1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: është fjala për të ardhmen e BE

Alexander Andreev3 Janar 2014

Në debatin për shërbimet sociale për migrantët nga Bullgaria dhe Rumania ka një gabim në konceptim, mendon Alexander Andreev: niveli i tregut të punës dhe shërbimet sociale duhet të ndahen qartë nga njëri-tjetri.

https://p.dw.com/p/1AkWH

"Po vijnë hunët!" Këtë thirrje për betejë nuk e dëgjon tani vetëm në mediet britanike, por edhe në tryezat gjermane në lokale, dhe madje - të zbutur për ta bërë të pranueshme për politikën korrekte gjermane - edhe në dokumentet partiale të Bashkimit Kristian-Social (CSU) dhe të Alternativës për Gjermaninë (AfD). Aktualisht ne po përjetojmë përpjekjen që gjykime partiake dhe të politikës ndaj Evropës të reduktohen në një aspekt të vetëm- në rrezikun se vërshimi që gjoja pritet nga bullgarët dhe rumunët do të rëndojë sistemet sociale. Por realiteti është shumë më kompleks: në radhë të parë bëhet fjalë për qytetarë nga dy shtete të ndryshme të BE. Së dyti ky grup nuk është homogjen: disa vijnë me dëshirën e sinqertë për të gjetur punë, të tjerë e kanë me të vërtetë mendjen që të përfitojnë nga subvencionet shtetërore për fëmijët dhe për të papunët. Dhe një pjesë e këtyre njerëzve janë romë, në Rumani dhe në Bullgari jetojnë një milion romë, shumica e të cilëve janë shumë të varfër dhe që trajtohen shumë keq nga shumica e popullatës. Së treti, migrantët kanë kualifikime të ndryshme: midis tyre ka si mjekë dhe inxhinierë, ashtu edhe njerëz, që thuajse nuk dinë shkrim e këndim. Dhe së katërti, nuk ka prognoza të besueshme - as për numrin e këtyre migrantëve, as për përparësitë, apo barrën, që do të bjerë mbi tregun e punës dhe mbi sistemet sociale.

Vlerat bazë të BE dhe e drejta kombëtare

"Treg i punës" dhe "sisteme sociale" janë dy konceptet bazë, rreth të cilave sillet i gjithë debati. Këto nivele duhet ndarë qartë nga njëri-tjetri. E drejta për punësim kudo, ku dëshiron, është një e drejtë bazë e komunitetit, e cila nuk lejohet të tronditet. Por sistemet sociale bëjnë pjesë në fushën e detyrave të ligjeve kombëtare dhe këtu ka me të vërtetë mundësi të ndryshme organizimi. Kjo do të thotë, që si Britania e Madhe, ashtu edhe Gjermania, ose vende të tjera të BE mund të fusin patjetër kufizime, por që ndoshta duhet të verifikohen nga gjykatat përkatëse kushtetuese dhe nga Gjykata Evropiane.

Po edhe në një rast të tillë këto kufizime do të ishin një sinjal i gabuar. Sepse edhe në një debat të tillë - njësoj si në diskutimin për shpëtimin e bankave - nuk bëhet fjalë për asgjë më pak se për të ardhmen e BE. Solidariteti si vlerë bazë e BE kërkohet më fort në temën e migrimit se sa për shpëtimin e bankave, sepse këtu nuk bëhet fjalë për institute të falimentuara parash, por për miliona qytetarë të BE. Dhe pikërisht, meqenëse debati në fakt bëhet për të ardhmen e BE, nuk nevojiten kompromise të kalbura në nivel nacional, por një debat i vërtetë për temën: a kemi ne nevojë për më shumë, apo për më pak Evropë.

Evropa dhe migrantët

Qeveria britanike, por edhe parti të ndryshme antievropiane në vendet anëtare të BE, po përgatiten për zgjedhjet evropiane në maj, duke ushqyer në kohë krize veçanërisht frikërat e qytetarëve për dominim të elementëve të huaj. Edhe CSU dhe partia Aleanca për Gjermaninë, AfD në Gjermani i përmbahen kësaj strategjie. Përsa u përket partive të themeluara prej kohësh: në përpjekjet e tyre në këtë drejtim qëndron edhe përpjekja, që skaji konservator i djathtë i shoqërisë të mos u lihet partive të reja si AfD. Prandaj mbështetësit e tezës për "më shumë Evropë" duhet të pozicionohen qartë - dhe me këtë të ecin edhe drejt zgjedhjeve të BE. Ky është një rast i mirë për t'i hapur letrat mbi tryezë. Në fund, megjithë ankthin aktual, migrantët nga Bullgaria dhe Rumania mund të kontribuojnë për bashkimin e Evropës.