1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Pikëkthese tragjike në konfliktin e Ukrainës

Ingo Mannteufel18 Korrik 2014

Të gjitha të dhënat deri tani flasin se avioni MH17 mund të jetë qëlluar nga separatistët në lindje të Ukrainës. Implikimet politike janë të pamasa, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1Cf57
Absturzstelle Malaysia Airlines MH-17 Ukraine
Fotografi: Reuters

Ende nuk ka siguri njëqindpërqind, se kush është përgjegjës për goditjen e avionit malajzez të pasagjerëve me numrin MH17, që fluturonte mbi hapësirën e kontrolluar prej separatistëve në lindje të Ukrainës. Një hetim i pavarur ndërkombëtar është urgjentisht i domosdoshëm.

Gjurmët çojnë tek separatistët

Sidoqoftë të gjitha indikacionet flasin deri tani, se për goditjen mund të jenë përgjegjës separatistët të mbështetur nga Rusia: separatistët kanë qenë përgjegjës për të gjitha sulmet e kryera deri tani ndaj avionëve luftarakë. Sipas të dhënave të veta separatistët posedojnë edhe sistemet e mbrojtjes kundërajrore Buk, që janë të nevojshme për të goditur avionë në fluturim në lartësinë 10.000 metra.

Por ajo që i demaskon më shumë ata është fakti se si drejtuesi i separatistëve dhe ish-oficer i shërbimit sekret rus, Igor Strelkov, në rrjetet sociale pak pas rrëzimit të avionit MH17 u krenua, se separatistët pro-rusë sërish kanë qëlluar një avion ukrainas Antonov AN-26.

derisa nuk ka të dhëna për një goditje të tillë, mbetet të dyshohet, se separatistët mund ta kenë ngatërruar avionin Boeing 777 të shoqërisë Malaysian Airlines me një avion ushtarak ukrainas dhe kanë qëlluar ndaj tij. Ky supozim rezulton edhe prej komunikimeve që janë dëgjuar mes separatistëve dhe oficerëve të shërbimit sekret ushtarak rus, GRU. Sipas tyre një njësi separatiste në rajonin lindor të Ukrainës Çernuçino, pak kilometra nga vendi i rrëzimit të avionit, kanë lëshuar një predhë në drejtim të një avioni.

MH 17 Flugzeugabsturz Absturzstelle Ukraine 18.7.2014
Fotografi: AFP/Getty Images

Sqarimin e fundit për përgjegjësinë e këtij sulmi mund ta sjellë vetëm një hetim i pavarur ndërkombëtar. Duhet pritur, që veçanërisht vlerësimi i të dhënave satelitore të mund të përcaktojë vendin e saktë, prej nga është hedhur predha.

Një nivel i ri i përshkallëzimit të konfliktit

Goditja e MH17 në hapërsirën lindore të Ukrainës e ndryshon në mënyrë masive strukturën e konfliktit që po zien prej javësh: me sulmin ndaj një avioni pasagjerësh në lartësinë 10.000 metra me një sistem kompleks të mbrojtjes kundërajrore bëhet e qartë, se separatistët nuk janë milicë popullorë të organizuar spontanisht, të cilët me armë të thjeshta luftojnë për të drejtat e tyre. Përdorimi i të tilla sistemeve kërkon ndihmën e trainerëve profesionistë. Një mbështetje nga shërbimet ushtarake dhe ato të sigurisë ruse është e vështirë të vërtetohet, por ka të ngjarë të jetë kështuMe këtë bëhet edhe më e qartë, se në konfliktin në Donbas nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt të brendshëm ukrainas, por me një luftë mes Ukrainës dhe forcave të mbështetura nga Rusia..

Ingo Mannteufel
Fotografi: DW

Europa duhet të pozicionohet qartë

Me këtë akt mizor që çoi në vdekjen e qindra civilëve nga e mbarë bota, Perëndimi e veçanërisht shtetet e BE-së do ta kenë gjithnjë e më të vështirë, ta konsiderojnë veten si ndërmjetësues dhe të kërkojnë një zgjidhje diplomatike bashkë me Rusinë. Do të shtohen gjithnjë e më shumë kërkesat për një pozicionim të qartë dhe për mbështetje më direkte të Ukrainës në veprimet e saj ushtarake kundër separatistëve. E me siguri që tani edhe apeli për sanksione gjithpërfshirëse kundër Rusisë do të përforcohet edhe më shumë. Ndonëse kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së nuk donin që t'u imponohej një përshkallëzim i konfrontimit me Rusinë, tani jo vetëm Perëndimi duhet ta rishikojë strategjinë vet.

Edhe politika ruse ndodhet përballë një pikëkthese vendimtare: nëse Moska nuk tërhiqet qartazi prej mbështetjes ndaj separatistëve, atëherë Kremlini nuk ka më shanse që ta përgënjeshtrojë përgjegjësinë për gjakderdhjen në vendin fqinj. Në nivel ndërkombëtar askush nuk do ta konsiderojë të besueshme këtë lojë të dyfishtë. Presidenti Putin duhet të pozicionohet qartë tani për të treguar se vërtetë e do paqen. Në rast të kundërt mund të krijohet përshtypja, se burri më i fuqishëm i Rusisë e ka humbur kontrollin ndaj ushtrisë dhe forcave të veta të sigurisë.