1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Löw publikoi listën e futbollistëve për Kampionatin Botëror

Bahri Cani*
12 Qershor 2018

Disa befasira në ekipin e kombëtares gjermane për Kampionatin Botëror të futbollit, që mbahet në Rusi nga 14 qershor - 15 korrik. Mario Götze nuk ftohet fare në grumbullim.

https://p.dw.com/p/2xkQz
Deutschland Fussball WM - Bekanntgabe vorläufiger WM-Kader
Fotografi: Reuters/L. Kuegeler

Trajneri i kombëtares gjermane Joachim Löw ka vendosur që në Kombëtaren gjermane të Futbollit të mos e ftojë fare heroin e finales së kampionatit të kaluar të futbollit në Brazil, Mario Götze. Ishte Götze i cili shënoi golin vendimtar kundër Argjentinës dhe i solli Gjermanisë  titullin e kampionit të botës.

Një dëshpërim tjetër ka marrë edhe lojtari me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, i cili nuk është ftuar në ekip, si edhe lojatarët e tjerë që kanë fituar para katër vitesh titullin e kampionit: Benedikt Höwedes, Andre Schürrle dhe Christoph Kramer.

Mario Götze - jo në Kombëtaren gjermane për Kampionatin Botëror
Mario Götze - jo në Kombëtaren gjermane për Kampionatin BotërorFotografi: Imago/Contrast

Në vend të Shkodran Mustafit në ekip është ftuar lojtari i ri i Bajer Leverkusen, Jonathan Tah, i cili do të jetë si një lloj "mbështetjeje" për lojtarët tjerë të mbrojtjes.

Befasia më e madhe është emërimi i debutantit nga Freiburgu, qendërsulmuesit Nils Petersen.  Löw ka ftuar edhe portjerin dhe kapitenin e Kombëtares, Manuel Neuer. Ai për disa muaj me radhë ka qenë i dëmtuar dhe nuk ka asnjë paraqitje këtë vit. Neuer është ftuar në grumbullimin e parë.

Një shans tjetër në kombëtare i jepet edhe Marco Reus-it, i cili shumë shpesh në prag të evenimenteve të mëdha, ka pësuar lëndime.

Në debat shumë i madh ditët e fundit është hapur pas fotografive të lojtarëve me origjinë turke Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në këto fotografi ata të dy shihen duke i dhuruar Erdoganit fanellat e kombëtares me nënshkrimet e tyre. Gündgogan shkruan: "Me respekt të thellë për presidentin tim...", gjë që në Gjermani nuk është pritur mirë.

Shkodran Mustafi (mes) - jo në Kombëtaren gjermane për Kampionatin Botëror
Shkodran Mustafi (mes) - jo në Kombëtaren gjermane për Kampionatin BotërorFotografi: Picture-Alliance/AP Photo/L. Bruno

Lojtarët e ftuar 

Në grumbullimin e parë janë ftuar 28 lojtarë, të cilët do të shkojnë në stërvitje në Tirolin Jugor, me 23 maj.

Portjerët: Manuel Neuer (Bayern München), Marc-Andre ter Stegen (FC Barcelona), Bernd Leno (Bayer Leverkusen), Kevin Trapp (Paris St. Germain).

Mbrojtja: Jerome Boateng (Bayern München), Matthias Ginter (Borussia Mönchengladbach), Jonas Hector (1. FC Köln), Mats Hummels (Bayern München), Joshua Kimmich (Bayern München), Marvin Plattenhardt (Hertha BSC), Antonio Rüdiger (FC Chelsea), Niklas Süle (Bayern München), Jonathan Tah (Bayer Leverkusen).

Mesfushorët dhe sulmi: Julian Brandt (Bayer Leverkusen), Julian Draxler (Paris St. Germain), Mario Gomez (VfB Stuttgart), Ilkay Gündogan (Manchester City), Leon Goretzka (Schalke 04), Sami Khedira (Juventus Turin), Toni Kroos (Real Madrid), Thomas Müller (Bayern München), Mesut Özil (FC Arsenal), Nils Petersen (SC Freiburg), Marco Reus (Borussia Dortmund), Sebastian Rudy (Bayern München), Leroy Sane (Manchester City), Timo Werner (RB Leipzig).

Gjashtë prej këtyre lojtarëve në fund do të dalin nga lista, sepse në Kampionatin Botëror mund të marrin pjesë vetëm 23 lojtarë.

Janë parashikuar edhe dy ndeshje miqësore, kundër Austrisë në Klagenfurt (2 qershor) dhe Arabisë Saudite në Leverkusen (8 qershor). Ndërsa ndeshjen e parë në Kampionatin Botëror Kombëtarja gjermane e luan kundër Meksikës, më 17 qershor. Në grup me Gjermaninë janë edhe Suedia dhe Koreja e Jugut.