1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicion i madh apo shumicë e majtë qeverisëse?

Sabine Kinkartz / DW Berlin 25 Shkurt 2008

Në Hamburg është zgjedhur parlamenti i ri i landit. Në zgjedhjet në qytetin verior të Gjermanisë, Partia Kristiandemokrate ka dalë sërish si forca më e fuqishme politike

https://p.dw.com/p/DCsz
Zgjedhje në Hamburg
Zgjedhje në HamburgFotografi: AP

Kristiandemokratët kanë marrë sipas rezultateve paraprake rreth 43 për qind të votave të elektoratit. Socialdemokratët e kanë përmirësuar rezulatin në krahasim me zgjedhjet e mëparshme dhe kanë marrë 34 për qind. Me fitore nga këto zgjedhje në Hamburg ka dalë partia e majtë, PDS, e cila kandidonte për herë të parë dhe mori 6,5 për qind të votave. Liberalët nuk arritën të hyjnë në parlament me një rezultat më të ulët se 5 për qind.

Kristiandemokratët

Në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve në Hamburg të gjithë ndiheshin paksa fitimtarë, kush më shumë e kush më pak. Ole von Beust kryetari aktual kristiandemokrat, i cili deri tani qeveriste me shumicë absolute humbi rreth 5 për qind, por partia e tij mbetet forca politike më e fuqishme. Von Beust foli për një rezultat të shkëlqyer dhe është i hapur për bisedime koalicioni: "Një mandat i qartë qeverisjeje për Unionin, për krijimin e qeverisë së re. Për këtë do të zhvillojmë bisedime si me socialdemokratët ashtu edhe me Të gjelbrit. Më pas do të shohim se çfarë duan ata, cilat janë kushtet e tyre për të marrë pastaj shpejt vendimin me partnerin respektiv për ecurinë e mëtejshme të punës."

Socialdemokratët

Socialdemokratët me kandidatin e tyre kryesor Michael Naumann e shohin veten si fituesin e vërtetë të këtyre zgjedhjeve. Gazetari 66 vjeçar dhe botuesi i së përjavshmes së Hamburgut "Die Zeit" arriti të fitonte vota. Thjesht me shifra socialdemokratët mund të qeverisnin edhe me listën alternative të të gjelbërve dhe të majtët. Madje ky konstelacion do të kishte edhe shumicë absolute në parlamentin e landit, por Naumann i qëndron besnik asaj që kishte premtuar në fushatën elektorale: "Socialdemokratët në Hamburg as do të hyjnë në koalicion me të majtët dhe as do të zhvillojnë negociata. Kjo vlen për të gjithë socialdemokratët në këtë qytet. Unë mendoj se një nga tiparet e qënësishme të socialdemokracisë prej më shumë se 100 vjetësh është besueshmëria."


Naumann e cilëson veten "një antikomunist me vetëdije historike" dhe gjatë fushatës elektorale ka përdorur njëherë edhe fjalën ruse "Njet" në përgjigje të pyetjes për një bashkëpunim të mundshëm me të majtët. Ai iu referua kështu përbërjes së listës zgjedhore të të majtëve në të cilën bënin pjesë edhe anëtarë të Partisë Komuniste Gjermane

Të gjelbrit

Të zhgënjyer nga këto zgjedhje dolën në rradhë të parë të gjelbrit, të cilët kishin shpresuar shumë në një koalcion qeverisës me socialdemokratët. Për kandidaten kryesore të listës alternative të të gjelbërve Christa Goetsch, negociatat për koalicion me të kristiandemokratët janë një kafshatë e hidhur: "Bisedime zhvillohen gjithnjë mes partive në demokraci dhe këtë do ta bëjmë edhe ne. Gjithçka tjetër varet nga përmbajtjet dhe ato nuk janë pas zgjedhjeve ndryshe nga përpara zgjedhjeve."

Liberalët

Më të vështirë e patën liberalët të cilët edhe katër vjet më parë nuk arritën të kapërcenin kufirin prej 5 për qindësh i cili u lejon hyrjen në parlament.