1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshim i mirë pushteti në Poloni?

Bartosz Dudek26 Nëntor 2015

Ndryshimi politik partiak i pushtetit në demokraci është në fakt një proces shumë normal. Por kështu si po kryhet ai aktualisht në Varshavë ka plot arsye për të qenë i shqetësuar, mendon Bartosz Dudek.

https://p.dw.com/p/1HCcI
Warschau
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Loeb

Çdo ndryshim është një shans. Kjo është forca ripërtëritëse e çdo demokracie. Prandaj edhe ndryshimi i pushtetit në Poloni, i kryer me zgjedhjet presidenciale në pranverë dhe me zgjedhjet parlamentare në 26 tetor, ishte fillimisht një shans. "Një ndryshim i mirë" ishte parulla e partisë nacionalkonservatore E Drejta dhe Drejtësia (PiS) e Jaroslaw Kaczynskit, e cila arriti t'i fitojë të dyja zgjedhjet.

Vërtet një ndryshim i mirë?

Por tani, më pak se dy javë pas themelimit të parlamentit të ri dhe bërjes së betimit nga qeveria e re po lindin dyshime të mëdha: dyshime nëse ky ndryshim pushteti është vërtet i mirë dhe nëse ai ka të bëjë vërtet me të drejtën dhe me drejtësinë.

Sepse në demokraci ka mekanizma dhe rregulla, që e kufizojnë pushtetin e shumicave dhe që e mbrojnë minoritetin në opozitë. Këtu bën pjesë para së gjithash parimi i ndarjes së pushteteve, që i lejon qeverinë, parlamentin dhe drejtësinë të veprojnë pavarësisht nga njëra-tjetra - nën syrin vigjilent të "pushtetit të katërt", të medieve. Udhëheqësi legjendar i Solidarnostit dhe mbajtësi i Çmimit Nobel Lech Walessa është shprehur njëherë duke folur lirshëm: demokracia është "luftë e secilit kundër secilit - por në kornizën e hekurt të ligjit." Kjo e dallon një shtet juridik demokratik nga një autokraci ose diktaturë. Por kufijtë mund të jenë të papërcaktuar.

Bartosz Dudek
Bartosz Dudek

Shkelje e qartë e standardeve të shtetit juridik

Duhet të jetë shqetësuese, kur në një shtet të BE nuk respektohen standardet e një shteti demokratik juridik: kështu Presidenti i shtetit amneston me shpejtësi një ministër të sapoemëruar, i cili qe dënuar në shkallë të parë të gjyqësorit për shpërdorim detyre. Partia në pushtet kalon në një seancë nate një ligj në të dyja dhomat e Parlamentit, që mundëson ndryshimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Hapi tjetër do të jetë një ligj i ri për mediet, i cili do t'i kthejë mediet publike në stacione shtetërore. Të gjitha procese, të cilat duhet t'i bëjnë të lëvizin nga vendi jo vetëm polakët.

Po të mos ndodhej Evropa nën shok pas atentateve të Parisit dhe po të mos qe e mbingarkuar me krizën e migrantëve, ajo që po ndodh tani në Varshavë sigurisht që do të tërhiqte më shumë vëmendjen. Njësoj si akti simbolik i kryer nga kryeministrja Beata Szydlo: ajo dha urdhër që të hiqen flamujt evropianë nga salla e konferencave të shtypit në rezidencën e saj. Që prej tani do të jenë vetëm flamujt kombëtarë bardh-e kuq si sfond për daljet e saj në publik. A do të heqë dorë Polonia si rrjedhojë nga respektimi i standardeve të Bashkimit Evropian?