1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Konsensus në vend të ndarjeve në Ukrainë

Bernd Johann31 Mars 2014

Vitali Klitçko do një aleancë të gjerë të të gjitha forcave demokratike për sipërmarrësin Petro Poroshenko në zgjedhjet presidenciale. Por, Julia Timoshenko ecën në rrugën e saj, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1BYpJ

Politikanët ukrainas nuk njihen si të tillë, që heqin vullnetarisht dorë, kur është fjala për pushtet dhe ndikim. Prandaj tërheqja e Vitali Klitçkos nga gara për postin e presidentit është një hap i pazakontë. Kryetari i partisë UDAR vepron me përgjegjësi. Ai do që të shmangë përçarjen e forcave demokratike dhe angazhohet për një kandidat të përbashkët. Prandaj ai mbështet një biznesmen dhe politikan, që sipas sondazheve ka momentalisht shanset më të mira për të marrë postin e presidentit pas zgjedhjeve më 25 maj: Petro Poroshenko.

Miliarderi dhe pronari i disa ndërmarrjeve nuk është i pakontestueshëm, sepse ai është një prej atyre oligarkëve,që ndikimin politik e kanë shfrytëzuar edhe për biznes. Por Poroshenko është me sa duket i vetmi nga kandidatët, i cili mund të arrinte, që ta nxirrte nga kriza vendin e përçarë politikisht dhe të rrënuar ekonomikisht."Mbreti i çokollatës”, siç quhet ndryshe Poroshenko, sepse ai zotëron prodhuesin e ëmbëlsiravere Roshen, e ka mbështetur lëvizjen e protestës në Maidan. Por ai ka shërbyer edhe si ministër në qeveri të ndryshme. Ai është një politikan i moderuar,që mbështet kompromisin politik, afrimin me Evropën dhe mirëkuptimin me Rusinë.

Presidenti i ri ka nevojë për mbështetje sa më të gjerë

Ukraina ka nevojë urgjente për politikanë me aftësi për konsens dhe ekuilibër. Pas rrëzimit të regjimit kriminal të Janukoviçit vendi përballet me sfida të mëdha: situata ekonomike është katastrofale. Ndihmat miliardëshe të FMN-së, që nevojiten urgjentisht, do të paguhen vetëm, nëse vendi kryen reformat ekonomike. Gjë që do të thotë ndryshime drastike për njerëzit. Përveç kësaj vendi kërcënohet nga Rusia. Së pari me aneksimin e Krimesë në jug dhe tani kryesisht për shkak të vendosjes masive të trupave përgjatë kufirit në lindje.

Në këto kushte zgjedhja e presidentit është një sfidë. Duhet të parandalohet copëtimi i vendit. Forcat radikale në skajin e majtë dhe të djathtë luajnë vetëm një rol të vogël në zgjedhje. Në plan të parë është politika e pajtimit kombëtar. Polarizimet në fushatën zgjedhore do të ishin të dëmshme. Prandaj është e drejtë, që Klitçko angazhohet për një bashkim të të gjitha forcave demokratike në fushatën zgjedhore. Presidenti i ardhshëm ka nevojë për mbështetje sa më të gjerë të jetë e mundur nga popullata.

Timoschenko mund ta polarizojë vendin

Politikën e përçarjes ndjek me sa duket Julia Timoshenko. Ish kryeministrja pas tërheqjes së Klitçkos është konkurrentja më e rëndësishme e Poroshenkos. Por kandidatura e saj nuk duket se është e përshtatshme për të stabilizuar vendin brenda dhe jashtë. Në kohën e saj si kryeministre Timoshenko shpesh ka shkaktuar mosmarrëveshje me iniciativat e saj individuale. Kjo bëri edhe që autokrati Janukoviç të vinte në pushtet dhe ta zhyste vendin në kaos.

Pa u rikthyer mirë në skenën politike Timoshenko shkakton një polarizim të ri me thirrjet e saj antiruse. Në këtë mënyrë ajo nuk dëshmon se është e përshtatshme për postin e presidentit. Me kandidimin e saj ajo nuk i bën favor Ukrainës. Ajo akoma e ka mbështetjen e partisë së saj "Atdheu". Megjithatë, sipas sondazheve aktuale, jo të shumicës së votuesve.

Redaktori i DW Bernd Johann
Fotografi: DW/P. Henriksen

Njerëzit në Ukrainë duan një fillim të ri politik. Këtu duhen politikanë, të cilët mund të bashkojnë dhe të reformojnë vendin, të krijojnë konsensus dhe jo të mbjellin përçarje. Kjo do të jetë detyra e presidentit të ri. Pas heqjes dorë të Klitçkos "Mbreti i çokollatës" Petro Poroshenko mund të jetë njeriu i ri në krye të Ukrainës. Votuesit në Ukrainë do të vendosin me 25 maj.