1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni i ri do të sjellë kulturë të re besimi

4 Korrik 2009

Ka kaluar gati një javë pas zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, e megjithatë ende nuk është përcaktuar rezultati përfundimtar i votimeve. Të shtunën KQZ vazhdoi verifikimin e kontestimeve të fundit të votave

https://p.dw.com/p/IhF2
Zgjedhje në Shqipëri
Zgjedhje në ShqipëriFotografi: AP

Liberalët e majtë nën Ilir Metën dhe kryeministri Sali Berisha e çliruan Shqipërinë nga mati politik, që kërcënonte ta paralizonte vendin me javë të tëra. Kjo është një dëshmi e përgjegjësisë politike. Për herë të parë qysh pas fundit të komunizmit në Shqipëri mund të ketë një koalicion, që i kapërcen ideologjitë e vjetra të kampit, duke vendosur për atë çfarë i bashkon dhe jo për atë çfarë i ndan.

LSI-ja ndonëse është krah i shkëputur prej Partisë Socialiste, ajo gjithmonë është përpjekur të çlirohet nga fryma e së shkuarës. Fatos Nano, ish-kryeministri socialist, ka përfaqësuar frymën konfliktuale të së shkuarës duke qenë rivali kryesor i Sali Berishës. Nano ishte ai që e detyroi Ilir Metën - dikur pasuesi i Nanos në postin e kryeministrit - të largohej prej socialistëve duke siluruar politikën e tij.

Paçka se zgjedhësit tradicionalë të LSI-së, dhe të socialistëve në fakt, janë më afër njëri-tjetrit, Berisha dhe Meta kanë së paku një gjë të përbashkët: Rivalitetin e tyre me socialistët.

Fabian Schmidt
Fabian Schmidt

E qartë është që sistemi i ri elektoral proporcional u ka hequr bazën e ekszitencës thuajse të 45 partive të vogla. Në parlamentin e ri ka vetëm gjashtë parti. Prej tyre vetëm tri kanë secila nga një mandat. Në thelb ajo që mbetet është pra një sistem tripartiak. Në këtë sistem të ri kërkohet aftësia për koalicion duke tejkaluar konfliktet ideologjike dhe personale.

Partitë relevante të vendit thuajse nuk ndryshojnë fare prej njëra-tjetrës, sa u përket programeve. Ato synojnë në përgjithësi një sistem liberal ekonomik me sigurime sociale në themel, përkrahin pa rezervë NATO-n dhe duan ta çojnë vendin deri drejt antarësimit në BE. Konfliktet mes partive pra, nuk konsistojnë në përplasje ideologjike, por në luftën për ndarjen e pushtetit për grupet e përkatëse të klientelës si dhe në mosbesimin kundrejt njëri-tjetrit, mosbesim me rrënjë të thella.

Kësisoj tani mbetet të shpresohet, se një koalicion i ri do të sjellë edhe një kulturë të re besimi. Zgjedhjet treguan, se ndonëse shumë gjëra i zbatoi teknikisht, administra ka qenë më mirë se në dekadat e fundit, ishin partitë ato që i shfrytëzuan procedurat administrative si të vetëkuptueshme, për luftën e tyre për pushtet.

Koalicioni i ri më në fund, ofron shansin për ndërtimin e një administrate mbipartiake, e cila të mos instrumentalizohet më për qëllime politike dhe të gëzojë si vazhdimësinë, ashtu edhe besimin përtej hapësirave kohore të një periudhe legjislative. Berisha dhe Meta duhet ta shfrytëzojnë këtë shans.

Autor : Fabian Schmidt
Redaktoi : Vilma Filaj - Ballvora / Aida Cama