1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ukrainën mos e lini vetëm

Ingo Mannteufel23 Janar 2014

Gjendja në Kiev është acaruar. Për herë të parë që prej fillimit të protestave kanë humbur jetën demonstrues. Bashkimi Evropian dhe Rusia duhet të pengojnë tani më të keqen, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1AvnM
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Shumë demonstrues të vrarë në përleshjet në rrugët e Kievit janë pika kulmore e hidhur e momentit në konfrontimin që po zgjat prej muajsh midis aktivistëve të Euromaidanit dhe forcave të sigurisë të presidentit Janukoviç. Lufta nëpër rrugët e Kievit tani ka shpërthyer plotësisht.

Që konflikti do të ashpërsohej dhe madje dukej i mundur edhe keqësimi i gjendjes, për këtë shumë kishin frikë se do të ndodhte që prej fundit të javës së kaluar. Me ligje të reja represive, të cilat e kufizojnë në masë të konsiderueshme të drejtën për të demonstruar dhe masa të tjera proteste, presidenti Janukoviç ka llogaritur në mënyrë të qartë një shkallëzim të konfliktit.

Strategjia e shkallëzimit e Janukoviçit

Në vend që të zhvillonte me drejtuesit e moderuar të opozitës negociata serioze në Euromaidan, ligjet e paraqitura papritur ishin një shpallje lufte ndaj ukrainasve që protestojnë prej muajsh. Pasoja qe përçarja e lëvizjes anti-Janukoviç: drejtuesit e opozitës si Vitali Klitschko, u akuzuan nga demonstrues më radikalë dhe të gatshëm për dhunë se patën ndjekur një strategji të gabuar dhe bënë thirrje për dhunë mundër kundër pushtetit shtetëror.

Ukraina ndodhet në buzë të një lufte civile. Ky është rezultati i radikalizimit të demonstruesve dhe i strategjisë së shkallëzimit të Janukoviçit. Protestat nisën në mënyrë paqësore në nëntor, pasi Janukoviçi nuk e nënshkroi një marrëveshje asociimi me BE.

Ndërkohë nuk është më në diskutim vetëm afrimi me Evropën. Ndërkohë në diskutim është vazhdimi i sundimit të Janukoviçit. Me ligjet represive dhe me veprimet brutale të forcave të sigurisë ai konfirmoi mungesën e aftësisë për të vepruar sipas normave demokratike. Prandaj zgjidhja për konfliktin aktual nuk mund të jetë pranvera 2015, kur janë zgjedhjet e rregullta presidenciale.

BE dhe Rusia duhet të veprojnë

Një politikë, e cila synon që ta lërë vetëm Ukrainën është tepër e rrezikshme. Janukoviçi dhe udhëheqësit e opozitës, për aq sa ata mund të flasin në emër të të gjithë demonstruesve, kalojnë në hedhjen e fajit njëri-tjetrit dhe duhet të jetë e vështirë që të gjejnë një zgjidhje nga jashtë. Pra nëse dëshirohet të pengohet zgjerimi i dhunës, në kuadër të së cilës Ukraina mund të shkasë në një situatë të ngjashme me luftën civile, atëherë BE dhe Rusia duhet të veprojnë së bashku.

Për shkak të gjendjes së komplikuar të interesave, të mungesës së përfytyrimeve për objektiva të qarta në politikën evropiane ndaj Ukrainës dhe para së gjithash, për shkak të mendësisë që ekziston në Rusi përsa i përket çështjeve pa fitim në politikën e jashtme, kjo nuk është punë e lehtë. Shembulli i Sirisë ka treguar në mënyrë të tmerrshme, se ku mund të shkojë puna, nëse bashkësia ndërkombëtare rri duarlidhur për shkak të diferencave. Por rasti i Sirisë sapo e ka treguar gjithashtu qartë, se presioni perëndimor - dhe BE duhet të kërcënojë më në fund me sanksione kundër regjimit të Janukoviçit - si dhe një politikë më pragmatike e Rusisë mund të sjellin zgjidhje politike. Shkarja e Ukrainës në një situatë të ngjashme me luftën civile nuk mund të jetë as në interesin e Rusisë, as në interesin e Perëndimit. Në këtë pikë duhet të drejtohen përpjekjet diplomatike të BE ndaj Moskës.