1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Nevojitet trajtim me takt

5 Janar 2016

Me kritika të ashpra ndaj qeverisë polake arrihet e kundërta e asaj që dëshirohet. Kjo para së gjithash kur kritika vjen nga Gjermania. Prandaj në Bruksel nevojitet trajtim me takt, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1HXvv
Polen Warschau Parlament Übersicht
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/M. Wlodarczyk

Akoma nuk është hapur nga Brukseli procedurë për shkelje të marrëveshjeve të BE. Dhe "bomba atomike", heqja e së drejtës së votës për Poloninë, gjithsesi nuk do të ndizet asnjëherë. Por edhe kërcënimet e ashpra në drejtim të Varshavës politikanët evropianë duhet t'i mendojnë mirë.

Në këtë fushë ekzistojnë përvoja mësimdhënëse. Pasi në Austri në vitin 2000 u krijua një koalicion qeveritar i partisë konservatore austriake ÖVP me partinë populiste të djathtë Partia e Lirisë, u ndërprenë kontaktet bilaterale të 14 shteteve anëtare të BE me qeverinë austriake. Atëherë aktori nuk ishte komisioni, por shtetet e veçanta dhe ato e shmangën përdorimin e fjalës "sanksione".

Por kancelari i atëhershëm i ÖVP-së, Wolfgang Schüssel i paraqiti me ndërgjegje masat si sulm kundër të gjithë vendit dhe banorëve të tij. Si pasojë solidaritet me qeverinë treguan edhe shumë kundërshtarë të partisë populiste të djathtë, FPÖ. Masat rezultuan jo produktive. Pas rreth një gjysme viti, shtetet e BE i normalizuan pa bërë zhurmë marrëdhëniet me Vjenën, pa arritur ndonjë gjë politikisht.

Orbani e sheh si viktimë vendin e tij

Edhe më i afërt është krahasimi me Hungarinë: qeveria e atjeshme nacionalkonservatore e Fidesz-it nisi që në vitin 2010, si qeveria polake sot, që t'i përshtasë me shijet e saj mediet dhe drejtësinë. Komisioni i BE nisi një procedurë për shkeljen e marrëveshjes, dhe me të vërtetë, kryeministri Viktor Orban lëshoi pe.

Por deri sot përmirësimet që janë bërë janë kozmetike, dhe ato u bënë gjithmonë në atë masë sa Brukseli të mos ngrinte dot më pretendime formale. Fryma e politikës së Orbanit nuk ka ndryshuar. Dhe në politikën e brendshme, Orbani arriti që ta paraqesë vendin e tij si viktimë të ndërhyrjes së botës së jashtme. Që atëherë, mbështetja për qeverinë e tij është shtuar.

Në rastin e Austrisë ishin 14 qeveri përballë njërës. Edhe Budapesti ishte fare vetëm në vitin 2010. Por për këtë sot nuk mund të bëhet fjalë. Nacionalizmi dhe një politikë autoritare po avancojnë kudo në Evropë dhe sidomos në pjesën e saj lindore, para së gjithash që prej nisjes së konfliktit për politikën ndaj refugjatëve.

Kommentarbild App
Christoph Hasselbach

Përshtypje e tutelës gjermane

E përmbajtur duhet të tregohet para së gjithash anëtarja e BE, Gjermania. E para, sepse raporti polako-gjerman, ngjashëm si raporti izraelito-gjerman është i ngarkuar për arsye historike. Dhe së dyti, sepse Polonia si vend i madh fqinj në Lindje ka një rëndësi të veçantë për Gjermaninë.

Kjo përmbajtje duhet të vlejë edhe për Günther Oettingerin. Si komisar i BE ai vërtet nuk flet në emër të vendit të tij të origjinës, por përfaqëson të gjithë BE. Por në Poloni atë e lidhin me Gjermaninë. Nëse Oettingeri kërkon ta vërë "nën mbikqyrje" qeverinë polake, kjo në Poloni mund të kuptohet vetëm si përpjekje "gjermane" për ta vendosur nën tutelë qeverinë polake.

Po, Komisioni duhet të kujdeset për respektimin e vlerave bazë në të gjitha shtetet anëtare. Por pikërisht në momentet e një situate të tensionuar evropiane kërkohet nga të gjitha aktorët politikë evropianë një trajtim i kujdesshëm.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare