1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Meksikë - misioni nuk është plotësuar

Claudia Herrera- Pahl11 Janar 2016

Pas arrestimit të bosit të drogës "El Chapo" Guzmán Presidenti i Meksikës deklaroi: "Misión cumplida!" Por misioni kundër mafias së drogës nuk është plotësuar, mendon Claudia Herrera-Pahl.

https://p.dw.com/p/1Hb36
Joaquin Guzman Loera - El Chapo
Fotografi: Reuters/E. Garrido

Arrestimi i tij qe njësoj spektalular si gjashtë muaj më parë. "El Chapo" (= I shkurtri) u kap në përpjekje për të shpëtuar përmes një kanali të ujërave të zeza. Në korrik 2015 ai arriti të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë Almoloya me anë të një kanali të ndërtuar nga profesionistët.

Historia e burrit të vogël me një preferencë për rrugë të nëndheshme arratisjeje është lëndë e shkëlqyer për Hollywoodin. Nuk është për t'u çuditur që ai donte ta shkruante vetë skenarin. Sepse besohet se hetuesit ranë në gjurmë të tij, sepse ai vendosi kontakt me aktorë të Hollywoodit për një film autobiografik.

Një vend i marrë peng

Kushtet spektakolare të arrestimit të tij, që të lënë të kuptosh se Guzmani ra pre e snobizmit të tij, nuk duhet të tërheqin vëmendjen nga situata dramatike në Meksikë. Vendi është peng i kriminalitetit të drogës.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto e quajti arrestimin e Guzmanit një "sukses për shtetin juridik dhe një hap kundër pandëshkueshmërisë". Edhe njëherë tjetër, institucionet vërtetuan se qytetarët mund t'u besojnë atyre, tha ai.

Padyshim, ky sukses hetimor është një zhvillim pozitiv. Në fund të fundit, Joachim Guzman është njëri prej figurave më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi në tregtinë botërore të drogës. Edhe SHBA i janë vënë pas dhe kërkojnë prej vitesh ekstradimin e tij.

Por arrestimi i tij as do të pakësojë tregtinë e drogës, as numrin e rrëmbimeve dhe as do t'i japë fund dhunës. Sepse në fund të fundit edhe "El Chapo" është vetëm një nyjë në rrjetin e padeshifrueshëm të krimeve dhe të korrupsionit.

Claudia Herrera Pahl
Claudia Herrera Pahl

Padënueshmëria duhet të marrë fund

Nëse qeveria meksikane kërkon vërtet të rifitojë besimin e popullit te institucionet, asaj i duhen përparime të vërteta në luftë kundër padënueshmërisë. Kjo duhet të nisë që me hetimet për masakrat dhe rrëmbimet e pasqaruara të Tlatlayas në qershor 2014, të Ayotzinapas në qershor 2014 dhe Apatzinganit në janar 2015. "Të nisë", sepse shembujt e përmendur janë më të fundit dhe më të njohurit për krimet e shumta kundër njerëzimit, për të cilat deri tani në Meksikë nuk u dënua askush ose u gjetën vetëm kurbanë. Prandaj do të ishte një fillim i mirë sqarimi me vendosmëri i këtyre rasteve.

Arrestimi i "El Chapos" pra është vetëm një hap i vogël në rrugën e gjatë, të cilën duhet ta lerë pas qeveria meksikane, për të kapërcyer humbjen e prestigjit dhe për të rifituar mbështetjen e një popullate, e cila nuk dëshiron më gjë tjetër se dhënien fund të kësaj sage të përgjakshme. Vetëm kur të jetë arritur kjo, do të vijë edhe koha për një koment të përshtatshëm për filma si "misioni u krye".