1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amerika përçan Perëndimin, Rusia përçan Evropën

Bernd Riegert10 Shkurt 2015

BE vështron drejt takimit të nivelit të lartë në Minsk. Nëse atje nuk do të ketë kompromis për konfliktin e Ukrainës nuk përjashtohet të humbasë edhe fuqia më e madhe e Perëndimit - uniteti i tij, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1EYps
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Një sërë shtetesh kryesisht evropianolindore janë të gatshme të ndjekin rrugën që po përvijohet nga SHBA: ato e përfytyrojnë që ta pajisin ushtrinë ukrainase me armë moderne, në mënyrë që ajo të mbrohet kundër kryengritësve dhe mercenarëve të pajisur nga Rusia. Ende shumica e shteteve të BE është kundër dërgimit të armëve dhe ndjek modelin gjerman, sipas të cilit, armë shtesë vetëm mund ta përkeqësojnë luftën.

Një nga të paktat anë të forta, që Perëndimi mund të tregojë kundër Presidentit Putin, i cili vepron në mënyrë perandorake, është uniteti në politikën e Ukrainës. Por SHBA ndodhen në rrugë e sipër për ta rrezikuar këtë unitet, po të arrijnë të bindin qoftë edhe vetëm një pjesë të evropianëve që ta mbështesin dërgimin e armëve dhe veprimet më të ashpra ndaj Moskës.

Furnizimet me armë vënë në lëvizje spiralen e shkallëzimit të dhunës

Nëse takimi ndërmjetësues i nivelit të lartë në Minsk të mërkurën dështon dhe po të vendosin SHBA që t'i dërgojnë armë Kievit, Moska mund të konstatonte e kënaqur se fronti diplomatik perëndimor po lëkundet. Veç kësaj, Kremlini do të kishte një pretekst të mirëpritur për të ndërhyrë edhe ushtarakisht në luftën në Ukrainën Lindore dhe për t'i pajisur kryengritësit edhe më fort me armë. Një shkallëzim tjetër i situatës ndoshta nuk do të shmangej dot më. Punët do të ecnin drejt një lufte me prokurë, e cila do të zhvillohej në kurriz të Ukrainës.

Ai që dërgon armë, duhet ta ketë të qartë se shumicën e herëve dërgon edhe këshilltarë dhe ekipe mediatike, në mënyrë që armët të përdoren me efekt. Në fund, kjo mund të marrë pamjen që në Lindje të Ukrainës të ndodhen trupa tokësore nga Perëndimi dhe Lindja përballë njëra-tjetrës. Këtë nuk mund ta dojë askush në Evropë dhe në fakt askush në SHBA.

Armë thjesht defensive nuk ka. Rusia do t'i përgjigjej dërgimit të armëve nga shtete anëtare të NATO-s pa dyshim me armatim të mëtejshëm. Po pastaj? Jo, BE duhet t'i përmbahet qendrimit refuzues ndaj çdo lloj shkallëzimi. Ndoshta Lindja e Ukrainës nuk mund të mbahet më në Ukrainën e sotme, por vetëm në një federatë. Ky mund të ishte përfundimi i takimit të nivelit të lartë të Minskut. Presidenti i Rusisë do të kishte fituar përgjysmë. Kjo do të ishte e dhimbshme - po cila do të ishte alternativa? Edhe më shumë luftë, edhe më shumë të vrarë? Rreziku i një lufte të zgjeruar mes Rusisë dhe Perëndimit?

Të pengohet me armë ndarja e Evropës?

Rusia e prishi me ndërgjegje rendin e deritashëm të Evropës. BE dhe SHBA u duhet të shohin se mund të mbrohen kundër kësaj vetëm në mënyrë të pamjaftueshme, po të mos duan t'u futen rreziqeve të paparashikueshme. Vija e kuqe mbetet kufiri i jashtëm i NATO-s. Rusisa nuk duhet lejuar ta shkelë këtë kufi. Përndryshe vlen: Ukraina (Lindore), Gjeorgjia, Moldavia kanë rënë në sferën e ndikimit të Moskës. Perëndimi mund dhe duhet t'i mbrojë ato jo me armë, por më e shumta me fjalë. Ndarja e re e Evropës është në prag të derës.