1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompani të huaja do të asistojnë fushatën elektorale në Shqipëri

9 Prill 2009

Deri tani tre parti parlamentare, PD, PS dhe LSI kanë nënshkruar kontrata me kompani të huaja të marrëdhënieve me publikun për asistencë në performancën e tyre para publikut për zgjedhjet e 28 qershorit.

https://p.dw.com/p/HTsn
Pamje nga TiranaFotografi: DW / Cama

Sipas ligjit fushata elektorale në Shqipëri zyrtarisht do edhe disa javë të startojë. Por faktikisht ajo ka javë që ka nisur. Politikanët kryesorë po lëvizin dhe po marrin kontakt më mbështetësit dhe simpatizantët nga njëri qytet në tjetrin, deri në komuna e fshatra. Po shpalosin programin, po bëjnë premtimet. Në selitë e partitë kryesore janë instaluar tashmë dhe ekipet e konsulencës nga agjensi e kompani të huaja, të cilat do të menaxhojnë fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit.

Mikpritësit e tyre në Tiranë po trumbetojnë me të madhe se "ustallarët", që po i këshillojnë, kryesisht amerikanë, janë nga më të mirët dhe me shumë eksperiencë. Kanë këshilluar më herët në fushata elektorale presidentë dhe kandidatë për presidentë, parti politike e organizma ndërkombëtare. Kjo reklamë, që iu bëhet të huajve, është gati e barabartö me entuziazmin e "fitores së sigurtë" në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sitz der Demokratischen Partei in Tirana Albanien
Selia e partisë demokratike në TiranëFotografi: DW / Cama

Deri më tani kontrata me kompani të specializuara të marrëdhënieve me publikun kanë nënshkruar Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Cerciz Loloci, drejtor për marrëdhnëiet me publikun në Fondacionin SOROS në Tiranë, mendon se asistenca e këtyre kompanive pritet të japë efekte pozitive në zhvillimin e fushatës elektorale. Por gjithësesi ai nuk e fsheh edhe një lloj skepticizmi se sa do të arrijnë të zbatojnë "recetat" e ekspertëve të huaj politikanët kryësorë. Duke folur për DW, Loloçi, i referohet precedentit të 4 viteve më parë, kur psh dy tö mëdhenjtë PD dhe PS nuk e zbatuan deri në fund kodin e etik të sjelljes, që nënshkruan para fushatës elektorale në 2005-n.

"Kjo u ruajt vetëm në fillim të fushatës. Më pas afër ditës së zgjedhjeve kodi u harrua, nuk u respektua. As studiot e huaja, që u angazhuan gjatë asaj fushate, nuk arritën të ndryshonin situatën", thotë Loloçi.

Por cilat janë aspektet ku politikanët shqiptarë kanë më shumë nevojë të asistohen nga ekspertët e huaj?

Wahlsondierung Albanien
Selia qendrore e Partisë socialiste në TiranëFotografi: Arben Muka / DW

Alban Bala, drejtor i agjensisë lokale të marrëdhënieve me publikun, COMPORT, thotë se ata "do të përqëndrohen më shumë tek kërkimi dhe hulumtimi i problematikës, me të cilën ndeshet elektorati. Në zgjedhjet e mëparshme subjektet politike në Shqipëri nuk kanë patur të dhëna të detajuara në këtë drejtim. Bën përjashtim këtu fushata elektorale lokale e Edi Ramës në vitin 2007, ky synohej mbajtja nën kontroll e trendeve të zonës, ku ai konkuroi. Por pa ta shikosh në rang kombëtar kjo është shumë e kushtueshme dhe diçka e re. Pra mendoj se në rradhë të parë kompanitë e huaja do të përqëndrohen tek hulumtimi".

Cerciz Loloçi nga Fondacioni SOROS në Tiranë mendon se shumë energji të huajt do të shpenzojnë, që politikanët shqiptarë të përballojnë debatet televizive me njeri-tjetrin. "Ata do të fokusohen dhe tek lista e premtimeve, që do të bëhen për publikun. Që ato të jenë sa më afër realitetit, sa më afër shqetësimeve të qytetarëve".

A janë krijuar kushtet që asistencën për partitë politike gjatë fushatës elektorale ta bëjnë agjensi a kompani shqiptare?

Alban Bala thotë për DW se kjo nuk mund të bëhet me urdhër, ose me një direktivë. "Kjo funksionon, kur kompanitë e mëdha të marrëdhënieve me publikun të kenë dhe degët e tyre lokale në Shqipëri. Aktualisht ka më shumë filiale të kompanive e agjensive të mëdha për reklama, por fare pak në fushën e marrëdhënieve me publikun. Kjo do të fillojë gradualisht të zhvillohet. Kur kompanitë e mëdha do t'u japin filaleve lokale jo vetëm besueshmërinë për të operuar në treg, por dhe një suport professional të domosdoshëm".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica