1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e pashpresë

Barbara Wesel30 Gusht 2015

Vdekja e 71 refugjatëve në një kamion në Austri dëshmon tërë brutalitetin e paskrupullt të trafikantëve. Po çfarë mund të bëjë BE për zgjidhjen e këtij problemi?

https://p.dw.com/p/1GNmy
Tragjedia me refugjate
Tragjedia me refugjateFotografi: Reuters/H-P Bader

Sa më larg nga një vendndodhja e tragjedive me refugjatë, debati është më teorik. Ndërsa sa më afër ndodhin këto drama, detajet janë më të tmerrshme. Këtë përvojë e kanë pasur edhe kryeministrat dhe liderët e BE tw entjen në Vjenë. Nga kamioni i gjetur afër Vjenës janë nxjerrë shumë më shumë tw vdekur sesa është menduar në fillim. Thjesht: një ngjarje e tmerrshme. Komisioni i BE kumtoi se kriminelët duhet të evitohen me të gjitha mjetet, që gjërat e tilla të mos përsëriten kurrë. Ngjashëm është shprehur edhe kancelarja Angela Merkel dhe ministrat përkatës. Lufta kundër kontrabanduesve është shumë lartë në agjendën evropiane. Por kjo ka mbetur vetëm në letër.

Kontrabandimi dhe përfitimet

Ka vite që ekspertët paralajmërojnë për tregti me njerëz dhe kontrabandën e drogës në përmasa të mëdha, nga bandat e organizuara kriminale në mbarë botën. Së pari kjo është bërë me femra dhe fëmijë, ndërsa tani edhe me refugjatë. Institucionet evropiane, ushtria dhe policia deri tani kanë qenë të pasuksesshme.

Në qendër të vëmendjes në BE është lufta kundër bandave kontrabanduese në Mesdhe. Atje është angazhuar edhe marina gjermane, e cila së bashku me atë italiane kontrollon rrugët dhe rrjetet e kontrabandimit. Por mundësia e veprimit është shumë e kufizuar, sepse bandat kryesore nuk janë në ujë.

Barbara Wesel
Barbara Wesel

Lufta kundër kriminelëve në Libi - iluzion

Të mendosh se mund të ndalosh punën e kontrabanduesve në Libi, është një iluzion. Pas këtyre grupeve fshihen klane të cilat nuk mund t'i shkatërrosh kurrë. Ndërkohë që forcat e huaja nuk kanë ndonjë mandat të OKB për të vepruar atje. Sa i përket refugjatëve në Greqi: bandat kryesore të kontrabanduesve janë në Turqi. Qeveria turke mund të bëj diçka kundër tyre, po të donte. Por nuk do, sepse këto banda kriminale i largojnë nga Turqia me qindra mijëra refugjatë, të cilët ndryshe do të mbeteshin atje.

Dhe më në fund Ballkani: prej nga vijnë edhe kamionët e vdekjeve së tmerrshme. Ballkani prej vitesh është vendstrehim i grupeve kriminale. Qeveritë e dobëta dhe të korrupturara, strukturat mafioze në polici dhe drejtësi dhe ekonomia e dobët janë një tokë shumë pjellore për bandat kriminale, të cilat kaherë kanë krijuar rrjetet e tyre në gjithë Evropën.

Pamundësia e BE

BE është e paaftë për të vepruar. Mungojnë instrumentet për të vepruar. Policia gjermano apo austriake nuk mund të veprojë jashtë kufijëve. Bashkëpunimi është përmirësuar pak, që tregon rasti i arrestimit të fundit në Hungari. Por grupet kriminale janë shumë të mëdha ndërsa sukseset e këtilla shumë të rralla. Krerët e bandave janë të paprekur.

Me mjetet e tanishme bandat vetëm mund të përcillen por jo edhe të eliminohen. BE dhe shtetet anëtare duhet të organizojnë njësi për veprime të shpejta dhe t'i pajisin si duhet. Ndërkohë që shrohet pyetja: si mund të vijnë refugjatët sirianë në Evropë pa ndihmën bandave të këtilla? Prej muajsh po shohim se sa të rrezikshme janë rrugët që kalojnë ata, por deri më sot nuk është gjetur ndonjë rrugë legale për zgjidhjen e probemit. Një zgjidhje e këtillë do të cënonte më shumë bazën e veprimit të bandave kriminale sesa angazhimi masiv i policisë apo ushtrisë.