1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Të vdesësh me dinjitet

Daniel Deckers20 Tetor 2014

Deputetët e Bundetagut injorojnë shumë zëra të mjekësisë paliative - mjekët, që u qëndrojnë pranë të sëmurëve në kufirin mes jetës e vdekjes e u mundësojnë atyre një largim pa dhimbje nga jeta, komenton Daniel Deckers.

https://p.dw.com/p/1DYmp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Para një viti partitë e koalicionit u shprehën shumë shkurt: "Një shoqëri humane mundëson edhe një vdekje me dinjitet". Ne duam të mbështesim edhe më tej qendrat hospice dhe do të zgjerojmë kujdesin paliativ", thuhet në marrëveshjen e koalicionit. CDU, CSU dhe SPD nuk mund të binin më shumë në ujdi se një numër i vogël formulimesh, edhe ato të interpretueshme, dhe disa deklarata jo detyruese. Pastaj u ngjit në post ministri i Shëndetësisë, Hermann Grëhe. Për protestantin e afirmuar nuk ishte e këndshme që qeveria paraardhëse e kristiandemokratëve dhe liberalëve e kishte lejuar pa ndërmarrë asgjë vërdallisjen e organizatave, që ofrojnë ndihmë për largimin nga jeta - kujtojmë veton e liberalëve. Tanimë duhej të merrte shumicën parlamentare të Bundestagut ndalimi i çdo lloj forme të ndihmës për largimin nga jeta si në mënyrë të organizuar, ashtu edhe në formë përfitimi. Por edhe kjo nuk është e mundur të realizohet.

Sepse debati për një "vdekje në dinjitet" është zhvilluar duke krijuar një dinamikë polifonike gjatë verës, dhe duke lënë mënjanë çështjet, që ka për zemër ministri i Shëndetësisë, Grëhe. Jo roli dubioz i organizatave të ndihmës për largimin nga jeta, por të drejtat dhe detyrat e mjekëve në kuadër të debatit për vdekjen në dinjitet janë vënë në fokus të politikës dhe shoqërisë. Kjo është pozitive.

Ajo që nuk është për t'u përshëndetur, është se me çfarë pretendimesh një sërë politikanësh me emër nga radhët e partive të koalicionit duan t'u dalin krah mjekëve si ndihmës - sigurisht pa detyrim. Nuk është vetëm groteske, kur Hintze, Lauterbach e të tjerë fisnikërojnë bashkëveprimin e një mjeku në vetëvrasjen e një njeriu duke e quajtur atë "liri e terapizimit". Akoma më groteske është që këta deputetë injorojnë zërat e shumtë nga fusha e mjekësisë paliative dhe kujdesit infermierik kundër çdo lloj forme të miratimit ligjor të asistimit për vetëvrasje - pra atyre mjekëve dhe infermierëve, që punojnë ditë për ditë me njerëzit në kufirin mes jetës dhe vdekjes dhe u mundësojnë atyre një vdekje me dinjitet. Ndërsa totalisht groteske është sugjerimi, që bëhet se një asistencë mjekësore në një veprim suicidal duhet të ofrohet, vetëm kur "kujdesi paliativ nuk ka më tregues". Në rast se ndodh një rast i tillë, atëherë mjekët kthehen në engjëj të vdekjes, sepse kolegët e tyre kanë dështuar. T'i hedhësh kësaj vel dhe ta quash "vdekje në dinjitet", është shumë e rëndë.

Daniel Deckers (Frankfurter Allgemeine Zeitung)

www.faz.net

Të gjitha të drejtat të rezervuara. © Frankfurter Allgemeine Zeitung GmbH, Frankfurt am Main