1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kohë të vështira për aleancën transatlantike

Volker Depkat/Esat Ahmeti2 Maj 2014

Ndërsa Perëndimi përpiqet të gjejë formën e duhur për trajtimin e krizës në Ukrainë, në Uashington takohen dy aktorët e saj ndoshta më të rëndësishëm. Kjo është një periudhë e rëndë për marrëdhëniet gjermano-amerikane.

https://p.dw.com/p/1Bskz
Flamuri gjerman dhe amerikan
Raportet (e tendosura) amerikano-gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Marrëdhëniet në mes të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë edhe më të mira. Në mesin e gazetarëve, politikanëve dhe intelektualëve gjermanë mund të hasësh në shumë mirëkuptim për presidentin e Rusisë Vlladimir Putin dhe aneksimin e tij ilegal të Krimesë. Në të njëjtën kohë ata e shohin me tepër dyshim çdo gjë që aktualisht bëjnë SHBA-të.

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington konsiderohet si problematike pasi ky është takimi i saj i parë personal me presidentin Barack Obama që nga afera e përgjimit të telefonave. Në vjeshtë, vetëm disa javë pas udhëtimit të Obamës në Berlin në të cilin u premtua një miqësi e thellë gjermano-amerikane, marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan sërish një goditje të rëndë. U njoftua se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) kishte spiunuar kancelaren gjermane. Një kancelare që është aq e popullarizuar në SHBA për shkak se është rritur në RDGJ dhe kështu i kushton shumë rëndësi lirisë individuale. Gjithashtu amerikanët mendojnë se ajo është e aftë për të mbajtur hapin në ekonomi.

Volker Depkat
Volker DepkatFotografi: Volker Depkat

Por natyrisht që nuk bëhet fjalë vetëm për telefonat. Marrëdhëniet gjermane-amerikane vuajnë nga një numër problemesh të pazgjidhura: aty është edhe Edward Snowden dhe vlerësimet shumë të ndryshme për personin e tij dhe veprat e tij në Gjermani dhe SHBA. Përveç kësaj, dëshira gjermane për një marrëveshje Jo-spiunimi të cilën nuk e dëshiron Uashingtoni. Dhe pastaj lufta me avionët amerikan pa pilot nga toka gjermane, diskutimet rreth Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Transatlantike (TAFTA) dhe Guantanamo, e cila është ende një gjemb në trupin gjermano-amerikan.

Historia e ftohjes së marrëdhënieve

Dallimet transatlantike bëhen edhe më të dukshme sa më shumë që të gjitha palët theksojnë stabilitetin e miqësisë gjermano-amerikane. Nuk ka asnjë arsye për alarmim. Vendet janë politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht të ndërthurur ashtu si më parë me njëri-tjetrin, sa që ata kurrë nuk do t'i japin fund miqësisë për shkak të interesave të tyre. Megjithatë nuk mund të mohohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë ftohur marrëdhëniet mes tyre. Kjo ftohje nuk filloi me Edward Snowden, NSA-në apo përgjimin e telefonit celular të kancelares.

Ironikisht, ajo filloi me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitet 1989-1991. Të dy partnerët atëherë riorientuan politikat e tyre dhe filluan të ndjekin secili agjendën e vet. Gjermania e ribashkuar iu përkushtua fillimisht vetvetes, pastaj kontinentit dhe u kthye në një forcë lëvizëse të integrimit evropian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u larguan nga Evropa Perëndimore, filluan të interesoheshin më shumë për demokracitë e reja të Evropës Lindore, u kujdesën për kontinentin e tyre dhe veçanërisht për Azinë.

Humbje e besimit

Megjithatë, problemet aktuale gjermane-amerikane nuk kanë të bëjnë vetëm me interesat e "vështira" politike dhe çështjet ekonomike, por me besimin - dhe ky besim po zhduket. Në debatet mbi NSA dhe Edward Snowden, luftërat e avionëve pa pilot dhe marrëveshjen për tregtinë e lirë, shtrohet gjithnjë edhe pyetja e besimit. Debati ndikohet negativisht nga stereotipet e vjetra shekullore, frika irracionale dhe mitet që nuk janë pritur tek një miqësi kaq e vjetër dhe aq fitimprurëse si kjo mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shumë domethënëse është në këtë kontekst ofenziva e fundit e ambasadës amerikane në Gjermani, përmes së cilës evropianëve duhet t'iu hiqet frika për marrëveshjen e tregtisë së lirë. Çdokush që viziton faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin lutet që kërkoj një "mit" i cili pastaj do të hidhet poshtë nga faktet dhe argumentet e qeverisë amerikane. Për shembull: "TAFTA është jodemokratike / procesi nuk është transparent. Pse nuk mund të votojë populli për këtë marrëveshje?". Ose: "TAFTA do t'i detyrojë gjermanët të pranojnë ushqime të modifikuara gjenetikisht dhe shfuqizojnë ligje të caktuara për mbrojtjen e mjedisit."

NSA
NSAFotografi: picture-alliance/dpa

Këto mite flasin shumë për atë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Gjermaninë në këtë moment. Në anën tjetër, një ofenzivë e tillë nuk do të fillohej po qe se nuk do të ekzistonte ndjenja se ka shumë keqkuptime transatlantike dhe se besimi reciprok është në rrezik.

Reagimi ndaj frikës

Ne nuk duhet të harrojmë se marrëdhëniet gjermane-amerikane janë gjithashtu ende nën ndikimin e ngjarjeve të 11 shtatorit. Sulmet terroriste në Pentagon dhe në Qendrën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 lanë një boshllëk të madh emocional në mes të "botës së vjetër" dhe "botës së re". Ky boshllëk nuk është mbyllur ende.

Pjesa më e madhe e reagimeve amerikane ndaj këtyre sulmeve - "lufta globale kundër terrorit", Guantanamo, themelimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe në fund veprimet e NSA-së - shihen si të ekzagjeruara nga vropianët. Shtetet e Bashkuara i shohin këto masa, megjithatë, si të nevojshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të mbrojtur rrugën e tyre të jetës, e cila është e bazuar në lirinë individuale dhe vetëvendosje. Në thelb, frika amerikane që në sytë e evropianëve duket kaq paranojake është tipike për shoqëritë moderne. Shoqëritë moderne janë të hapura dhe pluraliste, dhe frika se kjo mund të shkatërrohet nga "armiqtë e brendshëm" është një frikë që i përcjell gjatë gjithë kohës. Kjo frikë, e arsyeshme ose e paarsyeshme, ka çuar në mesin e amerikanëve në një konsensus të gjerë, kur u diskutua për për nevojën e ligjeve drastike të sigurisë pas 11 shtatorit 2001.

Presidenti Obama nuk ka hequr asnjë masë të sigurisë të miratuar nga administrata e ish presidentit Bush. Guantanamo vazhdon të ekzistojë, po ashtu edhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare si dhe bashkimi i shumë shërbimeve të fshehta amerikane nën ombrellën e NSA-së. Si rrjedhojë edhe përgjimi i telefonit celular të kancelares gjermane është një pasojë e 11 shtatorit dhe kontesti gjermano-amerikan për këtë temë është rezultat i boshllëkut të madhe emocional të krijuar atë ditë.

Volker Depkat është profesor në Katedrën për Studime Amerikane në Universitetin e Regensburgut.