1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duarlidhur ndaj censurës në Kinë

PP2 Gusht 2008

Si dikur perandorët e Kinës mboheshin prej murit të madh, pushtetarët e sotëm kinezë mundohen të mbrohen me një mur virtual censure.

https://p.dw.com/p/Ep7f
Zyra e shtypit e Olimpiadës në PekinFotografi: picture-alliance/ dpa

Censurimi i internetit dhe i medieve në Kinë në prag të Olimpiadës 2008 janë në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman, i cili kritikon edhe qëndrimin duarlidhur të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

«Volksstimme» (Magdeburg) shkruan:

Dikur Kina rrethohej prej murit të madh, i cili u jepte sundimtarëve idenë e stabilitetit prej ndikimeve të dëmshme nga jashtë. Po me sa duket në Kinën me sistemin e saj monopartiak nuk ka ndryshuar gjë as sot. Vetëm se sot armiqtë nuk janë kalorësit e egër nga veriu, por masmediet moderne. Rreziku vjen prej tyre dhe për këtë Pekini zyrtar e mbyll rrjedhën e informacionit përmes censurimit të internetit apo ndalimit të importit të gazetave të huaja. Sa më tepër afrohet Olympiada aq më qartë e tregojnë pushtetmbajtësit fytyrën e tyre të vërtetë. Ata po krijojnë një mur të ri. Trashëgimtarëve të Maos nuk u bëjnë përshtypje premtimet që kanë dhënë dhe fajin për këtë e ka edhe qëndrimi i përulur i IOC-së, që i shohin pa ndërmarrë asgjë veprimet e perandorëve të kuq.

«Nordbayerischer Kurier» (Bayreuth) vëren:

Pushtetarëve të Pekinit iu bë muajt e fundit e qartë se Lojërat Olimpike përbëjnë një sfidë të pakalkulueshme për vendin. Papritur problemet e mëdha të Kinës, shkatërrimi i natyrës apo kufizimi i lirisë së shprehjes së mendimit, nuk mund të fshihen. Sportistët do të sjellin me vete një qëndrim prej kozmopolitësh. Të shpresojmë se me Lojërat Olimpike edhe Kina do të marrë rrugën e drejtë.

«Der neue Tag» (Weiden) komenton:

Pekini 2008 nuk është Berlini i 1936-s. Jo vetëm se atëhere nuk kishte internet, por edhe se anëtarët e Komitetit Olimpik që vendosën në vitin 1931 që Lojërat Olimpike të zhvilloheshin në Gjermani nuk e dinin se në vitin 1933 Republika e Vaimarit do të zëvendësohej prej një regjimi diktatorial.

Po në rastin e Pekinit IOC mund ta përfytyronte në momentin kur mori vendimin në vitin 2001 se ideja olimpike nuk do ta shndërronte Kinën në një kopsht të demokracisë. Po IOC-ja duhet se nuk e vret shumë mendjen për këtë. IOC-ja thotë se sporti nuk ka asnjë lidhje me paratë, pale pastaj me politikën. Kaq naivë nuk mund të jenë as anëtarët e IOC-së.