1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Etapa e parë e Afganistanit drejt shtetit ligjor

Florian Weigand15 Qershor 2014

Afganët dëshmuan vullnetin e tyre për një ndryshim demokratik, mendon Florian Weigand. SHBA nuk duhet të bëjnë me një tërheqje të nxituar të njëjtat gabime si në Irak, mendon Florian Weigand.

https://p.dw.com/p/1CIXT
Fotografi: DW/Aser

"Ballots, not Bullets!" - "vota në vend të plumbave" kanë shkruar me shkronja me ngjyra njerëz të panjohur në një mur shtëpie afgane dhe pranë tyre një pëllumb paqeje. Megjithë rrezikun shumë real për jetën, afganët përsëri u drejtuan tek kutitë e votimit. Pasi në raundin e parë në prill asnjë nga kandidatët për presidentë nuk arriti të merrte shumicën e mjaftueshme, u bë e nevojshme mbajtja e balotazhit. Me votën e tyre afganët mundësojnë për herë të parë në historinë e vendit ndryshim pushteti paqësor, demokratik. Dhe për këtë ata përdorën mjete shprehjeje të kohës moderne - grafiti, në Twitter dhe Facebook. Pa dyshim: cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve Afganistani nuk do të jetë i njëjti me atë të 15 viteve më parë kur qeverisnin talibanët.

Nuk është e lehtë të shmangësh emocionet e këtij momenti historik. A kanë dhënë fryte përpjekjet dhe miliardat e ndihmave financiare të bashkësisë ndërkombëtare për të etabluar demokracinë, pikërisht në Afganistan, të cilin shumëkush e shihte në rrugën drejt një shteti të dështuar?

Vendi këto ditë shkëlqen edhe më shumë pasi lajmet nga shtete të tjera të botës islamike janë shumë të zymta. Siria nuk gjen rrugëdalje nga lufta civile, në Irak forca islamiste po marshojnë drejt Bagdadit dhe në Pakistan talibanët sulmojnë aeroportin e kryeqytetit Karaçi, ndërsa në Egjipt dhe Libi gonxhet e shpresës së pranverës arabe prej kohësh janë tharë përsëri.

Një vështrim më nga afër tregon megjithatë se edhe Afganistani ka një rrugë të gjatë, të vështirë përpara, thuajse gjithnjë në buzë të humnerës. Korrupsioni, ekonomia e dobët dhe strukturat tribale vazhdojnë të jenë pengesa të mëdha drejt një shteti ligjor modern. Të dy kandidatët, ish ministri i Jashtëm Abdullah Abdullah dhe konkurrenti i tij Ashraf Ghani, dikur ministër i Financave, kanë shanse të mira. Tundimi për të të korrigjuar me manipulime një rezultat të ngushtë është për këtë arsye i madh. Por një president që vjen në post me manipulim votash do të ishte negjithatë një kryetar i dobët shteti.

Florian Weigand
Florian WeigandFotografi: DW/P. Henriksen

Dhe situata e sigurisë mbetet e tensionuar: megjithëse nuk pati trazira të rënda u regjistruan megjithatë mbi 150 sulme dhe atentate të vogla gjatë zgjedhjeve. Fakti që aksionet e talibanëve ishin shumë më pak nga sa druhej nuk duhet interpretuar si dobësi e tyre. Sigurish ushtarët dhe policët afganë kanë dhënë maskimumin e tyre. Në vendin fqinj Pakistan me një ushtri shumë efiçente dhe një shërbim sekret me famë, ekstremistët arritën të depërtonin në një aeroport të sigurisë së lartë. Një aksion i ngjashëm në Afganistan, p.sh. në Kabul, do të kishte qenë për "luftëtarët e shenjtë" ndoshta jo më shumë se një manovër nën kushte beteje të ashpra. Kujtdo që të ketë negociuar me islamistët radikalë për të reduktuar dhunën dhe ka blerë me premtime përmbajtjen e tyre, do të duhet t'i përgjigjet atyre në të ardhmen. Ata do të vazhdojnë të jenë një faktor i fuqishëm në Hindukush.

Për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të jetë aktive. Shembulli i Irakut tregon qartë se një tërheqje e nxituar vërtet ka sjellë pikë plus në politikën e brendshme, por në aspektin gjeopolitik mund të sjellë një katastrofë. Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet ta peshojnë edhe një herë vendimin për t'u larguar nga Afganistani që në fundit të 2016-s.