1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Mbrojeni lirinë!

Gero Schließ19 Korrik 2016

Në kohët e terrorit dhe të dhunës liria e ka të vështirë. Por heqja dorë nga liria nuk krijon më shumë siguri. Prandaj tani liria duhet të mbrohet në mënyrë të vendosur, mendon Gero Schließ.

https://p.dw.com/p/1JR4T
Nizza - Nach dem Attentat
Fotografi: DW/L. Scholtyssyk

Gjendja është dramatike. Në dhjetë deri 15 vitet e fundit vlerat e lirisë nuk kanë qenë asnjëherë kaq të rrezikuara sa sot. Përballë atentateve të fundit frika dhe ankthi shkaktojnë rregullisht kërkesën për më shumë siguri. Ato përshpejtojnë një dinamikë, për të cilën gjykatësi i ndjerë kushtetues gjerman Wilfried Hassemer tërhoqi vëmendjen në vitin 2009: "Nevojat për siguri nga pikëpamja strukturore janë të paplotësueshme", vërejti Hassemer në mënyrë të qëlluar në një debat me Wolfgang Schäublen. Ai kritikoi në këtë kuadër reagimet e shteteve, të cilat reaguan ndaj gjendjes së kërcënimit duke i ashpërsuar vazhdimisht ligjet e sigurisë.

Koncepti i deformuar i sigurisë

Pas atentateve të 11 shtatorit 2001 SHBA ndoqën pikërisht këtë rrugë. Ato ristrukturuan aparatet e tyre të gjera të sigurisë dhe i zgjeruan në mënyrë masive të drejtat e tyre - brenda dhe jashtë vendit. Pasoja qe deformimi i konceptit të sigurisë, siç doli në pah në burgjet e torturave të CIA-s dhe në përgjimin e gjerë të NSA deri në celularin e Kancelares gjermane. Për të mos folur për fushatën e Irakut të bazuar në pohime false, me të cilën Presidenti George W. Bush donte gjoja t'i vinte para përgjegjësisë organizatorët e atentateve të 11 shtatorit.

Përballë serisë tragjike të atentateve terroriste Franca është përfshirë tani në një spirale frike dhe ashpërsimi të ligjeve. Gjendja e jashtëzakonshme e zgjatur disa herë që prej atentateve terroriste të 13 nëntorit u jep mininistrit të Brendshëm dhe prefektëve mundësi të gjera, për t'i kufizuar ose anuluar krejtësisht të drejtat qytetare: pa urdhër nga gjykatësi ato mund të ndërmarrin bastisje shtëpish, të ndalojnë lirinë e mbledhjes ose qarkullimin e lirë të personave dhe të automjeteve. Ekspertë të sigurisë thonë se shërbimet franceze kanë shumë më tepër të drejta observimi se sa ka pasur ndonjëherë NSA.

Atentate të reja megjithë ligjet e reja

Por meqenëse efektet nuk pasqyrohen askund dhe seria shkatërrimtare e atentateve nuk mund të ndalet, parullat për qendresë ngjallin pak besim. Politologu francez Alfred Grosser shkroi në fundjavë për gazetën Tagesspiegel se "Franca në thelb nuk është më shtet juridik" dhe se ajo ka hequr dorë nga konsensusi për vlerat bazë si liria dhe uniteti. Analiza e Grosserit është bindëse. Forcimi i populistes së djathtë Marine le Pen është dëshmi tjetër për tezën e tij.

Schliess Gero Kommentarbild App
Gero Schließ

Po edhe në gjermanët nuk jemi të mbrojtur nga debate për ashpërsim masash. "Gjermania është një objektiv potencial atentatesh" nuk lodhet së thëni ministri i Drejtësisë Heiko Maas. Nuk guxon të mendosh se cili debat do të dëgjohej në Gjermani, po të ushtronin terroristët një atentat në Gjermani. Edhe Gjykata Kushtetuese Gjermane në një vendim të fundit për ligjin e Zyrës së Policisë Kriminale tha se ligjet e sigurisë të vendosura pas 11 shtatorit 2001 janë të diskutueshme nga ana juridike.

Nëse ka një mësim nga tragjedia franceze, atëherë ky mësim është: më shumë polici dhe ligje më të forta sigurie nuk sjellin në mënyrë automatike më shumë siguri. Feneri i lirisë mund të mos preferohet kudo. Por rrallë në kohët e reja ka qenë ai kaq i rëndësishëm sa sot.