1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Gjermania mund t'ia dalë!

Kay-Alexander Scholz9 Shtator 2015

Ishte në radhë të parë vendimi i Angela Merkel: kufijtë në Gjermani janë të hapur për refugjatët dhe tani s'ka më prapakthehu. Kancelarja tani duhet të vazhdojë të jetë e guximshme, mendon Kay-Alexander Scholz.

https://p.dw.com/p/1GTq9
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Messinis

Ende para pak ditësh mua nuk më zinte gjumi, sepse kisha frikë që Gjermania nuk do t'ia dalë me krizën e refugjatëve. Nga njëra anë më shfaqeshin vetëm buqeta lulesh nëpër stacione treni dhe nga ana tjetër mungesa e veprimit politik. Kultura e mikpritjes është e rëndësishme, për këtë s'ka asnjë dyshim. Por qendrimi ndaj refugjatëve nuk është vetëm një temë emocionale, por edhe politikë e fortë.

Për fat të mirë edhe Angela Merkel e sheh çështjen kështu - dhe ajo tregon guxim për një politikë të tillë: ajo hap kufijtë për refugjatët e madje e detyroi të gjithë kontinentin të merret me mjerimin e njerëzve para portave të Europës. Një kthim pas nuk ka më, më e shumta që mund të ketë, janë kompromiset dhe paratë në vend të kuotave. Ç'veprim i guximshëm!

Merkel i përmbahet linjës së saj

Në debatin parlamentar ajo bëri të qartë, se do ta ruajë këtë guxim. Pra ajo do të shkojë përpara, të jetë me shpirt krijues deri në limit. Kjo forcë drejtuese është e nevosjhme tani. E po ashtu është i nevojshëm edhe një nivel operativ mirëfunksionues, në radhë të parë këto janë landet federale. Zonja me zemër dhe arsye nga Renania Veriore - Vestfalia, kryeministrja (socialdemokrate) e landit, Hannelore Kraft, dhe kryeministri indifernet (kristiansocial) i Bavarisë Horst-Seehofer, po japin tani shembullin e tyre se si mund t'i dilet mbanë. Tani kërkohet fleksibilitet i politikës partiake.

Edhe kjo një arsye për optimizëm: tani Gjermania po çlirohet nga kthetrat e ndrydhjes në kulturën e diskutimit. Deri më tani shumë pak është diskutuar se çfarë vjen në të vërtetë pas ftesës "Mirësevini!", apo çfarë frikërash i preokupojnë qytetarët e zakonshëm bio-gjerman. Qytetarët duhet të involvohen në proces, kërkoi kryetarja e partisë kristiansociale në landin e Bavarisë Gerda Hasselfeldt në Bundestag. Partitë duhet ta kuptojnë realitetin e jetës dhe të mos heshtin. Kriza e refugjatëve kërkon një kulturë të diferencuar diskutimi. Keni të drejtë zonja Hasselfeldt! Nuk duhet të ketë tabu. Ashtu siç thoni ju me të drejtë, ky është ilaçi më i mirë kundër mendësisë radikale të djathtë.

Kay-Alexander Scholz
Fotografi: DW/S. Eichberg

E po aq e drejtë është ajo që tha kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve Kathrin Gëring-Eckhardt: qysh tani duhet diskutuar për çështjen shoqërore-politike, se si do të komportohet Gjermania me përfytyrimet e shumë refugjatëve myslimanë, që "nuk janë përfytyrimet tona". Si mund të përçojmë atë çka përbën ligjin themelor? Eshtë i nevojshëm një diskutim për vlerat dhe ligjet tona, për të drejtuar të tjerët.

Të flitet hapur për gabimet

Edhe apeli i politikanes ekologjiste për një kulturë të hapur ndaj gabimeve është mjaft i çmuar. Gjermania gjatë viteve të shkuara e ka reformuar politikën e azilit. Një ndër problemet kryesore tani është se nuk ka mjaftueshëm nëpunës, që të shqyrtojnë kërkesat për azil. Ky dështim duhet diskutuar hapur - jo për t'iu kundërvënë kundërshtarit politik, por për të gjetur shpejt zgjidhje.

Lehtësues është edhe fakti, se pavarësisht numrit të madh të refugjatëve sistemi politik është jashtëzakonisht i qendrueshëm. Në të tjera shtete të Europës partitë populiste e ngushtojnë hapësirën e veprimit politik në periferi. Kjo nuk ndodh në Gjermani. Partia "Alternativa për Gjermaninë", varianti vendas i populizmit të djathtë, ndërkohë nuk ia ka dalë që t'i japë debatit tonin e saj.

Lëvdata nga bota e jashtme

Ka edhe diçka tjetër: mbështetja nga bota e jashtme. Në shumë komente të gazetave Gjermania lëvdohet për angazhimin dhe guximin e saj. Teksa disa gjermanë zhyten në "frikën tipike gjermane", të tjerë shohin një forcim moral dhe kanë besim tek pretendimi i Merkelit për një rol drejtues.

Sado e vështirë që është situata akatualisht: ka shumë arsye të besosh, që Gjermania mund t'ia dalë! E ndoshta një ditë në retrospektivën historike do të thuhet, kriza e refufgjatëve e ka bërë Gjermaninë një vend më të mirë.

Ju mund të komentoni në fund të këtij artikulli. Ne e mirëpresim mendimin tuaj.