1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: BE duhet të lëshojë pe

Bernd Riegert7 Mars 2014

Evropa veproi si një organizëm unik në krizën e Krimesë. Por a do të mjaftojnë sanksionet e buta për të ndikuar mbi Kremlinin zyrtar apo është më mirë që të hiqet dorë nga kërcënimet?

https://p.dw.com/p/1BLeQ
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Për Bashkimin Evropian ky është një sukses, sepse u paraqit unik në samitin për krizën në Ukrainë. Disa kryeministra të vendeve të Evropës së mesme dhe lindore, të cilat kufizohen me Ukrainën dhe dikur kanë qenë satelitë të Bashkimit Sovjetik, kanë kërkuar qëndrime më të ashpra ndaj Rusisë. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord me masat, por nuk janë tepër të kënaqura. Është gjetur një zgjidhje e mesme, e cila diplomacisë ende i jep një hapësirë të madhe veprimi dhe kështu duhet të jetë.

BE po përpiqet ta detyrojë Rusinë të tërheqë forcat nga Ukraina por pa konflikte ushtarake. Kjo mund të realizohet vetëm nëse BE dhe SHBA veprojnë së bashku. Këtu ka dyshime, sepse Presidenti amerikan Obama ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Evropa ende po mendon.

Disa sanksione nuk japin efekt

BE-ja e ka kaluar shkallën e parë të shkallëzimit. Por kam frikë se nuk do të mjaftojnë në mënyrë që Rusia dhe Presidenti Putin të heqin dorë nga qëllimet. Putini ende ka mundësi të shumta. Gjatë samitit të BE u bë e ditur se Parlamenti i Rusisë do të lehtësojë bashkangjitjen me Rusinë të territoreve të shkëputura nga ndonjë vend tjetër. Ndaj shumë shpejt duhet të merret vendimi për sanksione të cilat do ta qëllonin Presidentin Putin atje ku i dhemb: në portofol. Përderisa BE nuk foli për masat konkrete, SHBA-ja ka bërë të qartë se në ç'drejtim duhet shkuar. BE-ja do të shqyrtojë mundësitë për furnizim me gaz prej burimeve të tjera, në mënyrë që të mos varet nga eksporti rus.

BE-ja shpreson se Rusia do të pajtohet me krijimin e një grupi të kontaktit për negociata dhe zgjidhje diplomatike të krizës. Kjo do të jetë shumë e vështirë, sepse Rusia nuk e njeh qeverinë e re të Ukrainës. Kjo nuk është e mundur edhe për shkak të qëndrimeve absurde ruse, të cilat thonë se nuk kanë dërguar trupa në Krime. Vladimir Putini do të testojë edhe një kohë vendosmërinë dhe besueshmërinë e fjalëve të Perëndimit. Pas referendumit në Krime, në mes të marsit, Kremlini mbase do të pajtohet me "dëshirën" e qeverisë në Krime dhe do ta marrë këtë zonë nën mbrojtjen e tij. Kam frikë se Ukraina tanimë e ka humbur Krimenë. Tani duhet bërë përpjekje që të evitohet ndarja e vendit në pjesën perëndimore proevropiane dhe pjesën lindore proruse. Konflikti i Krimesë do të mbetet i pazgjidhur për vite të tëra. Konflikte të tilla ka edhe në Qipro, në Kosovë, Abhazi apo Oseti. Por rrethanat janë të ndryshme, sepse diplomatët kanë arritur që disa prej këtyre konflikteve t'i ngrijnë në atë masë, sa që ato të jenë të menaxhueshme.

Rruga më e mirë

Redaktori i Deutsche Welle-s, Bernd Riegert
Redaktori i Deutsche Welle-s, Bernd Riegert

Situata në Krime mund të ndryshojë vetëm nëse vendet perëndimore ndërhyjnë me forca të mëdha ushtarake. Por askush nuk do të rrezikojë një konflikt me një fuqi atomike. Vladimir Putini e di këtë, ndaj edhe ishte mjaft i qetë ndaj vendimeve të samitit të BE.

Unë e kam përjetuar Luftën e Ftohtë. Mendimi në blloqe përcaktonte rrjedhat në botë. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, popujt e Evropës kanë shpresuar se Lufta e Ftohtë ka kaluar përgjithmonë. Por më shqetëson fakti që ne shumë shpejt po kthehemi në kohën e retorikës së dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Nuk bëhet fjalë më për Krimenë, por për një krizë evropiane, ndoshta më të thellën prej dekadash. Konfrontimet e saj mund të kenë pasoja globale, sepse Rusia, SHBA dhe BE duhet të bashkëpunojnë edhe për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve në Iran, Siri dhe Korenë e Veriut.

A thua është e mundur që ora historike të kthehet 25 vjet prapa? Jo, evropianët duhet të heqin dorë nga disa parime dhe duhet ta ushqejnë egon e Putinit, duke e ftuar atë në një super-samit në nivelin më të lartë, për të zgjidhur krizën e Krimesë dhe për të biseduar ardhmërinë e Ukrainës. Të lëshosh pe është ndonjëherë më mirë, pë të evituar pasoja edhe më të rënda.