që flasin për këtë version janë të rreme, deklaroi zëdhënësi i ministrisë Jiang Yu. Vetëm rrethanat e maratonës janë ndryshuar përkohësisht, shtoi Yu. Demonstruesit në Paris dhe Londër nuk kanë respekt për ligjet e këtyre vendeve, thuhet në deklaratën e minsitrisë kineze të punëve të jashtëme. Dje në Paris aktivistët për Tibetin me protestat e tyre shkaktuan ndërprerjen e përkohshme të maratonës së pishtarit olimpik megjithë praninë e rreth 3.000 policëve francezë. Flaka olimpike u shua disa herë nga policia. Presidenti i tibetianëve në Paris Thupten Gyatso u shpreh dje:

"Ne kërkojmë me vendosmëri që të anulohet kalimi i flakës olimpike në tokën tibetiane. Me anë të saj Kina synon të legjitimizojë pushtimin e Tibetit. Kina nuk duhet të lejohet të instrumentalizojë lojërat olimpike për qëllime politike. Tibeti duhet të hiqet nga itinerari i flakës olimpike"

Stacioni i ardhshëm i flakës olimpike është San Francisco. Atje protestat i kanë paraprirë mbërritjes së pishtarit olimpik. Demonstrues janë ngjitur në urën e njohur "Golden Gate Bridge" dhe shpalosën atje një pankartë të madhe ku shkruhej "Tibeti i lirë 2008".