1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ciklon ndryshimi politik në Itali

Bernd Riegert24 Shkurt 2014

Kryeministri i ri italian Matteo Renzi tregoi një fillim të rrufeshëm pune. Nëse vazhdon me këto ritme, Italia mund të ndryshojë vërtet. Kjo do të ishte mirë për Evropën, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1BERG
Matteo Renzi -Kryeministri i ri i ItalisëFotografi: Getty Images

Ndryshimi i brezave në krye të klasës politike të Italisë u krye me një shpejtësi marramendëse. Respekt Matteo Renzi! Ish kryebashkiaku i Firences deri tani e ka merituar plotësisht epitetin në politikën italiane marrë nga një personazh filmash me kartona: "speedy Gonzalez". Renzi 39-vjeçar në dhjetor pati marrë kryesinë e partisë socialiste, detyroi ish kryeministrin të jepte dorëheqjen dhe tani në kohë rekord ngriti kabinetin e ri qeveritar. Njëkohësisht ai u kujdes për një premierë: është hera e parë që në Itali qeveria ndryshon për shkak të një puçi brendapartiak. Shumë italianë kanë dyshime për legjitimitetin e tij.

Socialdemokrati, i cili e sheh veten si politikan pragmatik dhe jo ideolog, arriti të farkëtojë me shpejtësi të madhe një koalicion me partinë e vogël konservatore të ministrit të Brendshëm Angelino Alfano. Edhe kjo u krye çuditërisht pa vështirësi. Tani Renzit i duhet të kalojë vetëm pengesën e votëbesimit në dy dhomat e Parlamentit dhe pastaj mund të fillojë nga puna. Politikani që e krahason me dëshirë veten me ish kryeministrin britanik Tony Blair dhe partinë "New Labor" të mesit të viteve '90, synon që çdo muaj të iniciojë një reformë radikale në sistemin e ndryshkur italian: në tregun e punës, administratë, sistemin fiskal, drejtësi. Në këto reforma kanë dështuar në tre vitet e fundit tre kryeministra. Nëse Renzi do t'ia dalë mbanë, atëherë kjo do të ishte një kthesë e pabesueshme.

Deutsche Welle Bernd Riegert
Bernd Riegert

Renzi do ta ndryshojë nga themelet Italinë - me ndihmën e Berlusconit

Shumë interesante është taktika e Matteo Renzit, për të përfshirë në koreografinë e ndryshimit të qeverisë ish kryeministrin Silvio Berlusconi, i cili vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme dhe me influencë e kampit konservator. Renzi është takuar disa herë me kryetarin e "Forza Italia", i cili edhe pa poste politike ka ndikim të madh. Berlusconi e vlerëson kundërshtarin politik Renzi, pasi ai është i ri dhe dinamik dhe i kujton Silvios së moshuar vetveten në moshë të re, kur edhe ai donte ta ndryshonte nga themelet sistemin në Itali. Se çfarë i ka premtuar Renzi saktësisht Berlusconit, për ta bërë për vete, është e paqartë. Të dy kanë rënë dakord për një reformë të së drejtës elektorale, shumë komplekse dhe e padrejtë, të cilën Italisë ia bëri dhuratë Berlusconi vite më parë.

Matteo Renzi e ka zvogëluar dhe rinuar në mënyrë radikale kabinetin e tij. Një sinjal i parë për reformën administrative në aparatin shtetëror italian, shumë të madh dhe të shtrenjtë. Ministrat janë pjesërisht pa përvojë, pasi disa janë teknokratë e të tjerë pa përvojë politike. Vetë Renzi nuk ka qenë deri tani asnjëherë aktiv në nivel kombëtar në plan parlamentar apo politik. Ky mund të jetë një avantazh për të, pasi ai kërkon të spastrojë, të çmontojë, për ta thënë me fjalët e tij. Kështu nuk i duhet të kujdeset për të mos prishur qejfe në lidhje ekzistuese klienteliste. Evropa i mbetet të shpresojë që Renzi t'ia dalë mbanë ta nxjerrë Italinë nga kriza ekonomike duke ruajtur stabilitetin. Sepse rimëkëmbja e Italisë është vendimtare për vazhdimësinë e bashkësisë monetare, eurozonës.

Ndryshim kursi në politikën monetare?

Kursin e ardhshëm të financave dhe ekonomisë së Italisë do ta përcaktojë Pier Carlo Padoan në postin e ministrit. Padoan deri tani ka qenë kryeekonomist pranë OECD-së, ka qenë drejtor në FMN në Uashington dhe më parë këshilltar i qeverisë italiane. Ekonomisti ka mjaft përvojë në administrim, por deri tani nuk ka mbajtur poste politike. Padoan do të rrisë trysninë ndaj eurogrupit dhe Bankës Qendrore Evropiane për të lejuar më shumë borxhe shtetërore dhe një politikë monetare më liberale. Në OECD ai përkrahte recetën amerikane për luftimin e krizës financiare: emetimin e parave të reja. Ai përfaqëson të kundërtën e asaj që deri tani ka mbrojtur me sukses në Bruksel ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble. Kjo të bën të presësh takime interesante të eurogrupit muajt e ardhshëm. Dinamika e re si fillim pritet t'u pëlqejë tregjeve financiare. Ato nuk do ta dënojnë qeverinë Renzi me kosto më të larta për obligacionet shtetërore, të paktën jo menjëherë.

Zgjedhjet evropiane si test

Sprova e parë për qeverinë e re Renzi do të jetë që në fund të majit. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian italianët mund t'i japin Renzit mbështetjen e tyre ose ta ndëshkojnë. Nëse Renzi arrin t'i vërë në zbatim me shpejtësi reformat e paralajmëruara, sindikatat, punonjësit e sektorit publik dhe pensionistët mund t'i kthehen kundër, pasi ata duhet të bëjnë sakrifica. Nga ana tjetër ai mund të tërheqë në radhët e socialistëve shumë të papunë, akademikë të rinj aktualisht pa shpresë. Ai mund t'i tërhiqte ata nga lëvizja e të zhgënjyerve "Lëvizja pesë yjet" rreth humoristit Beppe Grillo. Italia ka përpara një kohë që premton të jetë plot emocione. Evropa shpreson për një Itali të qendrueshme, e cila do ta gjejë me forcat e veta rrugën për të dalë nga kriza ekonomike. Guxim, vrull dhe energji ka njeriu i ri në krye të ekzekutivit. Tani i duhen edhe shumë mjeshtëri dhe fat.