1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Me Ciprasin funksionon ndryshe

Spiros Moskovou 9 Shkurt 2015

Në deklaratën e tij qeveritare kryeministri grek Aleksis Cipras shpalli fundin e kursimeve. Një kompromis me kreditorët është i mundur dhe i nevojshëm, mendon Spiros Moskovou.

https://p.dw.com/p/1EYMX
Symbolbild Griechenland Europa
Fotografi: Milos Bicanski/Getty Images

Kur së fundi fituesi i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, Aleksis Cipras, hyri në selinë e kryeministrit, ai u ankua, se qiraxhiu i mëparshëm ka marrë me vete edhe letrën higjienike. Ky konstatim thumbues shkaktoi të qeshura të forta në opinonin publik, por njëkohësisht ai është simbol edhe i mungesës së plotë të vazhdimësisë në politikën greke. Në deklaratën e parë qeveritare para parlamentit Cipras deklaroi se ai do të bëjë gjithçka ndryshe nga paraardhësi i tij, ish-kryeministri konservator Antonis Samaras. Kryeministri i ri i majtë i vendit në falimentim ka shpallur masa për të mbështetur shtresat më të varfëra të popullsisë, e ka quajtur të dështuar programin e deritanishëm ndërkombëtar të shpëtimit dhe parashikon një "new deal" mes Greqisë dhe Evropës.

Në bazë të deklaratës së tij qeveritare qëndronte "kriza humanitare" në vend, papunësia e pamasë, recesioni dhe zmadhimi i malit të borxhit, pavarësisht ndihmën ndërkombëtare. Cipras dërgon një sërë sinjalesh brenda dhe jashtë vendit. Njoftimi për shembull, se limuzinat e shtrenjta të ministrave dhe njëri nga tre aeroplanët e kryeministrit do të shiten në ankand, shihet në Greqinë e lodhur nga kriza si një fanar i një politike të re, me të drejtë. Së shpejti do të ketë racione ushqimesh dhe rrymë elektrike pa pagesë për të varfërit, shkarkimet nga puna në kundërshtim me kushtetutën do të shfuqizohen, dhe paga minimale do të rritet.

Pak gjëra konkrete për partnerët evropianë

Me planet për luftimin e korrupsionit dhe evazionit fiskal qeveria greke do të gjejë aprovim madje edhe në Bruksel dhe Berlin. Por në rastin e Greqisë synimet fisnike nuk janë të mjaftueshme. Çrrënjosjen e nepotizmit dhe të evazionit fiskal e kanë premtuar me të madhe të gjitha qeveritë në Athinë që prej fillimit të krizës së borxhit para pesë vjetësh. Akoma më i vështirë do të jetë nën qeverinë e Cipras manovrimi me instrumentet qendrorë të programeve të deritanishme të shpëtimit. E majta i konsideron për shembull privatizimet "shitje të pasurisë publike" dhe zvogëlimin e sektorit publik si kontribues në shtimin e papunësisë.

Edhe pse qeveria Cipras do të rinegociojë me donatorët ndërkombëtarë, ajo momentalisht ka pak gjëra konkrete për të ofruar. BE pret që Athina të kërkojë sa më shpejt zgjatjen e programit aktual të shpëtimit, i cili përfundon në fund të shkurtit. Cipras e përjashton atë, me argumentin çarmatosës se nuk mund të aplikohet edhe për zgjatjen e politikës katastrofale të kursimit. Ai pret më tepër një program për të kapërcyer periudhën deri në mesin e vitit. Ai duket i sigurt se deri atëherë mund të arrihet një zgjidhje për problemin e borxhit grek.

Deutsche Welle Spiros Moskovou
Spiros MoskovouFotografi: DW

Në kërkim të zgjidhjes

Në këtë moment mosmarrëveshjet ndërmjet Athinës dhe kreditorëve të saj duken të pakapërcyeshme. Por politika e gjen gjithmonë një zgjidhje. Edhe pse në muajt e fundit është folur shumë që eurozona mund ta përballojë tashmë daljen e Greqisë, skenari më i mundshëm është, se nuk do të arrihet deri në një ndarje përfundimtare mes Athinës dhe partnerëve të saj. Ndryshe nga Greqia BE-ja kujdeset gjithmonë për vazhdimësinë politike. Çfarë vlere do të kishte eurozona, nëse nuk do të mund të shpëtonte as anëtarin e saj më të dobët? Dhe çfarë do të ndodhte, nëse pas daljes së Greqisë tregjet do të fokusoheshin te borxhet e mëdha të Italisë? Athina në ditët e ardhshme do të duhet të bëjë kompromise. Pjesa tjetër e Eurozonës gjithashtu.

Nuk duhet harruar se problemet strukturore të Eurozonës nuk qëndrojnë te Athina, por te ndërlidhja fatale e një monedhe të përbashkët me ekonomitë e vendeve të ndryshme. Ky gabim strukturor nuk do të ndreqet as me shpëtimin dhe as me largimin e Greqisë. Gjermania si shteti kryesor i Eurozonës duhet ta ndryshojë recetën e saj për shpëtimin e jugut të dobët. Pjesa e dobët jugore e Eurozonës ka nevojë për një përzierje politikash kursimi, reformash, por edhe investimesh dhe masash kundër papunësisë. Përjashtimi i pjesëve të tëra të Eurozonës nga prosperiteti i qendrës veriore do të çonte në pakënaqësi shpërthyese. Aleanca e majtë Syriza në Greqi nuk është produkti i vetëm i disbalancave brenda Eurozonës. Sondazhet e fundit parashikojnë edhe në Spanjë fundin e sistemit klasik dypartiak dhe fitoren e lëvizjes së majtë Podemos që në këtë vit.