1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjunjëzimi jo i sinqertë i Nikoliqit

Verica Spasovska26 Prill 2013

Kërkimi i faljes i presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq për masakrën e Srebrenicës nuk është i sinqertë. Ai është vetëm një hap në drejtimin e duhur, drejt pajtimit mes popujve.

https://p.dw.com/p/18NnC

Është interesante që pikërisht Nikoliqi në një intervistë për Televizionin boshnjak BHT e pranon hapur fajin për krimet e serbëve në masakrën më të tmerrshme ndaj myslimanëve boshnjakë. Për dallim prej Boris Tadiqit me orientime pro perëndimore, i cili poashtu ka kërkuar falje, Nikoliqi ka qenë një ultracionalist nga i cili Evropa nuk ka pritur një gjest të tillë. Nikoliqi ka kundërshtuar deri para disa vitesh hapur dorëzimin e Mlladiqit dhe Karaxhiqit në Hagë, ku akuzohen për krime lufte. Tribunalin e quante si të njëanshëm. Deklarata e tij si një përfaqësues i bllokut të djathë politik është një sinjal i rëndësishëm brendapolitik. Ndaj nuk është ndonjë befasi që ai kritikohet nga qarqet nacionaliste në vend.

Mungesa e sinqeritetit

Por çfarë pasojash mund të ketë ky kërkim falje për viktimat? Organizatat e viktimave janë të rezervuara. "Nënat e Srebrenicës" kritikojnë Nikoliqin se nuk mund ta nxjerrë nga goja edhe fjalën gjenocid. Së pari duhet shikuar nëse presidenti serb ka bërë përpjekje që të relativizojë dhe t'i barazojë krimet në hapsirat e ish - Jugosllavisë, të cilat kanë pasur edhe karakteristikat e gjenocidit. Në deklaratën e tij ka fjali relativizuese, ku mund të shtrohet pyetja e sinqeritetit të kërkimit falje.

Në foto, Verica Spasovska
Në foto, Verica SpasovskaFotografi: DW/N Rujevic

Këto dyshime duhet thelluar edhe për disa aspekte të tjera: Kur ai flet për "gjunjëzimin dhe kërkon falje për Serbinë", Nikoliqi rri i ulur në kolltuk. Pendimi i mirëfilltë duket ndryshe. Gjunjëzimi i ish kancelarit gjerman Willy Brandt në Varshavë para disa dekadash para përmendores së viktimave të nacionalsocializmit, ishte një gjest vërtetë i bindshëm. Ndaj ky gjes autentik ka shkruar edhe histori.

Ai ka nevojë për më shumë se vetëm fjalë

Fjalët e Nikoliqit mund të kuptohen vetëm në kontekstin e afrimit me Bashkimin Evropian. Qëllimi më i lartë është marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës. Nën presionin e krizës së rëndë ekonomike, perspektiva e afrimit të qeverisë serbe me BE-në është më e rëndësishme se sa ndjesitë nacionale. Ndër këto ndjesi bën pjesë edhe bindja e përhapur se Tribunali i Hagës është themeluar vetëm për të dënuar serbët, të cilët sipas tyre, kanë qenë viktima e vërtetë e shkatërrimit të ish - Jugosllavisë.

Atij i duhen më shumë se vetëm fjalë për të ndryshuar këtë bindje të përhapur dhe për të mundësuar një proces të vërtetë të pajtimit. E domosdoshme është një përballje me historinë më të re dhe përgjegjësinë për luftërat në ish-Jugosllavi. I domosdoshëm është shkëmbimi i të rinjtëve që janë të gatshëm të shkëmbejnë mendime për pespektivën. Vetëm kur fjalët të pasohen me vepra mund të besohet se pajtimi me të vërtetë është i mundur dhe i dëshiruar. Vetëm atëherë viktimat e Bosnjë e Hercegovinës mund të pranojnë një kërkim falje.