1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE-së: një në dhjetë trajtime në spitale në BE ka mangësi

10 Janar 2011

Kushtet higjienike në spitalet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, sipas komisionerit për Shëndetësinë John Dalli, janë "alarmante". Çdo vit vdesin nga infektimet në spitale rreth 37.000 persona.

https://p.dw.com/p/zvpw
Spitalet në BE me mangësi të mëdha në higjienë dhe kualifikim personeli.Fotografi: AP

Komisioni i BE-së ka kritikuar cilësinë e trajtimeve mjekësore në spitale në Evropë. "Në Bashkimin Evropian, një në dhjetë trajtime mjekësore në spitale shoqërohet me dëm për pacientin. Shumë prej këtyre gabimeve në trajtimin mjekësor mund të shmangen", tha komisioneri i BE-së për Shëndetësinë John Dalli për gazetën gjermane «Die Welt» (10.01.11). Ai kërkon një menaxhim më të mirë në spitale dhe kualifikim të vazhdueshëm të personelit.

Komisioneri i BE-së për Shëndetësinë dhe Politikën e Konsumatorit, John Dalli.
Komisioneri i BE-së për Shëndetësinë dhe Politikën e Konsumatorit, John Dalli.Fotografi: AP

Kushte higjienike alarmante

Situata e higjienës në spitale është alarmuese, ka thënë komisioneri. "Rreth 37.000 vetë në vit vdesin në BE si pasojë e infeksioneve në spitale, dhe rreth 4,1 milionë pacientë infektohen çdo vit në spitale", tha Dalli. Në këtë sektor nuk duhet të kursehet, edhe pse shumë spitale janë në trysni financiare.

Zëdhënësi i Shoqatës gjermane për Higjenën në Spitale, Klaus-Dieter Zastrow, tha për gazetën "Die Welt", se në shumë trajtime mjekësore, nuk respektohen strandardet minimale të higjienës. "Vdesin shumë njerëz të cilët nuk kishin pse të vdisnin", tha ai.

Kërkohen standarde të njësuara për higjienën në Gjermani

Repartet e reanimacionit veçanërisht natën nuk janë gjithnjë të pajisur në mënyrë të mjaftueshme për të garantuar higjenën e nevojshme për të mirën e pacientëve.

Zastrow kërkoi rregulla unike në Gjermani: "Bakteret janë kudo të njëjta dhe nuk ka ndryshime mes landeve të ndryshme."

Autor: dpa; epd; bc; exh

Redaktoi: Pandeli Pani