1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Samit i suksesshëm në Gjenevë

Bernd Riegert18 Prill 2014

Rusia ka hequr dorë nga mbështetja e forcave seperatiste në Lindje të Ukrianës. Më në fund! në këtë mënyrë hapet rruga për negociata dhe zgjidhje paqësore, pohon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1Bkbf
Bernd Riegert

Kumtesa e Gjenevës nga BE, SHBA, Ukraina dhe Rusia ishte një mesazh shumë i mirë paqeje për festën e Pashkëve, i cili po festohet si në kishat perëndimore, ashtu edhe në ato lindore. Tani mbetet që ditët e ardhshme të zbatohet marrëveshja e arritur në Gjenevë: çarmatosja e seperatistëve dhe grupeve të tjera ilegale në Ukrainë dhe lirimi i godinave të okupuara në lindje të vendit. Të gjitha palët janë obliguar që të veprojnë për deeskalimin e gjendjes edhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Marrëveshja paraqet një rezultat të rëndësishëm, që mund të shtendosë gjendjen. Ukraina në anën tjetër është obliguar që të hartojë një kushtetutë, e cila i përgjigjet edhe popullatës rusëfolëse në këtë vend. Por këtë Kievi e kishte premtuar edhe para takimit. Radikalët e djathtë në Ukrainë duhet të dorëzojnë armët dhe duhet të hiqet dorë nga çdo lloj antisemitizmi.

Në veçanti e rëndësishme është që Lavrov ka premtuar se Rusia nuk do të dërgojë në lindje të Ukrainës trupa të rregullta ruse. Lavrov për befasi në Gjenevë u paraqit në rolin e një pëllumbi paqësor, edhe pse ende nuk e njeh qeverinë në Kiev si legjitime. Pala ruse ndoshta e ka kuptuar se një Ukrainë kaotike dhe ekonomikisht e gjunjëzuar, mund të sjellë në shtigje afatgjata vetëm dëme dhe asnjë dobi. SHBA dhe BE e kanë thënë këtë prej javësh. Duket se mesazhi ka mbërritur edhe në Moskë.

Diplomacitë e suksesshme mund t'u japin fund krizave

Duhet përshëndetur shumë edhe fakti që Rusia ka rënë dakord që OSBE-ja të mbikqyrë procesin e shtendosjes së gjendjes dhe çarmatosjes në Ukrainë. BE mund të ndërpresë për momentin procesin e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë. Kjo është pranuar me lehtësim në Bruksel, sepse BE-ja kursehet nga vendimet e rënda, për të cilat nuk ekziston një unitet i plotë. Rreziku akut nga bllokada e dërgimit të gazit dhe vajit nga Rusia është evituar. BE do të arrijë me Ukrainën dhe Rusinë një marrëveshje për furnizim me energji dhe për pagesën e borxheve ukrainase.

Fitore e diplomacisë, por jo me çdo kusht. Krimeja është tani pjesë e Rusisë dhe kështu do të mbetet. SHBA, BE dhe Ukraina e kanë pranuar këtë fakt heshturazi. Krimeja nuk përmendet fare në kumtesën e Gjenevës. Kriza në Ukrainë e ka dëmtuar, e ndoshta edhe e ka shkatërruar gati në tërësi, mirëbesimin mes Perëndimit dhe Rusisë. Mirëbesimi duhet të rikthehet hap pas hapi. Ndërkohë që afrimi i dekadave të fundit, e madje edhe partneriteti i planifikuar strategjik mes BE dhe Rusisë për një kohë të gjatë do të jetë i vdekur.

Sergej Lavrov tha se Rusia pret që Ukraina të mbetet neutrale, pra të mos futet në ndonjë aleancë ushtarake. Duhet se kjo është premtuar, sepse kjo çështje nuk është në rend dite as për qeverinë e re. NATO nuk ka ambicie të këtilla, tha Presidenti Barack Obama. Tani ka ardhur koha që Rusia të tërheqë 40 000 ushtarët e vet nga kufiri me Ukrainën, ndërsa NATO të ulë tensionet verbale. Vendosja e njësive të NATO-s në Poloni për shembull, duhet të hiqet nga rendi i ditës.

Kryeministri i Ukrainës Arsenij Jazenjuk tha se nga Gjeneva pret vendime të "fuqishme dhe të mençura". Kjo është realizuar, ndërsa vendimet duhet të zbatohen menjëherë, në mënyrë që edhe Ukraina të gëzojë festën e Pashkëve. Sergej Lavrov ka deklaruar në Gjenevë se ukrainasit duhet të vendosin për fatin e vet. Shpresoj se edhe Presidenti Putin mendon kështu. A thua dëshira e tij për pushtet vërtetë është ngopur me Krimenë?