1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Politika e suksesshme e Putinit në Siri

Ingo Mannteufel23 Shtator 2015

Vlerat morale në përgjithësi nuk janë asnjëherë pikënisje për lëvizjet e jashtme politike në Rusi. Me ngritjen e pranisë ushtarake në Siri, Kremlini ndjek më shumë se një qëllim, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1Gai0
Avionë rusë në LatakiaFotografi: picture-alliance/RIA Novosti/A. Kudenko

Jo, kriza e refugjatëve në Evropë nuk është arsyeja që Rusia ka stacionuar avionë luftarakë, helikopterë dhe pajisje të tjera ushtarake në një bazë të ngritur kohët e fundit në Siri. Kremlini e ka injoruar fluksin e refugjatëve nga Siria dhe Lindja e Mesme si një problem të brendshëm evropian. Më tepër: Vlerat morale në përgjithësi nuk janë asnjëherë pikënisje për lëvizjet e jashtme politike në Rusi.

Vetëm interesat kombëtare

Në Moskë vlejnë vetëm interesat objektive gjeopolitike të shteteve. Dhe e çliruar nga pyetja etike për bashkëpërgjegjësinë në masakrën e Sirisë politika e jashtme ruse nuk e ka parë kurrë si problem mbështetjen diplomatike dhe ushtarake të regjimit të Asadit. Fundja Asadi është partneri i vetëm, që i ka mbetur Rusisë në Lindjen e Mesme. Dhe vetëm kjo vlen për politikën ruse për pushtet.

Por që nga fundi i verës Kremlini druhet se Asadi mund të dëmtohet: marrëveshja me Iranin tregon një relaksim në konfrontimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në fakt partnerit me të rëndësishëm të Asadit. Dhe rritja e intervenimit ushtarak të SHBA-së dhe Turqisë në Siri drejtohet kryesisht kundër bandave vrastare të shtetit islamik - por në fund të fundit është edhe një kërcënim për regjimin e cunguar të Asadit.

Prandaj presidenti i Rusisë Putin duket se ka vendosur ta zërë demin nga brirët. Në hijen e luftës të perëndimorëve kundër IS ai ngriti javët e fundit në një operacion rrufe një bazë ushtarake ruse në bregdetin sirian. Në fjalimin e tij, të pritur me interes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit, Putin me siguri do ti'a prezantojë këtë bazë ushtarake Perëndimit si pjesën ruse të luftës kundër IS, ku Putin pritet të mos lëvizë nga mbështetja e Assadit.

Mannteufel Ingo
Ingo Mannteufel

Objektivat maksimale dhe minimale të Rusisë

Nëse Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore do t'i përgjigjen kësaj oferte, atëherë Putini do të arrinte qëllimet e tij maksimale: Izolimi ndërkombëtar i Rusisë, i krijuar nga aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainën lindore, do të kapërcehej. Statusi i Rusisë si fuqi botërore do të njihej pësëri, dhe me Shtetet e Bashkuara do të bisedohej në një nivel. Në të njëjtën kohë regjimi i Asadit do të ishte i siguruar për momentin, gjë që do të interpretohej sërish si dëshmi e fuqisë ruse.

Nëse SHBA nuk do të përfshihen në një front të përbashkët kundër IS, edhe atëherë Moska do të dilte më e fortë nga situata aktuale: Sepse Rusia gjithsesi është vendosur tani përgjithmonë me bazën e vet ushtarake ruse në bregdetin me rëndësi strategjike të Mesdheut lindor. Edhe nëse Siria do të shpërbëhej edhe më tej në luftë civile, rajoni Latakia është një zgjedhje e mirë. Ai nuk është vetëm rajoni nga e ka origjinën familja e Assadit. Kjo zonë bregdetare është për më tepër zonë e banuar historikisht nga alavitët dhe sigurisht në një fazë post-Assad një rajon qëndror për një shtet alavit, i cili ka ekzistuar një herë pas Luftës së Parë Botërore nën sundimin e mandatit francez.. Në kompensim për bazën me rëndësi strategjike ushtarake Moska mund të veprojë si një mbrojtëse e këtij shteti alavit. Rusia do të mbetej vazhdimisht një aktor në Lindjen e Mesme. Edhe me këtë objektiv (minimal) politika e Putinit në Siri nga perspektiva e Moskës do të ishte një sukses i plotë.