1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Adalet - Opozita e re në Turqi

Daniel Heinrich
12 Korrik 2017

"Marshimi i drejtësisë" për në Stamboll mund të jetë një fillim i ri për opozitën turke. Kjo i dedikohet para së gjithash një burri, mendon Daniel Heinrich.

https://p.dw.com/p/2gMR0
Türkei Protestmarsch CHP Adalet in Istanbul | Kemal Kilicdaroglu
Fotografi: Reuters/U. Bektas

E pikërisht Kemal Kilicdaroglu. Pikërisht ai, 68 vjeçari me sharmën dhe stilin e veshjes të një punonjësi në pension të administratës arriti diçka, të cilën mund ta kishin besuar vetëm mendjet më optimiste të opozitës turke.

Sa e përqeshnin deri pak javë më parë drejtuesin e CHP, të partisë më të madhe opozitare në Turqi. "Nëse nuk bëhet ndryshe, vetëm"- këto ishin fjalët e tij atëherë - ai do të marrë rrugën për të dhënë një sinjal kundër dënimit të shokut të partisë së tij, Enis Berberoglu.

Për tri javë në këmbë për në Stamboll

"Adalet", "Drejtësi" e pagëzoi Kilicdaroglu marshimin e tij. Që nga kryeqyteti Ankara, për tri javë me radhë ai eci në këmbë rreth 450 kilometra, herë-herë në vapën përvëluese të Anadollit në drejtim të Perëndimit në Stamboll. Marshimi në metropol, manifestimi përfundimtar para qindra mijëra ithtarëve entuziastë direkt në Bosfor - u kthye në deklarim impresionues pro vlerave laike të Republikës Turke dhe të themeluesit të saj, Kemal Atatürk.

Kilicdaroglu, si zakonisht me këmishë të bardhë me mëngë të shkurtra dhe me pantallona pambuku, si njeriu i momentit, i brohoritur prej disave që tani si "Ghandi" i Turqisë, premtoi nga tribuna: "Të gjitha praktikat antidemokratike në Turqi" duhet të marrin fund.

Daniel Heinrich
Daniel Heinrich

Kjo fjali të gëzon, sepse CHP kemaliste ka vetë pjesë në pakësimin e vlerave demokratike në Turqi. Edhe me votat e CHP e vendosi Parlamenti turk vitin e kaluar heqjen e imunitetit të disa deputetëve, shumë parlamentarë përfunduan pas kësaj në burg.

Vetëm një opozitë e bashkuar ka një shans

Kilicdaroglu hoqi dorë vendosshmërisht në marshimin e drejtësisë nga simbolika partiake. Ky ishte veprim i zgjuar. Kjo është e nevojshme. Nëse ai do t'u afrohet synimeve të tij, ai ka nevojë për mbështetjen e dy partive të tjera opozitare në parlament. Një opozitë e tillë e bashkuar e kemalistëve të CHP, e kurdëve të HDP dhe e ultranacionalistëve të MHP do të ishte një risi në historinë njëqindvjeçare të Turqisë.

Kohë të vështira ndodhen para Kilicdaroglu-së dhe mbështetësve të tij. Marshi i tij i drejtësisë ka qenë "vetëm fillimi" - tha Kilicdaroglu në fund të marshit të protestës në Stamboll. Pikërisht kjo ishte. Një fillim. Një fillim impresionues i një lëvizjeje, e cila mund ta rigjallërojë opozitën e shtypur në Turqi dhe që mund t'i japë impuls të ri instrumenteve të kontrollit demokratik. Dhe pikërisht ai, pikërisht administratori gri i politikës, Kemal Kilicdaroglu, do të mbahej mend si personi që e vuri gurin në lëvizje.