1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KOMRA zbardh krimet e luftës në ish Jugosllavi 1991-2001

30 Nëntor 2010

KOMRA quhet iniciativa për formimin e një Komisioni rajonal i cili do të vërtetojë dhe publikojë faktet mbi krimet e luftës në ish hapsirat e Jugosllavisë që kanë ndodhur nga viti 1991 deri më vitin 2001

https://p.dw.com/p/QLi6
Logoja e nismës KOMRA
Logoja e nismës KOMRAFotografi: KOMRA

Disa qindra shoqata civile, duke përfshirë edhe shoqatat e viktimave, veteranëve, familjarëve, të personave të zhdukur, shoqata e të burgosurve të luftës dhe individë të shquar nga hapsirat e ish Jugosllavisë kanë krijuar koalicionin për nismën KOMRA që ka si qëllim krijimin e një Komisioni të pavarur rajonal i cili do të vërtetojë dhe të publikojë faktet mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në periudhën 1991-2001 në vendet e ish Jugosllavisë. Iniciatorët e KOMRA-s nga Maqedonia, Serbia, Kosova, Bosnja, Mali i zi dhe Kroacia janë të mendimit se me formimin e komisionit do të kontribuohet në zbardhjen e krimeve të luftës nga e kaluara. Është me rëndësi se KOMRA do të jetë jashtë trupit gjykues dhe nuk do të përzihet në përgjegjësitë e gjykatave dhe proceseve të cilat janë në rrjedhë e sipër.

KOMRA paraqet platformë të viktimave dhe përmes saj do të mund të dëgjohet zëri i viktimave pasi vleresojmë se proceset të cilat po zhvillohen pas përfundimit të luftërave në ish Jugosllavi nga viti 1991 deri në përfundimin e luftës në Maqedoni në vitin 2001 nuk janë të mjaftueshme për proceset e pajtimit”, thotë Boro Kitanovski koordinator i iniciativës KOMRA për Maqedoninë.

Logoja KOMRA në maqedonisht
Logoja KOMRA në maqedonishtFotografi: Komra

Iniciativa KOMRA miraton dhe respekton vendimet e saj me shumicë

Vetëm qasja rajonale do të mund të nxjerr në shesh të gjitha rastet për krime lufte. Komisioni mund tu ndihmojë shumë prokurorive për krime lufte me sigurimin e provave, me inkurajimin e dëshmitarëve të viktimave që të marrin pjesë në gjykimet për krime lufte si dhe në organizimin e dosjeve mbi rastet e caktuara. Iniciativa KOMRA është unike dhe meriton mbështetje afatgjatë, thotë Gordana Duvnjak, anëtare e KOMRA-s në Maqedoni. Jo gjithnjë kemi qëndrime identike, por ajo që është me rëndësi ka të bëjë me faktin se vendimet në KOMRA miratohen dhe respektohen me shumicë.

Një nga qëllimet e kësaj iniciative është që rajoni të kalojë përmes një katarze shoqërore dhe ti jap një përkushtim të merituar të gjitha viktimave në ish hapësirat e Jugosllavise”, thotë Duvnjak.

KOMRA edhe me përfaqësues nga Serbia dhe Kosova

Nuk mund të ketë pajtim pa e mësuar të vërtetën, thotë Boro Kitanovski duke veçuar rastin se në KOMRA ka përfaqësues nga Serbia dhe Kosova.

Është bukur të shihet që pas luftërave të përgjakura në ish Jugosllavi ende egzistojnë njerëz në këto hapësira që janë të gatshëm bashkarisht të diskutojnë për fatin e viktimave dhe përpjekjet që bëjnë për të arritur pajtimin”, thotë Boro Kitanovski.

Kryetari i Asociacionit për Iniciativa Demokratike, Lulzim Haziri , i jep mbështetje të plotë funksionimit të KOMRA-s.

“Jo rastësisht shoqëria civile e ka përkrahur këtë iniciativë me besimin se duke e sqaruar të kaluarën, më lehtë do të ecim në të ardhmen dhe jo rastesisht mandati i këtij Komisioni është përcaktuar që të jetë nga viti 1991 deri në vitin 2001, që do të thotë se i ka përfshirë edhe ngjarjet që ndodhën në Maqedoni në vitin 2001”, thotë Lulzim Haziri.

Nismën KOMRA deri në vitin e ardhshëm pritet ta mbështesin të gjitha qeveritë dhe parlamentet e vendeve të ish Jugosllavisë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi