1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181010 Afghanistan-Konferenz Rom

18 Tetor 2010

Në Romë mblidhen këtë të hënë (18.10.) përfaqësues të lartë të 47 shteteve për të diskutuar për të ardhmen e Afganistanit. Synimet e kësaj konference janë më të vogla se të konferencave të tjera.

https://p.dw.com/p/PgZD
Konferenca për Afganistanin në korrik
Konferenca e mëparshme për Afganistanin e mbajtur në korrikFotografi: picture-alliance/dpa

Ekzistojnë tri çështje që do të luajnë një rol në takimin e Romës të grupit ndërkombëtar të kontaktit për Afganistanin: pasojat e zgjedhjeve parlamentare në Afganistan, riintegrimi dhe pajtimi me talebanët dhe në radhë të parë kalimi i përgjegjësive për sigurinë në vend tek qeveria afgane.

Takimi i të ngarkuarve me çështjen e Afganistanit është takim i nivelit të lartë. Në takim përveç të ngarkuarit të qeverisë amerikane, Richard Holebrooke dhe ministrit të Jashtëm të Afganistanit, Salmay Rassul do të marrë pjesë edhe kryekomandanti amerikan, David Petraues i cili do të prezantojë pikëpamjet e tij për çështjet e kalimit të kompetencave të sigurisë tek qeveria afgane. Po ashtu në takim marrin pjesë edhe shumë vende islamike, bile për herë të parë i pranishëm është edhe Irani.

Irani pjesëmarrës

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Afganistanin dhe Pakistanin, Michael Steiner: "47 shtete nga pesë kontinente, nga fe të ndryshme, ideologji të ndryshme kanë këtu një objektiv të përbashkët, në të vërtetë objektivin që të krijojnë siguri të mjaftueshme në Afganistan."

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Afganistanin dhe Pakistanin, Michael Steiner
I ngarkuari i qeverisë gjermane për Afganistanin dhe Pakistanin, Michael SteinerFotografi: AP

Takimi ndër të tjera i shërben edhe përgatitjeve për samitin e NATO-s në Lisbonë, sqaron më tej Steiner. Sipas tij përfundimisht është hequr dorë nga përpjekjet idealiste të viteve të mëparshme që Afganistani të bëhet një një Zvicër në Hindukush dhe tani provohet që të arrihen vetëm zgjidhje të vogla por realiste. Bashkësia ndërkombëtare ka bërë një gabim, këtë e kanë kuptuar pjesëmarrësit, po ashtu edhe amerikanët: "Unë besoj që ne kemi qenë shumë ambicioz gjatë trajtimit të kësaj teme. Ne nuk e kemi marrë në konsideratë sa duhet që një vend i cili ka pas vetes 30 vjet luftë qytetare, me shumë konflikte, po ashtu edhe në rajon, me pikëpamje të tjera kulturore nuk mund të rikrijohet si të thuash sipas shembëlltyrës sonë."

Flamujtë e Iranit dhe Afganistanit
Flamujtë e Iranit dhe Afganistanit

Objektivat kryesore

Në Romë duhet të diskutohet se si mund të arrihen dy objektivat kryesore. Edhe njëherë i ngarkuari i qeverisë gjermane, Micheal Steiner: "Ajo çka na duhet është një Afganistan me stabilitet të mjaftueshëm ku do të respektoheshin të drejtat themelore të njeriut. Kjo për faktin se ne nuk mund të largohemi nga Afganistani dhe ta lëmë atë në gjendjen mesjetare siç sundohej në kohën e talebanëve. Këto janë dy synimet tona. Ato janë realiste të cilat mund të realizohen. Do të jetë e vështirë dhe me siguri që kjo mund të bëhet vetëm me kusht nëse ne do të jemi unikë."

Këto objektiva sipas Steiner pranohen edhe nga shtetet islamike. "Shtetet islamike pajtohen me ne kur bëhet fjalë për tortuat, për ndalimin e torturave, kur bëhet fjalë për dërgimin e vajzave të reja në shkollë pra kur flitet për gjëra themelore atëherë ne të gjithë jemi të një mendjeje, kjo mund të arrihet edhe pa u mohuar dallimet kulturore nëse dëshirohet krijimi i një shteti stabil dhe dinjitoz."

Autor: Stefan Tröndle/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama