1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundeswehri në rrezik

Nina Werkhäuser
13 Maj 2017

Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen po përballet me kritika të shumta për shkak të ekstremizmit të djathtë në Bundeswehr. Ndërsa ajo vetë pohon se do të bëjë reforma.

https://p.dw.com/p/2cuBx
Deutschland Von der Leyen im Verteidigungsausschuss
Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen para Komisionit të MbrojtjesFotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

"Erdha, shikova dhe shpjegova" - me këtë strategji ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) erdhi në takimin e Komisionit për Mbrojtjen. Para se t'u përgjigjet pyetjeve të shumta të politikanëve ekspertë, ajo tha se të gjitha duhet të rishikohen! Këtu bëjnë pjesë edhe raportimet, pozicionimi i Bundeswehrit, njohuritë politike të ushtarëve dhe gjëra të tjera.

Si ka mundur të ndodhë kjo?

Po, ministrja foli për tepër gjëra. Ajo do të krijojë bindjen se e ka situatën nën kontroll dhe se tani do të fillojë ndryshime në  Bundeswehr. Natyrisht që reformat nuk i kundërshton askush, por shumëkush habitet, pse këto reforma nuk janë bërë deri tani. Ata që duan të përmirësojnë kulturën e gabimeve në Bundeswehr me siguri që meritojnë mbështetje.

Kjo është e vërteta, por kjo është vetëm sipërfaqja. Rastet e tanishme megjithatë kërkojnë një "katalog masash", sepse diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë në ushtrinë gjermane. Ushtarët me qëndrime ekstremiste të djathta kanë planifikuar akte të dhunshme kundër shtetit - pra aksione terroriste. Në listën e viktimave të mundshme është edhe ministri i Drejtësisë. Thuhet se të dyshuarit kishin përgatitur edhe një sasi të madhe municioni nga arsenali i vetë ushtrisë. Një prej tyre është paraqitur në mënyrë fiktive edhe si refugjat, me qëllim që sulmet më pas të paraqiten si sulme të refugjatëve.

Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak (MAD) nuk e ka vënë re situatën, ndërsa eprorët nuk i kanë marrë seriozisht paralajmërimet apo nuk kanë dashur t'i shohin ato. Pse? Në këtë pyetje deri tani nuk ka asnjë përgjigje konkrete. Bundeswehri duhet të shpjegojë pse ka pranuar persona të këtillë në shërbim. Dhe si është e mundur që personat si Franco A. dhe Maximilian T., tani të dyshuar për terrorizëm, të veprojnë pa u zbuluar kaq gjatë.

Përgjegjësia e ministres

Askush në Gjermani nuk do një Bundeswehr, ku tolerohen orientimet e ekstremizmit të djathtë, e të mos flasim për pasojat e tmerrshme që kanë mundur të ndodhin. Diçka nuk është në rregull tek krerët ushtarakë. Aksionizmi i tanishëm i ministres Ursula von der Leyen nuk do të thotë se ajo nuk mban përgjegjësi për zhvillimet. Rastet e tmerrshme të Franco A. dhe Maximilian T. dëshmojnë se në Bundeswehr ka probleme shumë më të thella. Ministrja e Mbrojtjes mban një një pjesë të përgjegjësisë për këto.