1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shqipëria krah shteteve që përpiqen për sa më shumë demokraci dhe siguri"

Ani Ruci4 Shtator 2014

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes Mimi Kodheli në bisedë për DW: Shqipëria do të marrë përsipër angazhimet e pritshme nga Samiti i NATO-s në Uells.

https://p.dw.com/p/1D6M6
Mimi Kodheli
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Znj. Ministre, Shqipwria merr pjesë në samitin dyditor të NATO-s , që fillon sot, më 4 shtator, në Uells. Cilat do të jenë çështjet kryesore që do të disktohen në këtë samit?

Mimi Kodheli: Samiti i Uellsit është një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore të këtij viti. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka zërin e vet, pjesën e vet të protagonizmit në këtë ngjarje të rëndësishme. Çështjet kryesore që do të diskutohen lidhen në rradhë të parë me qëndrimin që Aleanca Atlantike do të mbajë në Afganistan pasi me fundin e këtij viti vjen edhe përfundim i misionit ISAF dhe pas tij vjen misioni, "Resolute Support Mission" me një tjetër objektiv që e angazhon Aleancën Atlantike, pra edhe Shqipërinë si vend anëtar, në pjesëmarrje dhe objektiva të rëndësishme, si: rritja e kapaciteteve të Forcave të Sigurisë Afgane, për ta transformuar këtë vend ku është luftuar shumë, janë humbur shumë jetë dhe që për fat të keq prodhon ende ngjarje jo të këndshme dhe për të mundësuar kthimin e tij në rrugën e demokracisë dhe të sigurisë. Çështje tjetër kryesore do të jetë, padyshim, kriza në Ukrainë, mënyra se si Aleanca Atlantike do të përballet me situatën atje, masat që ajo do të marrë për mbrojtjen jo vetëm të vendeve aleate por edhe atyre partnere për zgjidhjen e një krize që flet për një situatë të re gjeopolitike, për një ndërhyrje në integritetin territorial të një vendi sovran si Ukraina, për qëndrimin e Aleancës në raport me Ukrainën dhe Rusinë. Në samitin që fillon sot në Uells do të diskutohet për kapacitetet, për mënyrën se si NATO- do të mund të përgjigjet në mënyrën më të shpejtë të mundshme ndaj çdo kërcënimi dhe agresioni të mundshëm që mund t'u vijë vendeve aleate, qoftë nga Lindja, qoftë nga Jugu apo vende që veprojnë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë marrdhëniet e paqes, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë.

DW: Çështjet që ju sapo prezantuat tregojnë që NATO mbetet në krye të përpjekjeve për paqe, stabilitet dhe siguri në mbarë botën. Shqipëria si vend anëtar ka detyrimet dhe kontributin e vet në këto përpjekje. Pra cili është konkretisht kontributi i Shqipërisë në kuadër të Aleancës?

Mimi Kodheli: Është në nderin e Shqipërisë të renditet në top-listën e vendeve më të mëdha kontributore, krahasuar me numrin e popullsisë, dimensionet dhe GDP. Shqipëria ka marrë pjesë në misionet e NATO-s shumë kohë para se të bëhej anëtare e Aleancës duke filluar që me misionin SFOR në Bosnjë: ka pasur rreth 2.400 trupa në misionet e NATO-s në Afganistan, Irak, Bosnjë- Herzegovinë, KFOR, Çad etj. dhe vazhdon të jetë, krahasuar me numrin e popullsisë dhe dimensionet e saj, një nga kontributoret më të mëdha edhe sot që po flasim. Natyrisht, kontributi i Shqipërisë është pjesë e kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s. Ne do të vazhdojmë të kontribojmë pasi jemi të bindur që Aleanca e Atlantikut është organizmi gjeopolitik më i drejtë, më paqedashës dhe më i sigurtë jo vetëm për kufijtë e Shqipërisë, të rajonit ku ajo bën pjesë, por edhe kufijtë mbarëbotërorë.

DW: Znj. Ministre, a do të shërbejë Samiti i Uellsit për të siguruar më tej këtë rol të NATO-s që ju sapo shtjelluat? Çfarë angazhimesh të pritshme mund t'i dalin Shqipërisë nga Samiti i Uellsit?

Mimi Kodheli: Situata e sotme gjeopolitike është padyshim e paqartë, problematike, e mbarsur me kërcënime dhe paqartësi të thella politike, është një situatë që ka vënë në pikëpyetje sigurinë mbarëbotërore, një situatë që e vendos Shqipërinë në një angazhim gjithëpërfshirës me qëllim përshtatjen e realitetit të saj me nevojat e Aleancës, të kapaciteteve të Forcave të saj të Armatosura si pjesë e kapaciteteve të Forcës së NATO-s dhe e vë padyshim përballë angazhimit për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse të Aleancës, si deri më sot. Shqipëria vjen në Samitin e Uellsit për t'i pranuar dhe marrë përsipër këto angazhime. Ne vetëm do t'u krijojmë të gjitha mundësitë Forcave tona të Armatosura që t'i kryejnë këto angazhime.

DW: Shqipëria është një ndër shtatë vendet , që do të operojnë përkrah SHBA -së duke furnizuar me armë të lehta forcat kurde, që po luftojnë kundër militantëve të të ashtuquajturit shtetit islamik, IS, në Irak. Si mund të kryhet ky operacion që tanimë ka filluar , pra cilat janë argumentat e qeverisë shqiptare në marrjen e këtij vendimi, kur vende më të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk janë ende pjesë e këtij angazhimi?

Mimi Kodheli: Shqipëria iu përgjigj pozitivisht thirrjes së aleatit të saj strategjik më të madh SHBA për të qenë kontributore me vënien e burimeve të saj në dispozicion, e bindur që bën më të mirën e mundshme, për të mbështetur forcat kurde në luftën e tyre kundër militantëve të të ashtuquajturit shtet islamik IS në Irak. Forcimi i mëtejshëm i lidhjes transatlantike e bën edhe më të qendrueshëm murin me të cilin forcat keqdashëse do të përballen, e bën Shqipërinë më të sigurtë në vendimmarrjen e saj. Kësaj thirrjeje i janë përgjigjur pozitivisht Kanadaja, Britania e Madhe, Italia, Franca, Danimarka, të cilat kanë qenë pjesë e këtij misioni të përbashkët si edhe një vend kryesor partner si Australia. Së fundi, këtij misioni i është përgjigjur pozitivisht edhe Gjermania, një nga vendet kontributore më të mëdha të NATO-s, që dëshiroj ta falenderoj jo vetëm se jemi në Deutsche Welle, por jemi në frymën tejet pozitive, entuziaste dhe frymëzuese të marrdhënies mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, që është ngritur në një nivel tjetër, si edhe mes rajonit dhe Gjermanisë. Dëshiroj të vlerësoj maksimalisht jo vetëm marrdhëniet, që kemi me Gjermaninë brenda për brenda Aleancës, por sidomos marrdhëniet që vijnë nga jehona tejet pozitive e zhvillimit në Berlin të konferencës ballkanike, nën kujdesin e kancelares Merkel dhe qeverisë së RFGJ, si një ndër hapat më pozitivë për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe rajonit dhe më shumë se kaq. Dëshiroj ta falenderoj Gjermaninë, këtë kontributore të fuqishme si edhe të gjithë kontributorët e tjerë që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së aleatit tonë më të madh strategjik SHBA për të mundësuar përballjen e një të keqeje të madhe që vjen nga veprimet antihumane të militantëve të të ashtuquajturit shtet islamik në Irak. Dëshiroj të vë në dukje gjithashtu, se Shqipëria mbetet krah atyre shteteve që përpiqen për sa më shumë demokraci dhe siguri. Edhe kur flasim për Irakun, Afganistanin, vendet e Magrebit , vendet e Lindjes apo Jug- Lindjes në raport me Europën kemi parasysh njerëz që vuajnë, që largohen nga familjet e tyre, që bombardohen, vriten pa pasur asnjë faj, për humbje jetësh të fëmijëve, për kriza humanitare me të cilat bota sot përballet. Kjo nuk mund të jetë bota e shekullit XXI. Shqipëria bën pjesë në atë grup shtetesh dhe vendesh demokratike, që përpiqen me të gjitha mjetet dhe format të rikthejnë paqen dhe stabilitetin atje ku ato mungojnë apo nuk egzistojnë.