1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: AfD është përgjigje për Merkelin

Christoph Hasselbach8 Shtator 2016

Forcimi i "Alternativës për Gjermaninë" (AfD) në thelb nuk duhet të na çudisë. Dhe nëse askush tjetër nuk distancohet nga politika ndaj refugjatëve e Angela Merkelit, kjo parti do të forcohet edhe më shumë.

https://p.dw.com/p/1JxEL
Symbolbild AFD
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Wagner

Kur të pakësohet numri i refugjatëve, do të pakësohet edhe mbështetja për AfD, tha Kancelarja Federale Merkel në mars, pak para tri zgjedhjeve për landet. Në të tria zgjedhjet, mbështetja për AfD u rrit në mënyrë të konsiderueshme, në landin e Saksoni-Anhaltit ajo avancoi në partinë e dytë. Ndërkohë shifrat e ardhjes së refugjatëve kanë rënë me të vërtetë. Por AfD pa e zgjatur u bë tani edhe në landin e Meklenburg-Forpomeranisë partia e dytë - edhe para CDU-së.

E vetmja gjë që të çudit është që disa njerëz habiten për këtë. Me sa duket Merkeli dhe shumë politikanë të tjerë drejtues nuk e kanë dëgjuar se çfarë po ndodh që prej një viti psikologjikisht në shoqërinë gjermane. Me sa duket ata duhet t'i kujtosh edhe njëherë për këtë: Kancelarja Federale, qeveria federale hoqën me ndërgjegje për muaj të tërë dorë nga kontrolli i shtetit për imigrimin, megjithëse asnjë ligj nuk i detyroi ta bëjnë këtë.

Kurrë nuk i pyetën gjermanët

Me këtë Merkeli monopolizoi një komb të tërë për një eksperiment, i cili ende vazhdon dhe pasojat e të cilit do ta ndryshojnë për breza të tërë shoqërinë - dhe në bazë të atyre që dihen deri tani, më tepër negativisht.

Kurrë nuk e pyetën popullin, nëse e do një gjë të tillë: a është i gatshëm për sakrificat e nevojshme financiare dhe nëse dëshiron t'i durojë tensionet e pashmangshme kulturore. Kjo thjesht u mor si e qenë. Dhe atij që për shkak të kulturës së mikpritjes nuk e ndien më veten në shtëpinë e tij, i thuhet që kjo ndjesi e të ndjerit i huaj është krejtësisht pa vend.

Referendume të mëvonshme

Si politikën e kufijve të hapur, ashtu edhe mënyrën si u vunë gjermanët para fakteve të kryera, shumë njerëz e panë si prepotencë dhe si gabim gjigand. Por shumë megjithatë heshtën, sepse nuk donin të konsideroheshin të djathtë. Por çdo zgjedhje që bëhet që atëherë është një rast që njerëzit të protestojnë.

Merkeli tha sërish para pak kohësh: "AfD nuk ofron zgjidhje të përshtatshme për problemet". Kjo mund të jetë e vërtetë - por pa politikën e refugjatëve të Merkelit ne nuk do t'i kishim fare disa probleme, të paktën jo në këto përmasa.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App

Një sondazh në pranverë tregoi se madje shumë zgjedhës të AfD-së nuk dëshirojnë fare që kjo parti të vijë në pushtet. Por ata janë të gëzuar që AfD-ja ekziston, sepse ajo - pa marrë parasysh CSU-në bavareze - është e vetmja që flet hapur për problemet.

Ashtu si Meklenburg-Forpomerania tani çdo zgjedhje për landet kthehet në një referendum të vonuar për politikën e migrimit. Por referendumi i madh do të jetë pas një viti, me zgjedhjet për në Bundestag.

A do të kandidojë edhe njëherë Merkeli?

Nëse AfD-ja do të mbetet atëherë e vetmja parti për t'u marrë seriozisht, e cila e kundërshton krejtësisht politikën e tanishme për refugjatët, ajo duhet ta ketë të sigurtë mbështetjen e madhe te zgjedhësit. Por diçka po ndodh. Shefi i SPD-së, Sigmar Gabriel ka nisur të distancohet nga Merkeli dhe ta kthejë pallton nga fryn era.

Interesante do të jetë para së gjithash, nëse partitë unioniste do ta dërgojnë Angela Merkelin sërish në garë si kandidate për Kancelare. Sepse kritikët e saj në CDU dhe CSU e dinë: Merkeli nuk do të ndryshojë me themel. Ajo do të bëjë gjithçka për t'i pakësuar pasojat e politikës së saj të refugjatëve, por do t'u përmbahet kufijve të hapur dhe do të refuzojë çdo kufizim me shifra. Për këtë ajo është e gatshme që të pranojë humbje në vota. Sepse për një gjë nuk mund ta akuzosh Merkelin: për dobësi karakteri.