1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komision hetimor parlamentar për shkaqet e trazirave të dhunshme

24 Janar 2011

Kryeministri Berisha kritikon punën e prokurorisë dhe të shërbimit informativ. Rama i përshkruan qëndrimet e maxhorancës si propagandistike që kërkojnë të demotivojnë protestën e opozitës.

https://p.dw.com/p/101VH
Vendosje qirinjsh në vendin ku humbën jetën demonstruesFotografi: AP

E diela nisi me një angazhim dinamik të diplomatëve përendimorë të akredituar në Tiranë, që palët t'i japin fund retorikës konfliktuale dhe të rinisin dialogun. Por në orët e mbrëmjes u mbyll me qëndrime, që i vendosën edhe më larg maxhorancën dhe opozitën sa i takon gjykimeve dhe vlerësime për demonstratën e 21 janarit në Tiranë. Gjithashtu duke mbajtur pezull dhe procesin e hetimit të episodeve të dhunshme të asaj demonstrate antiqeveritare ku mbetën të vrarë tre qytetarë, si dhe u plagosën dhe lënduan dhjetëra të tjerë, mes tyre dhe efektiva të rendit.

Thirrjes për zhvillimin e seances së jashtëzakonshme të parlamentit në mbrëmjen e së dielës ju përgjigjën vetëm deputetët e maxhorancës. Ata gjatë diskutimit e përshkruan demostratën si “tentativë për puç institucional”, si një aksion opozitar “për marrjen e pushtetit me dhunë”. Kryeministri Sali Berisha, duke iu kthyer asaj që ndodhi të premten përballë zyrave të qeverisë ka fajësuar prokuroren e republikës Ina Rama se ka lëshuar urdhëra të jashtëligjshëm për ndalimin e 6 gardistëve. Sipas kryeministrit ky akt i prokurorisë e bën këtë institucion të njëanshëm. Madje ai u shpreh dhe për bashkëpunim mes Ina Ramës dhe Edi Ramës në hetime. Kreu i qeverisë ka shigjetuar për mosaktivizim në kryerjen e detyrës dhe Shërbimin Informativ Kombëtar. Të gjithë e dinin se po përgatiteshin trazira nëpërmjet demonstratës, vetëm SHIK-u nuk e dinte, tha kryeministri.

“Gjithë agjencitë e huaja mike kishin shprehur shqetësimin e tyre për ecurinë. Me datë 20 janar me shkresë zyrtare SHIK-u dërgon zero të dhëna për policinë e shtetit. Çfarë e shurdhoi, çfarë e verboi, çfarë i mbylli sytë dhe çfarë i mbylli veshët këtij Shërbimi? Kjo është punë e tij, por është dhe punë e shtetit”.

Për këtë arsye kryeministri tha se ishte e domosdoshme që nga ana e parlamentit të kishte një hetim të plotë mbi angazhimin e institucioneve para dhe gjatë demonstratës së opozitës. Komisioni hetimor sipas maxhorancës nuk do të kishte në fokus hetimet që po kryente prokuroria e republikës. Ndaj dhe e votoi atë me 73 vota, të aq deputetëve sa ndodheshin në sallë. Gjithashtu maxhoranca votoi dhe një rezolutë ku dënohej dhuna e ushtruar ndaj forcave të rendit dhe institucioneve gjatë aktivitetit të opozitës të premten e kaluar. Në qendër të kritikave dhe akuzave si dhe shkaktarin kryesor të trazirave e humbjen e jetës të tre qytetarëve maxhoranca vuri shefin e opozitës Edi Rama. Sipas saj, gjithçka ishte tentivë për puç institucional, për arritjen e objektivit të marrjes së pushtetit me dhunë.

Por ndërkohë që vijonte seanca plenare shefi i opozitës Rama nga selia e PS-së fajësoi qeverinë për dhunën që ishte ushtruar ndaj protestuesve. Ai i quajti si precedent të rrezikshëm për demokracinë sulmet që bëheshin ndaj prokurorisë. Rama dënoi mosekzekutimin nga policia të urdhër arrestit për 6 gardistët, të cilët i quajti fajtorë të drejtëpërdrejtë për vrasjen e tre demonstruesve dhe të plagosurve të tjerë pasditen e së premtes. Akuzat ndaj opozitës Edi Rama i vlerësoi si një propagandë të pushtetit për të demotivuar opozitën dhe kauzën e saj. Ne do të vijojmë protestën tonë pavarësisht kërcënimeve të pushtetit, tha Rama

“Unë jam në këtë betejë bashkë me të tjerë. Për të çuar përpara një ëndër të marrë peng. Ëndrën e Shqipërisë evropiane. Për të çuar përpara një betejë, që populli nuk do ta lërë përgjysmë. Betejën për një Shqipëri ku mund të votohet lirisht, ku vota numërohet ndershmërisht, ku qeveria varet nga populli dhe jo populli nga qeveria”.

Opozita ka lajmëruar të premten më datë 28 janar mbajtjen e një demonstrate në bulevardin qendror të Tiranës, sipas saj, për të kujtuar tre të vrarët në fundjavën e kaluar. Kurse maxhoranca ka shtyrë për ditën e shtunë një miting paqësor me qytetarë nga i gjithë vendi, që do të zhvillohet po në kryeqytet me moton: “Kundër dhunës”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj