1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Mesi i shfrenuar i shoqërisë?

Kersten Knip16 Qershor 2016

Në bazë të një studimi, gjithnjë e më shumë gjermanë kanë tendenca ekstremiste politike. Kjo tezë është e guximshme, mendon Kersten Knipp.

https://p.dw.com/p/1J7Em
Deutschland PK zu Studie Die enthemmte Mitte
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Me siguri që nuk ekziston asnjë statistikë, metodika e së cilës të mos kritikohet ose së cilës majde të mos i vihet edhe në përgjithësi pikëpyetje. Kjo vlen edhe për të ashtuquajturat "Studime të Mesit", të cilat universiteti i Lajpcigut i publikon në një ritëm dyvjeçar së bashku me Institutin e Studimit të Tregut dhe të Shoqërisë USUMA në Berlin. Politologët për shembull kritikojnë se pyetja e shtruar në sondazh është shumë e përgjithshme ose madje sugjestive. Edhe studimi i sapopublikuar i pranverës 2016 lë një hapësirë interpretimi të përfundimeve. Por edhe këtu një gjë është e qartë: një pjesë e popullit gjerman ka tendencë për pozicione ekstremiste të djathta.

Më pak se 8,5 përqind e gjermanëve janë dakord me tezën se regjimi nazist ka pasur edhe anët e tij të mira. Gati 11 përqind janë të mendimit se ndikimi i hebrenjve sot është shumë i madh. Dhe 12 përqind mendojnë se gjermanët "janë nga natyra më sipërorë" ndaj popujve të tjerë.

Deri këtu, dëshpëruese. Aq më tepër që të dhëna të tjera dëshmojnë për qëndrime ekstremiste: 6,7 përqind e konsiderojnë diktaturën "në rrethana të caktuara" një formë më të mirë shtetërore krahasuar me demokracinë. Dhe 10,6 përqind dëshirojnë një "fyhrer", i cili ta drejtojë Gjermaninë "për të mirën e të gjithëve me dorë të fortë".

Pyetje të formuluara jo qartë

Megjithatë lejohet, në fakt duhet të pyesësh se çfarë kanë pasur parasysh këta shtatë përqind me konceptin "fyhrer". Adolf Hitlerin? Apo ky koncept ka marrë ndërkohë një kuptim më të përgjithshëm, ngjashëm me konceptin e anglishtes "leader"? Po ashtu i hapur është edhe formulimi se Gjermania ka nevojë për "një parti të vetme të madhe", e cila "ta përfaqësojë të gjithë bashkësinë e popullit". A mendojnë ata 25 përqind që e mbështesin këtë pikëpamje vërtet për partitë shtet të majta dhe të djathta, që luajtën një rol kaq fatkeq? Apo kihet parasysh me këtë një koalicion i madh partiak, që e drejton vendin prej vitesh? Studimi punon me pyetje tepër joprecize. Ai që i përgjigjet pyetjeve të studimeve, bie pre e koncepteve, kompleksiteti historik ose politik i të cilave për të mund të mos jenë fare të qarta.

Raporti me myslimanët

I ngurtësuar është edhe raporti i shumë gjermanëve me myslimanët. "Myslimanëve duhet t'u ndalohet emigrimi në Gjermani". Këtë fjali e mbështesin 41 përqind e të pyeturve. Para dy vjetësh atë e mbështesnin vetëm 37 përqind e të pyeturve. Po a flet përgjigjia vërtet "për një zhvlerësim të myslimanëve" si mendojnë autorët e studimit? A po qendrojnë pas kësaj shqetësime konkrete?

Kersten Knipp
Kersten Knipp

Njëkohësisht me "Studimin e Mesit", Instituti Demoskopik Allensbach publikoi një studim për vlerësimet politike, shqetësimet dhe shpresat e gjermanëve. Në bazë të sondazhit, 32 përqind e të pyeturve janë "thellësisht të shqetësuar" për numrin e refugjatëve. Në janar të shqetësuar ishin 48 përqind. Besimi që qeveria po përpiqet në mënyrë intensive t'a reduktojë numrin e refugjatëve është rritur vazhdimisht që prej fillimit të vitit: nga 15 përqind në janar në 38 përqind në qershor. Por kjo do të thotë edhe se 60 përqind e të pyeturve nuk beson se qeveria po përpiqet në mënyrë intensive t'a reduktojë numrin e refugjatëve.

Dy sondazhe, dy rezultate që ecin në të njëjtin drejtim. Por megjithëse pikët e përqindjeve dallohen vetëm pak nga njëra-tjetra disa flasin për "zhvlerësim" të myslimanëve, kurse të tjerët për "shqetësim" të shkaktuar nga emigrimi. Nëse mesi i shoqërisë është "shfrenuar" apo është vetëm "i shqetësuar": vendimi për këtë varet ndoshta nga temperamenti politik i atyre që jo vetëm i mbledhin të dhënat, por edhe i interpretojnë ato.