1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koenigs kritikon qëndrimet e buta të kancelares Merkel

Bettina Klein/Bahri Cani30 Gusht 2012

26 gazetarë gjermanë kanë kërkuar nga kancelarja Merkel që gjatë vizitës në Kinë të angazhohet për përmirësimin e kushteve të tyre. Edhe Tom Koenigs kërkon nga Merkel që të drejtat e njeriut në Kinë të mos heshten.

https://p.dw.com/p/15zQn
Merkel dhe Wen Jiabao
Merkel dhe Wen JiabaoFotografi: picture-alliance/dpa

Ministria e Jashtme e Kinës ka hedhur poshtë kritikat e gazetarëve për kushte të rënda pune në këtë vend. Gazetarët e huaj janë të mirëseardhur në Kinë, por ata duhet të respektojnë ligjet e këtij vendi, shpjegon ministria. Tom Koenigs, kryetar i Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, në një intervistë për Deutschlandfunk, kërkon nga kancelarja që të trajtojë hapur këto çështje. Edhe vet kancelarja Merkel para katër vitesh pohonte se me partnerët e rëndësishëm duhet biseduar hapur.

"Ne nuk mund të heshtim kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Por mund të them nga përvoja ime se gjërat nuk janë të thjeshta, kur çdo ditë duhet të merrtet ndonjë vendim."

Vizita në Kinë

Merkel dhe Jintao
Merkel dhe JintaoFotografi: dapd

Kancelarja Merkel fillon këtë të enjte një vizitë në Pekin, në kuadër të këshillimeve gjermano-kineze. Kancelarja ka theksuar rëndësinë e partneritetit mes këtyre dy vendeve, gjë që shumë ekspertë ka bërë të dyshojnë se gjatë vizitës ajo do të heshtë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në këtë vend. Edhe kryetari i Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut Tom Koenigs dyshon se të drejtat e njeriut do të jenë në qendër të vëmendjes.

"Kam frikë se jo, sepse gjatë përgatitjeve të kësaj vizite çështja e të drejtave të njeriut nuk ka luajtur gati kurfarë roli. Pala kineze ka ashpërsuar qëndrimet gjatë disa muajve të fundit. Ndaj Gjermania duhet ta bëjë të qartë se angazhohet për repsektimin e të drejtave të njeriut dhe se kjo aktualisht është në kundërshtim me politikën kineze", pohon Koenigs.

Tom Koenigs
Tom KoenigsFotografi: AP

Gjermania dhe Evropa duhet të bëjnë më shumë presion

Sipas tij, Gjermania aktualisht më shumë është e fokusuar tek raportet ekonomike dhe bashkëpunimi me këtë vend. Ajo shumë pak ka theksuar domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të njeriut, në radhë të parë të artistëve. Këtë dëshmon edhe shembull i bartësit të çmimit Nobel, Liu Xiaobo.

Liu Xiaobos Biographie (Buchcover)***Das Bild darf nur im Rahmen einer Buchbesprechung benutzt werden
Liu Xiaobo

Me vendet si Kina është shumë vështirë që të harmonizohet bashkëpunimi ekonomik dhe kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut. Ky ka qenë problem edhe për qeveritë e kaluara në Gjermani. Por gjithmonë është thënë se të drejtat e njeriut duhet të respektohen.

"Kjo është e vërtetë, sepse verbalisht thuhet se të drejtat e njeriut janë një nga parimet kryesore të politikës së jashtme. Angazhimi për të drejtat e njeriut është në interesin e vet Gjermanisë. Kjo duhet theksuar gjithmonë. Duhet thënë se ne duam bashkëpunim ekonomik por duam edhe dialog për respektimin e të drejtave të njeriut", pohon Koenigs.

Evropa dhe në veçanti Gjermania llogariten si partnerë shumë të rëndësishëm ekonomik të Kinës. Por Gjermania dhe Evropa, sipas Koenigs, duhet të angazhohet për ruajtjen e vlerave që me mund janë arritur gjatë historisë. Fjala është për vlerat universale si të drejtat e njeriut. Për këto vlera publikisht angazhohet edhe vet Kina. Partnerët duhet të jenë të hapur mes vete dhe të flasin për temat që ndihmojnë forcimin e miqësisë dhe paqës. Kjo duhet të theksohet edhe nga kancelarja Merkel, mendon Koenigs. Por ai nuk është ftuar që të jetë pjesë e delegacionit gjerman që do të vizitojë Kinën.

"Jo! Komisioni për të drejtat e njeriut nuk është konsultuar. Ne kemi dëgjuar për këtë viztië vetëm gjërat që janë thënë publikisht në prag të vizitës së kancelares. Shpresoj se gjatë vizitës do të preken edhe këto çështje", pohon Koenigs.