1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: koha për të vepruar në Gjermani

Sabine Kinkartz25 Shtator 2015

670 euro për refugjatët do të verë federata në dispozicion për landet dhe komunat. Kjo është më shumë se ndihmë emergjente, por për integrimin e njerëzve nevojitet më shumë, mendon Sabine Kinkartz.

https://p.dw.com/p/1GddK
Berlin Kanzleramt Flüchtlingsgipfel
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Me orë të tëra zgjaën konsultimet mes federatës dhe landeve gjermane në samitin për refugjatët në Berlin (24.09). Ndonjë venim epokal nuk u arrit, sepse ministri i Financave ka lëvizur vetëm pak në drejtim të kërkesave për plotësimin e gjërave të domosdoshme. Me dy miliardë Euro për këtë vit dhe katër miliardë për vitin e ardhshëm nuk do të mund të sigurohen më shumë se një strehë mbi kokë dhe diçka për të ngrënë. Kjo sepse me këto para duhet të financohen edhe kthimet e atyre që nuk pëfitojnë nga e drejta e azilit.

670 euro për një refugjat në muaj janë vetëm fillimi. Kjo është një ndihmë fillestare në këtë kohë kaotike të krizës, në të cilën qindra mijëra refugjatë kërkojnë strehim në Gjermani. Ata duhet të strehohen dhe furnizohen sa më parë, sepse ditët e ftohta po vijnë. Sipas të dhënave të fundit, tre ditë e netë refugjatët duhet të presin në radhë për të rregulluar shkresat më elementare për regjistrim dhe pranim.

Kommentarfoto Sabine Kinkartz Hauptstadtstudio NEU
Sabine KinkartzFotografi: DW/S. Eichberg

Mësues, psikologë punonjës socialë

Tani janë vënë në dispozicion paratë për të lehtësuar këtë kaos. Por kjo nuk mjafton as për së afërmi. Kërkohen edhe mësues, psikologë, punonjës socialë. Fëmijët duhet të shkojnë në kopështe dhe shkolla, të rriturit duhet të mësojnë gjuhën dhe të kryejnë kurse kualifikimi për punë. Duhet të ndërtohen shumë banesa, më shumë se sa mund të ndërtohen me 500 milionë Euro, sa ka vënë federata fillimisht në dispozicion. Ndërkohë që komunat dhe bashkitë kanë nevojë për më shumë personel që të përkujdesen për refugjatët. Komisioni i BE llogarit se në tre vitet e ardhshme në këtë hapsirë do të ketë rreth pesë milionë refugjatë të tjerë.

Edhe pse ligji i azilit do të ashpërsohet dhe më shumë refugjatë do të largohen, qindra mijëra prej tyre do të mbeten në Gjermani. Ata duhet të integrohen në shoqëri, gjë që kushon shumë. Paratë duhet të vijnë në radhë të parë nga federata, sepse komunat dhe bashkisë kanë probleme shumë të mëdha financiare. Kjo është një detyrë kombëtare që duhet të shpërndahet mbi shumë shpatulla. Ka ardhur koha që ministri i Financave të pranojë se nuk do të mund t'i qëndrojë besnik politikës së tij për një buxhet pa borxhe. Në këtë situatë askush nuk do t'ia zinte për të madhe nëse do të merrte kredi.

Nuk duhet të ketë humbës

Duhet të kujtojmë kohën e para shtatë vitesh. Edhe asokohe kishte një krizë, kriza e bankave. Në fund shteti u detyrua të paguajë qindra miliarda Euro. Natyrisht që ka pasur edhe diskutime dhe mosmarrëveshje, por paratë janë paguar. Ndonjë alternativë tjetër nuk ka as sot. Bankat kanë mundur të falimentojnë, por njerëzit nuk mund t'i lësh në rrugë. Në veçanti kur dihet se refugjatët në kërkim të një jete më të sigurt dhe më të mirë nuk do të ndalen.

Jeta në kushte të mira në Gjermani do të vazhdojë si deri tani. Do të ndryshojnë disa gjëra dhe kjo është e qartë. Tani duhet gjetur zgjidhje politike për gjendjen në mënyrë që të ketë sa më pak humbës. Shumë gjermanë kanë frikë nga kjo. Që tani gjysma e gjermanëve janë skeptikë, ndërsa ata që kanë kualifikime më të dobëta dhe një punë më të keqe, kanë frikë edhe më të madhe. Ata që janë të dëmtuar edhe tani, nuk duhet të dëmtohen më shumë për shkak të refugjatëve. Kjo do të ishte fatale për shoqërinë. Një detyrë kombëtare duhet të përballohet. Ministri i Financave nuk duhet tani të rrudhë dorën e t'i shtrëngojë paratë. Ai nuk ka shumë kohë për ta kuptuar këtë.