1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Elefanti në dyqanin e porcelanëve

26 Maj 2017

Aleanca perëndimore e mbrojtjes, NATO duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, kërkon Donald Trump. Ndërsa Bernd Riegert mendon, se Trump jeton në botën e vet, por realiteti është ndryshe.

https://p.dw.com/p/2daVd
Belgien Trump und Stoltenberg
Fotografi: Reuters/C. Hartmann

Në samitin e NATO-s, presidenti amerikan, Donald Trump u paraqit si i pakultivuar. Ai shtyu mënjanë kreun e shtetit të Malit të Zi për të dalë në radhë të parë. Fjalimin e tij të shkurtër ceremonial, ai e përdori për sulme disaminutëshe ndaj aleatëve. Trump kërkoi para imagjinare nga shtetet e NATO-s, para që nuk i takojnë. Ai provokoi, vulgarizoi. Mjaft nga krerët e shteteve dhe qeverive u shokuan. Madje as delegacioni amerikan i NATO-s nuk e kishte pritur, që Trump do ta ndiqte sërish kursin kokë më vete të tipit Trump - "Amerika first! Trump first!

Shqetësuese është që presidenti Trump, si të gjithë paraardhësit e tij, hoqi dorë nga shprehja e qartë e solidaritetit dhe mbështetja në rast nevoje për mbrojtje. E quan ai vërtet NATO-n për të tejkaluar? Dyshimet për këtë mbeten. A mund të mbështeten aleatët lindorë tek SHBA, në rast të një sulmi rus? Dyshimet për seriozitetin e SHBA e trondisin me themel strukturën e sigurisë të të gjithë aleancës. Udhëheqja ruse nën Vladimir Putinin do të gëzohej për këtë. Në fund të fundit, Trump me qëndrimet e tij kontribuon në këtë drejtim. Edhe qëndrimi i tij ndaj Rusisë në takimin e NATOs (25.05) mbeti i paqartë.

Në botën e vet

Sigurisht një president amerikan mund të përpiqet të dirigjojë aleancën në drejtimin e dëshiruar. Por kjo bëhet vetëm me propozime të arsyeshme, dhe me argumente. Aleanca nuk është një shou personal e këtë nuk e kupton dot një njeri me karakterin e Donald Trumpit.

Reagimet e NATO-s dhe të kancelares gjermane të provokuar prej tij ishin shumë të përmbajtura. Merkel i mbetet besnike vendimeve të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por publikisht ajo heshti për akuzat e presidentit amerikan. Pas këtij samiti me Trump shtrohet edhe më shumë pyetja se si duhet vepruar me populistin në Shtëpinë e Bardhë? Në nivel profesional NATO e ka gjetur një zgjidhje: thjesht injoroje. Ndërsa në praktikë, NATO vazhdon t'i bëjë realitet vendimet e saj, madje me ndihmën e funksionarëve dhe diplomatëve amerikanë në vend. Presidenti i çuditshëm me qëndrimet skiç jeton me sa duket në botën e vet, por realiteti ka pamje tjetër.

 

 

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE