1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeremic Bruksel

23 Janar 2012

Beogradi dhe Berlini kuptohen sot me njëri - tjetrin më mirë se më parë, deklaroi ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Bruksel.

https://p.dw.com/p/13obo
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW-Montage

Pas bisedimeve dypalëshe me ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Bruksel, shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç , tha se ishte një takim i sinqertë, i hapur dhe konstruktiv me qëllim vazhdimin e procesit të integrimit evropian si të Serbisë ashtu edhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor: "Tani ka më shumë mirëkuptim mes të dyja palëve se deri më tani. Nuk ka asnjë dyshim se si njëra ashtu dhe pala tjetër dëshirojnë të arrijnë të njëjtin objektiv, i cili është një vendim pozitiv për Serbinë në takimin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave."

Edhe pse ai thotë se me homologun gjerman nuk ka hyrë në hollësi, ministri Jeremiç vlerëson se në nivelin e "kuadrit politik" ekziston mirëkuptimi reciprok si dhe marrëveshja që në ditët në vijim të vazhdohet me bisedimet e nivelit të lartë mes Beogradit dhe Berlinit, që është një nga lojtarët kyç evropian .

Shembulli kroat për rajonin

Në kuadër të takimit të së hënës (23.01.2012) të Këshillit të Ministrave të BE-së, ku përveç çështjeve të nxehta si Irani dhe Siria u bisedua edhe për marrëdhëniet mes të Serbisë dhe Kosovës, të dy ministrat ranë dakord për bashkëpunimin e mëtejshëm në mënyrë që të ruhet ritmi i integrimit të Ballkanit Perëndimor edhe pas anëtarësimit të Kroacisë në BE. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, ndër të tjera, përshëndeti edhe praninë për herë të parë në Këshillin e Ministrave të kreut të diplomacisë kroate, kësaj radhe në cilësinë e vëzhguesit, duke theksuar se kjo flet për seriozitetin që i kushton BE-ja çështjes së zgjerimit: "Në të njëjtën kohë, ky është gjithashtu një shembull për vendet e tjera, sidomos në Ballkanin Perëndimor, që kur t'i përmbushin reformat dhe standardet evropiane në aspketin e sundimit të ligjit, ekonomisë dhe përgjegjësisë financiare, ato mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian", tha Westerwelle.

Westerwelle dhe Jeremiq - Berlin 31.05.2010
Westerwelle dhe Jeremiq - Berlin 31.05.2010Fotografi: Selma Filipovic

Bashkëpunim për hir të stabilitetit në Veri të Kosovës

Në përputhje me këtë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç tha se Serbia ka para vetes ende shumë punë dhe se Serbia do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj. Por sipas tij, do të ishte e papërshtatshme të jepen tani vlerësime për atë se cili mund të jetë rezultati i diskutimit të ardhshëm për statusin e kandidatit për Serbisë, që pritet brenda disa javësh nga BE-ja. Njëkohësisht Jeremiç shtoi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe se bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm për hir të ruajtjes së stabilitetit në terren.

Autorë: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora