1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicion qeveritar në Tailandë

Glass, Nicola20 Janar 2008

Pas një periudhe qeverisjeje nga ushtarakët tani në Tailandë janë sërisht civilët në timon. Plot gjashtë parti duan të krijojnë qeverinë e ardhshme nga e cila shpresohen raporte të qëndrueshme.

https://p.dw.com/p/Cv24
Kryetari i PPP-së Samak Sundaravej gjatë një konference shtypi në Bangkok.Fotografi: AP

Partia e Pushtetit të Popullit, shkurt PPP, e cila doli fitimtare në zgjedhjet parlamentare së bashku me pesë parti të tjera do të krijojnë një qeveri koalicioni. Qeveria nën drejtimin e PPP-së që mbështet kryeministrin e rrëzuar Thaksin Shinavatra gëzon një shumicë komode prej 300 nga gjithsej 480 vendet në parlament.


Në zgjedhjet e 23 dhjetorit PPP-ja kishte marrë shumicën e votave por jo shumicën absolute. Aleanca e re e koalicionit nuk është një "martesë me dashuri" por më shumë me llogari. Në fund të fundit pushteti qeveritar është joshës. Banharn Silpa Archa, kryetar i partisë "Chart Thai" dhe politikan i rregjur është një nga partnerët më të rëndësishëm në koalicion.


"Ne nuk mund të lejojmë që Tailanda të vazhdojë në një vakuum pa qeveri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur."


Me një qeveri nën drejtimin e PPP-së të cilën Gjykata Supreme sapo e çliroi nga akuza e manipulimit të zgjedhjeve, kthehen në pushtet përkrahësit e ish kryeministrit Thaksin Shinavatra. Për postin e kryeministrit diskutohet kandidatura e Samak Sundarajevit, kandidati kryesor i PPP-së i cili është i njohur për thënie të goditura. Koalicioni  do të mbështetej nga dy të tretat e gjithsej 480 deputetëve në parlament. Kështu stabiliteti i qeverisë është i garantuar, theksoi Samak.


Konstelacioni i ri politik është një disfatë e rëndë për ushtarakët. Këta e patën rrëzuar me një puç Thaksin Shimavatrën nën akuzat për korrupsion në shtator të 2006 dhe patën shpërndarë me vendim gjykate partinë e tij "tailandezët duan tailandezët".


Thaksinit dhe 110 anëtarëve të tjerë të partisë së tij iu ndalua të angazhoheshin politikisht pesë vitet e ardhshme. PPP-ja ka bërë të ditur se do të falte Thaksinin dhe do t'a rikthejë në vend.


Populli në Tailandë kërkon stabilitet politik dhe mbarëvajtje të ekonomisë. Por jo të gjithë janë optimistë përballë gjendjes aktuale.


"Mendoj se tani jemi rikthyer mbrapa. Nëse këto njerëz do të jenë tani përsëri në qeveri ata do të manovrohen pa tjetër nga Thaksini" -  thotë një qytetar.


Se si do të zhvillohet demokracia në Tailandë mbetet e hapur. Noshta edhe ky koalicion qeveritar ashtu si në vitet '90 nuk do të rezistojë gjatë. Me gjashtë parti në qeveri janë në lojë shumë interesa të ndryshme.