1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE-së: Serbia ka bërë përparime për afrimin në BE

Bernd Riegert 1 Shkurt 2008

Vendimi për ose kundër kursit të Serbisë drejt Evropës - kështu vlerësohen në përgjithësi zgjedhjet presidenciale në Serbi, ku në balotazhin e së djelës (03.02) do të përballen Tadic dhe Nikolic.

https://p.dw.com/p/D10X
Serbia mes BE-së dhe RusisëFotografi: AP/DW

Balotazhi i zgjedhjeve presidenciale të djelën (03.02) në Serbi konsiderohet në Evropë si dhe pjesërisht edhe vet në Serbi si vendimi për fatin apo drejtimin e ardhshëm të vendit, si një votë mes vetizolimit dhe prapambetjes nga njëra anë dhe përparimit e orientimit drejt BE-së nga ana tjetër. Komisioni i BE-së në Bruksel përpiqet megjithatë ta zbusë dramacitetin e këtyre zgjedhjeve. Për Komisionin afrimi i Serbisë në BE është i pakthyeshëm. Themeli për këtë është hedhur përpara vitesh.

Në samitin e Selanikut në vitin 2003 BE-ja u dha premtimin të gjitha vendeve të Ballkanit duke përfshirë edhe Serbinë , se do t´i pranojë të gjitha bashkë në komunitet, sapo ato të përmbushin kriteret.

Serbien Ersatzabkommen
MPJ serb Vuk Jeremic dhe Havier SolanaFotografi: AP

Këtë perspektivë nuk e ndryshojnë zgjedhjet në Serbi, thotë me bindje të plotë Havier Solana, i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme: "Eshtë mëse e vërtetë, se e shohim në interesin tonë të përbashkët, që BE-ja dhe Serbia duhet të kenë një të ardhme të përbashkët. Në këtë drejtim s´ka ndryshuar asgjë as gjatë dhe as pas zgjedhjeve. Kështu ka qenë vitin e kaluar kështu do të jetë edhe sivjet."

BE-ja përpiqet t'i krijojë Serbisë ura lidhjeje dhe lehtësime

Për BE-në Serbia është një komponente e domosdoshme për një shtëpi evropiane të qëndrueshme në Ballkan. Këtij shteti dhe paradhësve të tij qysh nga fundi i vitit 2000 i janë bërë lëshime për favorizimin e tregtisë dhe i janë ofruar programe ndihme, që shërbejnë për afrimin në BE. Pak para kësaj ishte rëzuar nga pushteti presidenti i atëhershëm Sllobodan Milosevic. Qysh nga 2005 të dyja palët negociojnë për marrëveshjen e stabilizim-asocijimit (MSA), që presupozon hapin e parë drejt antarësisë. Olli Rehn, komisioneri i BE-së për zgjerimin, mendon, se kjo marrëveshme tashmë e negociuar mund të nënshkruhet së shpejti. Serbia është në rrugën më të mirë për të bashkëpunuar plotësisht me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi: "Që me krijimin e qeverisë së re pranverën e vitit 2007 është intensifikuar bashkëpunimi me Tribunalin. Ndërkohë janë shmangur shumë mangësi në forcat e rendit, në procesin e hetimeve dhe në aksesin tek dokumentat dhe arkivat. Ndaj ka arësye për të thënë, se Serbia është fare pranë një bashkëpunimi të plotë me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës." Pikërisht për këtë çështje dështoi në mbledhjen e fundit të këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së nënshkrimi i MSA. Holanda dhe Belgjika thanë jo. BE-ja përpiqet t´i krijojë ura të tjera lehtësimi Serbisë. Në janar hynë në fuqi lehtësimet e vizave për studentët, shkencëtarët dhe të tjera grupe profesionale. Përpara disa ditësh nisën bisedimet për qarkullimin e lirë pa viza.

Njohja e pavarësisë së Kosovës mund t'i rëndojë marrëdhëniet Bruksel - Beograd

Megjithatë marrëdhëniet mes Brukselit dhe Beogradit mund të rëndohen, sapo vendet antare të BE-së do të fillojnë të njohin Kosovën si shtet, që së shpejti do të shpallë pavarësinë. BE-ja do të ndihmojë në mënyrë masive në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn shpreson, se qeveria serbe me arësye dhe do ta kuptojë, që mund të ketë një të ardhme për Serbinë dhe për Kosovën në BE: "Këto ditë në Serbi vendoset shumë. Njerëzit në Serbi do të zgjedhin mes së shkuarës nacionaliste dhe së ardhmes evropiane. Unë jam i bindur, që ata do të vendosin për të ardhmen në Evropë."

Brukseli e sheh me shqetësim intensifikimin e lidhjeve mes Rusisë dhe Serbisë

Me shqetësim shihet në Bruksel intensifikimi i lidhjes mes Rusisë dhe Serbisë si dhe investimi masiv i firmës shtetërore Gazprom në Serbi. Serbia si një spirancë ruse në Ballkan nuk i përshtatet vizionit të BE-së për pranimin e plotë të të gjitha ish-republikave jugosllave.