1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220909 Bundestagswahl Klima

23 Shtator 2009

Se ku do e vënë kryqin në zgjedhjet parlamentare të 27 shtatorit për shumë qytetarë gjermanë varet nga politika e partive për klimën. Ky është rezultati i një anketimi nga instituti Infratest-dimap.

https://p.dw.com/p/Jms5
Të Gjelbrit duke bërë fushatë elektorale.
Të Gjelbrit duke bërë fushatë elektorale.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Sipas anketimit, për më shumë se 90 përqind e të anketuarve është e rëndësishme që qeveria e ardhshme gjermane në përpjekjet për kapërcimin e krizës ekonomike të investojë në teknologji që respektojnë klimën. Madje shumë prej të anketuarve do të ndryshonin sjelljen e tyre në votime, nëse një parti prezanton një politikë veçanërisht të favorshme ndaj klimës. Çfarë pasojash ka kjo për fushatën elektorale?

Salla e universitetit të Bonit është mbushur mirë. Aleanca për Klimën, një organizatë ombrellë e më shumë se 100 shoqatave, e cila angazhohet për reduktim drastik të gazrave përgjegjëse për efektin serrë, ka ftuar në një raund diskutimi publik me përfaqësuesit e saj, kandidatët direktë të dhjetë qarqeve të përzgjedhura zgjedhore. Ish kryeqyteti gjerman u zgjodh si qendër e energjive të ripërtëritshme në landin e Vestfalisë dhe Rinit Verior, ku industria e qymyrgurit luan një rol të rëndësishëm.

Dy demostrues të veshur si Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier para Portës së Brandenburgut.
Dy demostrues të veshur si Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier para Portës së Brandenburgut.Fotografi: Picture-alliance/dpa

Josef Tumbrinck, kryetari për landin i organizatës mjedisore NABU, shpjegon arsyet nga këndvështrimi i organizatorit: "Kjo zgjedhje është për mbrojtjen e klimës një përcaktim i vërtetë drejtimi pasi nuk kemi më kohë për të humbur. Qeveria e ardhshme gjermane duhet të bëjë një ndryshim masiv kursi, ne nuk mund të presim edhe një ose dy periudha legjislative. Unë kam kuptuar se javët e fundit kjo temë po fiton gjithnjë e më shumë peshë."

Në radhët e organizatorëve dhe të publikut zhgënjimi është i madh. Kandidati i qytetetit të Bonit dhe njëkohësisht kryetari i Liberalëve të Lirë (FDP) ka anuluar pjesëmarrjen. Pak përpara fillimit edhe pjesëmarrësi zëvendësues i FDP-së dhe përfaqësuesi i Partisë Kristiandemokrate (CDU) anuluan pjesëmarrjen për arsye shëndetësore. Kështu diskutimi pritet të jetë më pak kontrovers. Shoqata ambjentaliste "Aleanca për Klimën" do të kishte pyetur me shumë dëshirë liberalët e FDP-së, mbi politikën e tyre për klimën. FDP-ja është e vetmja parti që nuk ka në programin e saj elektoral objektiva konkretë, për reduktimin e emetimit të dioskidit të karbonit. Veç kësaj liberalët dhe kristiandemokratët, të cilët synojnë të qeverisin në koalicion pas zgjedhjeve, kanë në plan të zgjasin afatin e lënies në punë të reaktorëve bërthamorë ekzistues.

Ulli Kelber, kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe zv-kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie në parlamentin federal, e sheh klimën si temë të rëndësishme në fushatën elektorale: "Sa më shumë afrohet samiti i Kopenhagës, aq më shumë shoqatat ambjentaliste ia dalin mbanë të pyesin mbi këtë temë. Nëpërmjet debateve mbi energjinë bërthamore ne na drejtohet edhe pyetja mbi formën e energjisë, dhe kjo është direkt e lidhur edhe me çështjen e klimës."

Energjia bërthamore është bërë vërtet temë. Debatet mbi Gorlebenin si vend depozitimi për mbetjet bërthamore, si dhe publikimi së fundi i një kërkese për një studim mbi ndërtimin e centraleve të reja bërthamore të kryer nga Ministria e Shkencës, e cila drejtohet nga CDU-ja, ishin për partitë që i përmbahen planit për dalje nga energjia bërthamore, një material i mirë elektoral.

Fushatë elektorale në internet.
Fushatë elektorale në internet.Fotografi: dpa

Megjithë mungesën e politikanëve liberalë dhe kristiandemokratë, ka mjaft arsye për zhvillimin e një debati kontrovers mes politikanëve pjesëmarrës. Kështu ekologjistët duan që qysh në vitin 2040, e gjithë kërkesa gjermane për energji, të mbulohet nga burime të ripërtëritshme energjie. Socialdemokratët vazhdojnë të mbrojnë të ashtuquajturën "përzierje energjish", ku një pjesë mbulohet nga qymyrguri.

Kandidati i partisë së majtë 'Die Linke', Paul Schäfer ,e vlerëson ndryshe nga diskutantët në podium rëndësinë e temës 'klimë': "Nga deklaratat zyrtare dhe fushata zgjedhore duket se mbrojtja e klimës luan një rol shumë të vogël. Natyrisht kjo ka të bëjë edhe me krizën ekonomike, për shkak të së cilës tema të tjera lënë në hije çështjen e klimës."

Por politikanët në Gjermani kanë kuptuar tashmë prej kohësh se lufta kundër ndryshimit të klimës mund të jetë pozitive për ekonominë dhe të krijojë të ashtuquajturat vende pune "të gjelbra". Christoph Bals është drejtues i organizatës joqeveritare 'Germanwatch', e cila angazhohet për drejtësinë veri-jug dhe për ruajtjen e bazës së jetesës. Ai beson se tema e klimës mund të jetë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të 27 shtatorit: "Thuajse 40 përqind e abstenuesve nga elektorati i partive të mëdha kanë thënë në një sondazh të kohëve të fundit, se do të ishin të gatshëm të votonin për një parti tjetër, nëse ajo bën një politikë të mirë dhe të përgjegjshme për klimën. Kjo mund t'i rrëzonte të gjitha mazhorancat, nëse ka parti të cilat mund të tregojnë këtë profil të qartë politik në mbrojtje të klimës dhe se si mund të dilet nga kriza ekonomike, me masa në mbrojtje të klimës."

Por dihet se statistika është shkencë më vetë. Ndryshe si mund të shpjegohet që sipas sondazheve vetëm 7 përqind e gjermanëve e aprovojnë energjinë bërthamore por 48 përqind do të zgjidhnin Unionin CDU-CSU dhe FDP-në, pra partitë që vënë në pikëpyetje planin për daljen nga energjia bërthamore?

Zgjedhjet e 27 shtatorit do të jenë ato që do të tregojnë nëse janë të mundura surprizat e kushtëzuara nga tema "klimë".

Autor : Irene Quaile / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama