1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni për demarkacionin: Kosova nuk humb territor

Bekim Shehu
21 Shkurt 2017

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, konstaton se Kosova momentalisht ka një sipërfaqe prej 10.905.25 kilometrash katrorë dhe se nuk ka humbur territor me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

https://p.dw.com/p/2Xybb
Panorama Kosovo
Peizazh në kufirin Kosovë-Mali i Zi me Bjeshkët e Nëmuna në sfondFotografi: picture alliance/blickwinkel/B. Trapp

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, publikoi të dhënat e tij të martën (21.02), duke konstatuar se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Komisioni për matjen e territorit të Kosovës u formua një muaj më parë nga qeveria e Kosovës, pas pretendimeve të vazhdueshme të opozitës kosovare se Kosova me marrëveshjen e demarkacionit të 25 gushtit të vitit 2015 me Malin e Zi, humb mbi 8000 mijë hektar tokë.

Në një konferencë për media, kryetari i komisionit Hivzi Islami tha se "në mbështetje të të dhënave dhe gjetjeve shkencore që u ofruan nga institucionet pjesëmarrëse në këtë komision, komisioni i ekspertëve e njofton qeverinë se madhësia territoriale para 25 gushtit 2015, pra nga viti 1961 është 10 mijë e 876 kilometra katrorë. 10 mijë e 908 kilometra katrorë sipas planit të Marti Ahtisarit, ndërsa, sipas matjeve të fundit Kosova ka territor 10.905.25 km katrore, pra një ndryshim shumë i vogël”.

Komisioni larg ndikimeve politike

Kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, i cili njëherësh është edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se "puna e Komisionit ishte e pavarur dhe larg ndikimeve politike”.

"Ekzistojnë kufijtë adminstrativ midis Kosovës dhe shteteve që kufizohet Kosova, padrejtësisht të vëna nga Serbia. Të gjitha vendimet e marrëveshjes bazohen në dokumente ndërkombëtare, institucionet tona janë zotuar se do t'i zbatojnë, që është marrëveshja tekniko ushtarake e Kumanovës, Plani i gjithëpërfshirës i Marti Ahtisaarit, Rregullorja e UNMIK-ut, marrëveshja për demarkacionin e nënshkruar me 25 gusht 2015, konstatimi i departamentit amerikan që kohë më parë shqyrtoi vijën kufitare të Kosovës me Malin e Zi dhe tha se Kosova nuk humb territor”, tha Hivzi Islami.  Sipas tij, të gjitha të dhënat dhe konkluzionet e komisionit do t'i ofrohen opinionit publik, e pastaj do t'i dorëzohen Qeverisë.

Tre anëtarë të komisionit u shprehën, se nuk pajtohen me përfundimet  e komisionit. Agron Luta, Faruk Bojaxhiu dhe Fitim Humolli janë shprehur kundër raportit. "Duhet të deklarojmë atë që kemi thënë edhe dje në komision se nuk pajtohemi me vlerësimin e raportit nga ana profesionale. Raporti është joprofesional”, tha njëri nga anëtarët e komisionit Agron Luta.

Ndërsa, Fitim Humolli, anëtar komisionit, i vetmi gjeograf në komision që dha dorëheqje një ditë më parë, tha se ”metodologjia e komisionit mbi bazën e kadastrit është e gabuar dhe janë anashkaluar institucionet profesionale në punën e komisionit”. Partitë politike opozitare edhe pas formimit të komisionit për matjen e territorit të Kosovës nga ana e qeverisë një muaj më parë, thanë se ata nuk do të jenë pjesë e këtij komisioni, për sa kohë nuk shfuqizohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Kosova dhe Mali i Zi me 25 gusht të vitit 2015 nënshkruan marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa, parlamenti i Kosovës akoma jo, për shkak të kundërshtimeve të ashpra të opozitës, e cila pretendon që Kosova me marrëveshjen e 25 gushtit humb territor. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës janë shprehur se në fillim të muajit mars do ta procedojnë për ratifikim në kuvend marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, si kusht ky i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.