1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Refuzuesit egoistë

Christoph Hasselbach14 Maj 2015

Komisioni i BE propozon një sistem kuotash për shpërndarjen e refugjatëve dhe has në rezistencë masive. Por një sistem i tillë duhet të vijë, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1FPXw
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Di Meo

Refuzimi erdhi, madje para se Komisioni të paraqiste propozimet. Një rradhë shtetesh i zë menjëherë paniku, kur përfytyrojnë se do të duhej të merrnin më shumë njerëz. Kështu që i ashtuquajturi sistem i Dublinit praktikisht është rrëzuar. Në bazë të tij, një refugjat duhet të paraqesë kërkesën për azil në atë vend, ku ka shkelur për herë të parë tokën e BE.

Për shkak të pozicionit të tyre gjeografik në Mesdhe, këto vende janë në rradhë të parë Italia, Greqia dhe Malta. Teorikisht këto pak vende të BE në jug duhet të kujdesen për të gjitha aplikimet për azil. Me të drejtë ato e kanë kundërshtuar këtë, ndërsa shumë shtete në veri nuk shohin arsye për të ndryshuar diçka në rregullat ekzistuese.

I largojnë duke i trajtuar keq

Nën presionin e dyndjes në rritje të refugjatëve disa nga vendet, që preken nga ky fenomen, e kanë sabotuar sistemin. Italia i ka lejuar me qëllim refugjatët, që të kalojnë për në veri, aty ku shumica e tyre donin të shkonin. Greqia dhe Bullgaria i kanë trajtuar azilkërkuesit me qëllim aq keq në kampet e strehimit, saqë organizatat humanitare rekomandonin urgjentisht, që të mos ktheheshin më atje refugjatë, që kishin kaluar në drejtim të veriut. Pra këto vende me sjelljen e tyre të turpshme „janë shpërblyer“ me uljen e kërkesave për azil.

Detyra e Komisionit këtu do të kishte qenë, që të kujdesej për respektimin e standardave, që ishin arritur me marrëveshjen e të gjithëve. Britania e Madhe dhe Irlanda nga ana tjetër i rrinë larg zonës Shengen dhe me pozicionin e tyre në ishull kanë edhe një barrierë shtesë, për t’u mbrojtur kundër refugjatët, që shkojnë drejt veriut.

Ҫekia ka marrë 70 sirianë

Kështu që sot ndodh, që rreth një duzinë vendesh të BE-së pranon tre të katërtat e të gjithë refugjatëve. shifra absolute Gjermania është destinacioni numër një i i refugjatëve, ndërsa në bazë të popullsisë është Suedia. Presioni për t’i shpërndarë refugjatët në mënyrë të drejtë rritet. Propozimi i Komisisonit që një gjë e tillë të bëhet në përputhje me numrin e popullsisë, fuqisë ekonomike dhe papunësisë në secilin shtet të BE, është i arsyeshëm.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach

Por nuk ka për të qenë kështu një herë për një herë. Britania e Madhe dhe Irlanda kanë shprehur tashmë rezerva, Danimarka, Polonia dhe shtetet Baltike, Hungaria, Ҫekia dhe Sllovakia po ashtu. Disa nga argumentet flasin shumë. Kështu kryeministri çek Bohuslav Sobotka u shpreh: "Secila qeveri e di më së miri, se çfarë është në gjendje të përballojë në kuadër të solidaritetit të përbashkët“, duke vënë në pah se vendi i tij ka marrë 70 refugjatë nga Siria. Shtatëdhjetë! Kryeministri hungarez Viktor Orban tha menjëherë se i gjithë plani është „çmenduri“, duke u shprehur në formë lakonike se vendi i tij nuk është shoqëri multikulturore. Pikë. Kaq e thjeshtë është për të.

Të gjithë duan ta mbyllin derën

Eshtë interesant se të gjitha qeveritë janë dakord në një pikë, që BE duhet të veprojë më me forcë kundër kontrabandistëve dhe të shpëtojë jetën e njerëzve, që janë në rrezik të mbyten. Në fakt kjo ka të bëjë më pak me shpëtimin e jetës së njerëzve, se sa me mbylljen në vetvete.

Ministrja e Brendshme britanike Theresa May e thotë së paku ndershmërisht, se BE duhet t’i kthejë mbrapsht në Afrikën e Veriut anijet me refugjatë, që vijnë nga deti Mesdhe - zgjidhja australiane, që sipas pohimeve të kryeministrit australian Tony Abbott ka „shpëtuar“ shumë, shumë jetë njerëzish. Por në rradhë të parë ka mbajtur larg nga Australia shumë, shumë azilkërkues. Por pikësëpari Evropa nuk mund të izolohet aq lehtë fizikisht si Australia dhe një praktikë e tillë do të ishte e pazbatueshme edhe politikisht.

Shifrat e refugjatëve me sa duket do të rriten edhe më. BE sigurisht që nuk do të mund të marrë secilin, që dëshiron të vijë. Ai do të jetë i detyruar të reagojë me një perzierje të masave repressive, të politikave të zhvillimit dhe atyre humanitare. Por megjithatë problemi i shpërndarjes mbetet. Ashtu si nuk mund të përcaktojë gjeografia e një vendi, se sa njerëz duhet të ketë ai vend, ashtu edhe politika europiane ndaj refugjatëve nuk mund të jetë vetëm çështje e bujarisë së secilit vend.