1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicion i madh në Itali?

22 Prill 2013

Pas disa raundesh të vështira zgjedhjesh shtohen sinjalet për një koalicion midis partive më të mëdha. Në Romë protestojnë jo vetëm simpatizantë të Lëvizjes-Pesë-Yjet.

https://p.dw.com/p/18KGC
Fotografi: Reuters

"Tutti a casa"- "Të gjithë në shtëpira", bërtasin demonstruesit para Parlamentit në Romë dhe ngrenë lart grushtet. Të zë syri shumë fytyra të reja, familje. Janë simpatizantë të zemëruar, zgjedhës dhe anëtarë të Lëvizjes-Pesë-Yjet të ish-komedianit Beppe Grillo. Por jo vetëm ata. Edhe mbështetës të zhgënjyer nga partia e tyre "Partito Democratico" (PD) shprehin zhgënjimin para godinës së parlamentit. "Tradhëtar" i thërrasin ata Pierluigi Bersanit, i cili dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë. Ai e tradhëtoi dëshirën e zgjedhësve për ndryshim, thotë Pino Crasto dhe thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të votojë për Beppe Grillon.

Grillo dhe Berlusconi më të fortë

Zhurmaxhiu i bezdisshëm politik Grillo, i cili krahas Berlusconit që arriti ta përçajë kampin e majtë politik, është fitimtari pas raundeve të vështira të zgjedhjeve për postin e presidentit të shtetit. Lëvizja-Pesë-Yje e tij votoi në të gjashtë raundet e zgjedhjes për kandidatin e saj, profesorin e drejtësisë Stefano Rodota. Në mënyrë transparente dhe konsekuente. Krejt ndryshe vepruan deputetët e PD-së. Kaq shumë prej tyre nuk pranuan ta ndjekin pas sekretarin e partisë së tyre, duke bërë që kandidati i tij të dështojë në mënyrë qesharake. PD-ja nuk ekziston më, deklaruan shumë deputetë pas tërheqjes së kandidaturës së ish-kryeministrit Romano Prodi. Së fundi, Bersanit iu desh të bjerë dakord me Montin dhe Berlusconin për ta rizgjedhur në post 87-vjeçarin Giorgio Napolitano, që të dilte fitimtar një kandidat.

Giorgio Napolitano në fakt donte të largohej
Giorgio Napolitano në fakt donte të largohejFotografi: Reuters

I detyruar për një mandat të dytë?

Napolitano nuk qe i fiksuar për një mandat të dytë, këtë ai e pati thënë disa herë. Ai "nuk mundi t'i shpëtonte përgjegjësisë", sepse me sa duket vetëm në këtë mënyrë hapet rruga për krijimin e qeverisë. Gazetat italiane shkruajnë se Napolitano, para se të vendoste kandidaturën, mori siguri nga Bersani, Monti dhe Berlusconi se do të krijojnë një koalicion. Sepse Bersani pati deklaruar pas fitores në zgjedhje, ku nuk siguroi dot shumicën e votave, se në asnjë rast nuk do të pranonte në qeveri partinë e Berlusconit, PDL. Por pa Berlusconin nuk bëhet, sepse deputetët e Lëvizjes-Pesë-Yje, pas jo-së së udhëheqjes së PD-së për kandidatin e tyre, Stefano Rodota kalojnë edhe më të bindur në opozitë.

Autor: Kirstin Hausen/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj