1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qipro në prag të humnerës

Bernd Riegert25 Mars 2013

Falimentimi i Qipros u shmang. Bankat dhe investitorët duhet të përgjigjen. Kjo zgjidhje duhej të ishte gjetur më parë, mendon Bernd Riegert në komentin për DW.

https://p.dw.com/p/183ls

Shteti i Qipros nuk falimentoi, por Qiproja do të humbasë modelin e saj aktual të biznesit dhe do të zhytet në recesion të thellë. Mijëra vende pune në sektorin e fryrë financiar do të shkurtohen. Sektori financiar përbënte deri tani rreth gjysmën e prodhimit ekonomik të ishullit mesdhetar. Kjo i përket së kaluarës. Qeveria qipriote u përpoq gjatë, për t'i shpëtuar të gjitha bankat. Më kot.

Në Qipro vijnë kohë të vështira. Me këtë deklaratë, Olli Rehn, Komisioneri i BE-së për Çështjet Financiare me siguri që ka të drejtë. Në muajt dhe vitet e ardhshëm do të bien të ardhurat tatimore dhe do të rriten shpenzimet për ndihmat sociale. Që tani mund të supozosh se nuk do të jetë i mjaftueshëm programi i ndihmës prej dhjetë miliardë dollarësh. Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbeti çuditërisht e paqartë me deklaratën e saj, se borxhi i Qipros në vitin 2020 ndoshta do të jetë 100 për qind e prodhimit ekonomik. Nëse 800.000 qipriotët janë në gjendje ta mbajnë këtë barrë mbi supe, është e paqartë. Frika është se tani investitorët e huaj, rusët dhe grekët, do ta braktisin shpejt ishullin me paratë e tyre. Qipro mund të bëhet një nevojtare e përhershme në Bashkim Evropian.

Besimi i humbur

Shpëtimi i Qipros, siç u vendos gjatë natës (25.03.2013), paraqet një hap të rëndësishëm në luftimin e krizës së euros. Për herë të parë klientët e bankave shpronësohen me detyrim, për të shpëtuar bankat. Kush ka depozituar në Bankën Laiki më shumë se 100 000 euro, do të humbasë një pjesë të madhe të parave. Banka e dytë më e madhe në ishull do të shpërbëhet. Ky sinjal do të thotë për klientët e bankave në Evropë: Paratë tuaja nuk janë askund vërtetë të sigurta, sepse në qoftë se shteti është në rrezik për të falimentuar, ai ndërhyn. Sinjali për bankat është: institucionet, që kanë përfituar para në kazinonë e tregut financiar, nuk do të shpëtohen me çdo kusht, siç ka ndodhi në rastin e Greqisë, Irlandës dhe Spanjës.

Por ka një kufizim: Banka Laiki i përkiste kryesisht shtetit. Kështu që këtu shteti i Qipros humbet para, të cilat i kthehen atij si kredi përmes paketës së ndihmës nga shtetet e tjera të zonë së euros dhe FMN-ja. Ndër klientët e mëdhenj të bankës Laiki hyjnë edhe shumë fonde pensionesh të ishullit, depozitat e të cilave nuk do të tërhiqen kollaj. Nëse 4,2 miliardët e premtuar do të nxirren me të vërtetë nga shkatërrimi i Bankës Laiki, është e diskutueshme. Banka Qendrore Evropiane i zhvendosi kreditë e saj për bankën Laiki në vlerë prej nëntë miliardë eurosh te banka e Qipros. Kreditë, që Banka Qendrore Evropiane dhe kështu të gjithë tatimpaguesit e zonës së euros u kanë dhënë bankave të dëmtuara, duhet të shfrytëzohen gjithësesi.

Bernd Riegert, ekspert i DW-së për Bashkimin Evropain
Bernd Riegert, ekspert i DW-së për Bashkimin EvropainFotografi: DW

Largimi do të kishte qenë më mirë për Qipron

Qiproja paguan një çmim të lartë për të qëndruar brenda unionit monetar. Nga ana ekonomike për ishullin e vogël do të ishte ndoshta më e arsyeshme, që të largohej nga unioni dhe të rifillojë me një monedhë të vetën, të zhvleftësuar. 16 vendet e tjera të zonës së euros nuk kanë qenë të gatshme për ta bërë këtë hap. Ata kanë frikë nga humbja e prestigjit të zonës së euros në botë. Askush nuk mund të parashikojë, se çfarë efekti do të kishte dalja e Qipros nga zona e euros. E parë thjesht nga ana ekonomike Qiproja nuk ka ndonjë relevancë për zonën e euros. Nuk ekziston as rreziku i një infektimi, sepse bankat qipriote nuk janë në borxhe jashtë vendit. Filialet greke u ndanë në kohën e duhur.

Që menaxhimi i krizës si për eurozonën, ashtu edhe për qeverinë e Qipros ka qenë një katastrofë, për këtë janë të gjithë të një mendjeje. Ngjarjet dramatike të kohëve të fundit mund të ishin kursyer. Ato e kanë dëmtuar shumë besimin si brenda, ashtu edhe jashtë zonës së euros. Bankat qipriote nuk mund të shpëtoheshin në formën e tyre të vjetër. Kjo është e qartë që nga qershori 2012, kur Qiproja kërkoi zyrtarisht ndihmë për shkak të humbjeve pas shpëtimit të Greqisë. Qeveria e Qipros i ka zvarritur me neglizhencë negociatat dhe eurozona e ka lejuar një gjë të tillë. Vetëm kërcënimi i fundit i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për t'ia mbyllur Qipros rubinetin e parave, shkaktoi tronditjen shëruese. Kjo tregon se BQE-ja është sundimtarja e vërtetë e ngjarjeve dhe jo ministrat e financave. Ky nuk është një zhvillim i mirë. Sepse kush e kontrollon BQE-në?

Parlamentet në Gjermani, Holandë dhe Finlandë duhet ta miratojnë edhe një herë formalisht marrëveshjen për Qipron. Kjo ndoshta edhe do të ndodhë. Parlamenti në Qipro as që pyetet më. Kjo do t'i çudisë disa parlamentarë dhe do ta rrisë edhe një herë zemërimin e qipriotëve ndaj Evropës. Por ata nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Rusia, kur situata u bë serioze, i ktheu shpinën Qipros. Tani Qiproja, ose duhet t'i plotësojë kërkesat, ose duhet të largohet nga zona e euros.