1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisari i BE-së Oettinger përshëndet marrëveshjen TAP

afp13 Shkurt 2013

Linja transadriatike e gazsjellësit do të nisë në Komotini të Greqisë dhe përmes Shqipërisë në Detin Mesdhe do të arrijë në Itali.

https://p.dw.com/p/17dib
ARCHIV - EU-Energiekommissar Günther Oettinger (CDU) spricht am 19.07.2011 während einer Pressekonferenz in Brüssel. Oettinger hat die hohen Strompreise in Deutschland kritisiert. Foto: EPA/Olivier Hoslet dpa (zu dpa 0109 vom 13.08.2012) +++(c) dpa - Bildfunk+++
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisari i BE-së për Energjetikën Günther Oettinger përshëndeti marrëveshjen mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë për ndërtimin e linjës transadriatike të gazsjellësit, TAP, e cila do të sjellë gazin në Evropë nga hapesira e Detit Kaspik. Marrëveshja TAP është pjesë e planeve për një korridor jugor të gazit, që ka për qëllim të lidhë Bashkimin Evropian me burimet e pasura të gazit në hapësirën e Detit Kaspik, tha Oettinger të mërkurën (13.02.2013) në Bruksel.

Marrëveshja u nënshkrua në Athinë në një ceremoni me praninë edhe të kryeministrit të Greqisë, i cili theksoi, se "rëndësia e këtij projekti i tejkalon kufijtë e tri vendeve, duke siguruar furnizimin me energji në Evropë." Marrëveshja tripalëshe u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Greqisë, ministri italian i Ekonomisë dhe Zhvillimit dhe zëvendëskryeministri dhe ministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga Azerbaxhani të konsorciumit TAP.

Linja transadriatike e gazsjellësit do të nisë në Komotini të Greqisë dhe përmes Shqipërisë në Detin Mesdhe do të arrijë në Itali. Sipas komisarit të BE-së Oettinger, ajo do të lidhet me linjat ekzistuese në Itali dhe në Greqi. Gazi që do të transportohet do të vijë kryesisht nga Azerbaxhani.

TAP, sipas planifikimit do të jetë krahu i dytë evropian i korridorit jugor të gazit. Krahu tjetër është Nabucco-Perëndimor, një linjë e cila përmes kufirit turko-bullgar kalon në Austri. Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, ende nuk është përcaktuar, nëse do tëketë një ose dy linja gazsjellësi, të cilat do të shpërndajnë gazin nga Azerbaxhani në Evropë.

Korridori jugor është në konkurrencë me projektin e kryesuar nga Rusia South-Stream.