1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Gjermanët e pasigurtë

31 Janar 2016

Refugjatët janë tema e vetme sunduese në Gjermani. Aktualisht shoqëria gjermane ndodhet para një sprove të vështirë, një sprovë si kurrë më parë ndonjëherë, mendon kryeredaktori i Deutsche Welles, Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1HmFT
Deutschland PK Angela Merkel
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Gjermanët janë - me gjasë - romantikë. Por e sigurtë është që ata janë të pasigurtë. Pa ditur si të veprojnë. Të pasigurtë si duhet të veprojnë me një milion refugjatë në vend. Në fillim ata ndihmuan në mënyrë të jashtëzakonshme, tani ka ardhur faza e zemërimit dhe refuzimit. Diskutimi politik e shoqëror është i mbushur me urrejtje herë pas here, por shumë rrallë i bazuar në fakte. Ndërsa për pyetjen themelore se si duhet të pranohen, si duhet të marrin kujdesin e duhur dhe si duhet të integrohen në plan afatgjatë refugjatët as nuk bëhet ndonjë përpjekje për të gjetur përgjigje. Kush është pro refugjatëve shihet si një idiot apo ëndërrimtar. Kush është kundër tyre vuloset shpejt me damkën e radikalit të djathtë apo nazistit. Diskursi politik në vend ka dalë nga binarët. Më keq akoma: Gati çdo ditë regjistrohen sulme kundër qendra të pranimit të refugjatëve - më shumë se 1.000 ndërkohë. Një shifër tmerruese.

Nata e Vitit të Ri ndryshoi situatën

Për refugjatët mezi flet ndokush,- që kur një hordhi kryesisht me afrikanoveriorë - në Këln, në Natën e Vitit të Ri vodhën apo ngacmuan rëndë seksualisht femrat në Köln, në një rast madje edhe përdhunuan. Policia ka dështuar në mënyrë tronditëse, sepse ajo nuk arriti dot të mbronte dinjitetin e femrave. Ata nuk mbrojtën dot as Katedralen e Kölnit, që për orë të tëra iu ekspozua fishekzjarreve dhe raketave ndriçuese. Respekti para një prej shtëpive më të bukura të Zotit në Europë - dhe për shkak se brenda mbahej një meshë - nuk i zbrapsi ata. Respekt dhe nderim të thellë që realisht njeriu e pret nga çdo refugjat në botë. Kjo ngjarje e shkatërroi besimin e gjermanëve - tek vetja dhe refugjatët.

Kudascheff Alexander Kommentarbild App
Kryeredaktori i Deutsche Welle-s, Alexander Kudascheff

Që nga kjo kohë është rritur në mënyrë dramatike kritika ndaj kancelares gjermane. Ajo hapi kufijtë me një arsyetim human në momentin kur situata e refugjatëve në Hungari u bë kritike - e mbështetur edhe nga shumica e gjermanëve. Për atë që do vinte më pas, dukej se ajo nuk kishte ndonjë koncept. Fluksi i refugjatëve nuk u ndërpre - dhe Merkeli përsëriste moton e saj: Të sigurojmë dhe mbrojmë kufijtë e jashtëm të BE-së, të shpërndajmë refugjatët në të gjithë BE-në, të mbrojmë Shengenin - pra kufijtë e hapur, të luftojmë shkaqet e braktisjes së vendit, të kooperojmë me Turqinë. Thënë përmbledhtazi: Të gjendet një zgjidhje europiane, racionale dhe morale. Problemi qëndron se kjo zgjidhje nuk ekziston. Kështu përkrahja për Merkelin po zbehet dita-ditës në Gjermani dhe në partinë e saj, si bora në pranverë. Angela Merkel ndodhet e vetme në skenën politike - dhe e braktisur. Pra një kryetare qeverie mund të ngjitet në stadin e një figure historike - dhe prapë mund të rrëzohet.

Askush nuk e di si duhet vepruar në të ardhmen

Kjo sjell me vete dy pasoja të pakëndshme politike: Europa është më shumë se kurrë e përçarë, e në të njëjtën kohë më shumë se kurrë e bashkuar kundër Merkelit dhe Gjermanisë. Edhe në Gjermani një fuqi e djathtë e ultra e djathtë në periferinë e saj po kthehet në një faktor politik. Ndoshta kjo mund të ndryshojë, kur kriza të jetë fashitur. Por aftësia duruese e BE, uniteti i tij i brendshëm ka mbërritur në cakun e thyerjes - fundi i pasigurtë. Kështu disa pyesin: Ka qenë Bashkimi Europian një ide vetëm për kohë të mira? Sidoqoftë gjithkund po triumfon egoizmi nacional apo gatishmëria për veprime të veçuara kombëtare.

Ky është një çmim i lartë për gjestin human të Merkelit. Dhe ai do të rritet edhe më shumë, po qe se ideja e një integrimi të shpejtë do të provohet në fund se ishte thjesht iluzion. Në rast se krijohen shoqëri paralele. Në rast se përplasja e kulturave - në këtë rast me islamin, me traditat e botës islame - do të jetë më e ashpër seç duam ne. Këtë e parandjejnë dhe i tremben shumë gjermanë. Kjo i nervozon gjermanët, kjo e bën diskutimin politik të ashpër dhe agresiv. Kjo i bën ata të pasigurtë, sepse po u ikën duarsh aftësia për një analizë racionale, dhe të ftohtë dhe për veprim të kthjellët. Siç thamë: gjermanët janë romantikë.