1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëizolimi i Zvicrës cënon Evropën

Bernd Riegert10 Shkurt 2014

Me shumicë të ngushtë zvicerianët vendosën me votën e tyre për dhënien fund imigracionit të lirë të qytetarëve të BE-së. Një gabim me pasoja për Zvicrën dhe Evropën, mendon korrespondent i DW për Evropën, Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1B656

Zvicerianët duan të mbyllen në vetvete dhe të shfuqizojnë lëvizjen e lirë të personave, e cila me disa kufizime vlen edhe për të gjithë qytetarët e BE-së. Epo mirë, le ta bëjnë! Do ta shohin se çfarë do të kenë prej saj, mund të thuhet nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian në Bruksel. Por ky do të ishte një qëndrim shumë dritëshkurtër, pasi pasojat nuk do t'i ndiejë vetëm Zvicra. Edhe në BE kërcënon tani të rindizet sërish debati për zgjedhjen e lirë të vendit të punës dhe banimit. Tema madje mund të bëhet një nga elementët përcaktues në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në fund të majit.

Megjithëse shoqatat zviceriane të ekonomisë dhe të gjitha partitë, me përjashtim të Partisë Popullore populiste të djathtë, ishin kundër një rregulli të ri për imigracionin, zgjedhëset dhe zgjedhësit zvicerianë i shkuan pas izolacionistëve. Ndjenja e mbytjes nga të huajt, e humbjes së kulturës së vet, rezultoi vendimtare. Arsye racionale nuk kishte, pasi Zvicra ka përfituar nga imigrimi i punëmarrësve të kualifikuar nga BE-ja. Në Zvicër jetojnë një milion qytetarë të BE-së, ata përbëjnë një të tetën e popullsisë. Çdo vit atyre u shtohen rreth 80.000 migrantë të rinj, të cilët në Zvicër paguajnë taksa dhe nuk e rëndojnë thuajse aspak shtetin social. Megjithatë vitet e fundit opinioni për lëvizjen e lirë të personave ka ndryshuar negativisht, nxitur nga Partia Popullore, e cila gjithsesi është grupi më i fuqishëm parlamentar në Parlamentin kombëtar.

Zvicra po rrezikon shumë

Në Bruksel, qendrën e BE-së, mbizotëron mungesa e mirëkuptimit për kokëfortësinë zviceriane. Vendimi demokratik i zvicerianëve do të respektohet, thuhet me një farë pezmatimi. Marrëveshjet e shumta dypalëshe, që lidhin Zvicrën dhe BE-në me njëri-tjetrin, janë në rrezik. Tani shumë do të varet nga negociimi i ri i lëvizjes së lirë të personave mes qeverisë zviceriane dhe BE-së. Integrimi thuajse i plotë i Zvicrës në tregun e brendshëm evropian është në rrezik. Duket se zvicerianët e kanë dashur këtë, megjithëse BE është partneri më i madh tregtar i Zvicrës dhe 480.000 zvicerianë jetojnë në BE. As për qytetarët zvicerianë liria e lëvizjes nuk do të vlejë më. Iniciativa që u miratua nga zvicerianët, i lë ende pak hapësirë veprimi qeverisë dhe Këshillit Federal. Kuota kontrete imigrimi nuk janë parashikuar. Komisioni i BE-së në Bruksel pret negociata të gjata.

Ngarkesë për fushatën elektorale evropiane

Tani ekziston rreziku që të marrë vërtet zjarr brenda BE-së diskutimi për imigracionin, të huajt dhe lirinë e lëvizjes së personave. Atë që bëjnë zvicerianët, e planifikon në të vërtetë edhe kryeministri britanik euroskeptik David Cameron. Ai kërkon të kufizojë imigrimin nga shtetet e reja të BE-së në vendin e tij dhe kërkon me zë të lartë reforma në BE.

Edhe Partia Kristiansociale (CSU) në Bavari duket se është gëzuar, edhe pse jo hapur, për mbylljen në vetvete të Zvicrës. Kjo prodhon argumente për luftimin e të ashtuquajturit imigracion për shkak të varfërisë nga Rumania dhe Bullgaria, të cilin e kanë vënë në shënjestër para së gjithash partitë konservatore në Gjermani. Për partitë populiste të djathta në gjithë Evropën, qoftë Marine Le Pen në Francë apo Geert Wilders në Holandë, vendimi i zvicerianëve është material i mirëpritur për fushatën elektorale evropiane, që fillon së shpejti. Ajo që bën Zvicra e pasur, nuk mund të jetë aq e gabuar, do të argumentojnë ata.

Nëse do të vihet dorë në zgjedhjen e lirë të vendit të punës dhe banimit të të gjithë qytetarëve brenda BE-së, do të cënohej një nga shtyllat qendrore të gjithë marrëveshjes evropiane. Kjo nuk duhet të ndodhë, pasojat sociale dhe ekonomike do të ishin katastrofale. Mbyllja në vetvete, demarkacioni, nacionalistët e mbyllur në guackën e tyre, nuk duhet të kenë më asnjë shans në Evropë.

BE duhet të tregohet e vendosur në negociatat e ardhshme me Zvicrën. Nëse nuk mund të ketë liri lëvizjeje për personat, atëherë nuk duhet të ketë as liri lëvizjeje për mallrat dhe kapitalin. Bankat zviceriane duan të administrojnë paratë e evropianëve të pasur, por njerëzit duhet të rrinë jashtë. Kjo nuk shkon në asnjë mënyrë.